Mbyllen sportelet, anulohet falja e namazit të xhumasë, s'ka Kuvend të enjten! Dezinfektohen ambientet dhe transporti publik! (VIDEO)

Mbyllen sportelet, anulohet falja e namazit të xhumasë, s'ka Kuvend të enjten! Dezinfektohen ambientet dhe transporti publik! (VIDEO)

Vijojnë të merren masat në terren për parandalimin e koronavirusit. Në shumë ambiente publike dhe institucione, vijon dezinfektimi. Ndërkohë që të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime publike kanë nxjerrë udhëzimet se ku të drejtohen qytetarët pasi sportelet janë mbyllur. Po ashtu, po dizinfektohen edhe mjetet e transportit publik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:37
Dezinfektohet dogana e Morinës

 Gjatë mbrëmjes së sotme është dezinfektuar Dogana e Morinës, si një masë parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit. Gjithashtu gjatë ditës së sotme është ulur fluksi i hyrjeve në Shqipëri përmes doganës.

Ora 21:27
Koronavirusi/ Doganat: Pezullohen shërbimet e operatorëve ekonomik

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit ka pezulluar të gjitha shërbimet që iu jepen operatorëve ekonomik pranë sporteleve të Doganës. Në urdhrin e nxjerrë nga Drejtori Gjon Bardhi thuhet se po ashtu se do të pezullohen të gjitha kontrollet e planifikuara pranë ambienteve të operatorëve ekonomikë në terren nga strukturat e drejtorisë së doganave edhe nëpër rretheve. Konkretisht do të pezullohen kontrollet e mbikëqyrjes doganore/ akcizës/ regjimeve doganore. Kontrollet e mbikëqyrjes doganore emergjente do të vijojnë sipas procedurave ligjore, ndërsa përjashtim nga kjo pikë bëjnë strukturat e Antikontrabandës, Informacionit, Antitrafikut.

Ora 21:27
Komisioni i Prokurimit Publik: Ankesat për tenderat, bëhen online deri më 3 prill

Deri me datë 3 prill të gjithë operatorët ekonomik që duan të marrin një faturë për arkëtim për ankesat e tyre lidhur me tendera të ndryshëm apo duan të ankimojnë një vendim pranë Komisionit të Prokurimit Publik, do të mund të bëjnë kërkesën e tyre vetëm nëpërmjet adresë së email-it [email protected].

Vendimi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik, ku ndër të tjera thuhet se operatori ekonomik është i detyruar të skanojë formularin e ankesës dhe më pas ta nis në adresën e sipërcituar. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe nga zyra e financës në KPP, e cila do të skanojë faturën dhe do ia kthejë atë operatorit, dhe në bazë të faturës ai mund të bëjë pagesën në bankat e nivelit të dytë.

 

Ora 20:49
Pezullohet marrja e patentës, mbyllen autoshkollat deri me 23 mars

Në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, do të ndërpriten deri në 17 Mars 2020 testimet e Teorisë dhe Praktikës për marrjen e lejedrejtimit. Po ashtu është vendosur që aplikimet për Testimet për marrjen e lejedrejtimit si dhe testimet/kualifikimet pranë Drejtorisë së Kualifikimeve Profesionale, të pezullohen përsëri deri më 17. Njoftimi është bërë i ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, e cila po ashtu njofton se deri më 23 mars nuk do të lejohet mësimi dhe klasat në autoshkolla, praktikat në rrugë, trajnimet me Kryqin e Kuq!

Ora 20:48
Tatimet: Shërbimet do jepen online, kërkesat depozitojini në postë

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kërkon nga të gjithë qytetarët që të shmangni sportelet fizike, dhe të aplikojnë online për çdo kërkesë drejtuar Administratës Tatimore. Me qëllim shmangien e përhapjes së virusit COVID-19, ftojnë qytetarët që për 11 shërbime të aksesohen online, ndërsa çdo kërkesë mund të depozitohet ne kutinë postare apo mund ta dërgojnë atë nëpërmjet shërbimit postar.

Shërbimet online që mund të merren janë vërtetim për pagim detyrimesh, vërtetim për pagimin e kontributeve nga subjekti, vërtetim për posedim mjeti, Vërtetim për pagimin e kontributeve për individin, vërtetim për regjistrim të investitorit, Vërtetim për statusin e tatimpaguesit (aktiv-pasiv), vërtetim për përgjegjësitë tatimore, vërtetim për tatimpaguesit e regjistruar për qarkullimin e realizuar për 3 vitet e fundit, vërtetim për individ të paregjistruar, Lëshim certifikatë rezidence për subjekte dhe Konfirmim listë pagesash.

Ora 18:21
 Burrel, burgu i sigurisë së lartë mbyll dyert, ndalon takimet me familjarët

Më vendim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në kuadër të masave drastike të marra në të gjithë vendin e institucionet publike, edhe në Burgun e Sigurisë së Lartë të Burrelit nuk do të lejohen takimet e familjarëve me të burgosurit.

Gjithashtu është bërë dezinfektimi i të gjitha ambineteve dhe në institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Personeli është pajisur me masat mbrojtëse të nevojshme si maska, doreza e dezinfektues duarsh.

Pezullimi i takimeve të familjarëve me të burgosurit është bërë pa afat, deri në një urdhër të dytë që do të lëshohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në Tiranë.

Ora 18:03
Koronavirusi, policia: Mos u paraqitni në sportele për gjobat, vendimet do jua dërgojmë me WhatsApp

Policia e Shtetit në kuadër të mbrojtjes së punonjësve të saj dhe qytetarëve për frenimin e përhapjes së koronavirusit, ka vendosur që nga dita e sotme të pezullohen të gjitha veprimtaritë  në zyrat dhe organet administrative të policisë rrugore në praninë e kundërvajtësve. Shqyrtimi i masave dhe gjobave do të vijojë por pa praninë e personave në zyrat dhe sportelet e policisë. Vendimet do u dërgohen personave përkatës me postë në adresat e shtëpisë. Madje dhe masat administrative të vendosura në rrugë, policia do të njoftojë qytetarët të mos paraqiten në zyra, por të japin një numër telefoni në mënyrë që vendimin t'ia dërgojë në WhatsApp.

Njoftimi i plotë i Shefit të Sektorit në Drejtorinë e Policisë Rrugore Mitat Tola.

Në kuadër të masave të marra me qëllim parandalimin e përhapjes së coronavirusit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka nxjerrë urdhrin "Për pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë dhe shërbimeve të OASH-ve për trajtimin e kundërvajtjeve administrative".

'Nisur nga situata e krijuar në vend, në kushtet e mbrojtjes dhe të parandalimit të përhapjes së virusit COVID 19, të nevojës për shmangien e kontakteve fizike të punonjësve të Policisë Rrugore në seancat e verifikimeve të kundërvajtjeve administrative prej OASH-ve vendore, me qëllim vijimin e procedurës administrative dhe të shqyrtimit në një format në mungesë të kundërvajtësit dhe kufizimin e kontakteve fizike, deri në normalizimin e situatës shëndetësore në vend, ky urdhër, për një periudhë dyjavore, parashikon:

- Pezullimin e veprimtarisë së organeve administrative shtetërore të Policisë Rrugore pranë sektorëve të Policisë Rrugore në Drejtoritë Vendore të Policisë, në mënyrën si zhvillohet sot me prezencën e kundërvajtësit ;

- Aktiviteti administrativ i OASH-ve për shqyrtimin e masave plotësuese dhe ato me gjobë do të vazhdojë të zhvillohet në mungesë të kundërvajtësve, duke shmangur praninë e tyre në zhvillimin e seancave verifikuese dhe të shqyrtimit të tyre ;

-Vendimet e marra nga ana e OASH-ve do t’u dërgohen me postë të zakonshme kundërvajtësve dhe  menjëherë, sapo vendimi të merret, pasqyrohet në E-GJOBA;

-Agjentët verifikues dhe patrullat e Policisë Rrugore, në çdo rast që konstatojnë shkelje rrugore që janë objekt shqyrtimi pranë OASH-ve, i transmetojnë kundërvajtësit detyrimin për mosparaqitjen në OASH dhe i kërkojnë, kundrejt miratimit të tij, një numër telefoni celular, të cilin e vendosin në rubrikën e "adresës" tek procesverbali i konstatimit të shkeljes, në të gjitha kopjet. OASH-ja respektive, në rastet kur është e mundur, i dërgon në numrin e deklaruar nga qytetari në aplikacionin WhatsApp, vendimin në formatin PDF. Njëkohësisht, me procedurë të rregullt postare i dërgon kundërvajtësit, vendimin e firmosur dhe vulosur.

Në të gjitha rastet do të respektohen afatet e përcaktuara në Kodin Rrugor.

Ora 17:10
Koronavirusi/Sigurimet Shoqërore: Mbyllim sportelet, shërbime online ose me postë

Sigurimet Shoqërore do të mbyllin sportelet e tyre për të shmangur kontaktet me njerëzit në mënyrë që të frenohet sa më shumë përhapja e koronavirusit. Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore njofton se qytetarëve do u shërbehet vetëm në mënyrë online ose përmes postës , ku mund të dorëzohen dokumentet për aplikim. Gjithashtu njoftohet se aplikimet për pagesat e shtatzënisë do të bëhen online dhe raportet e shtatzënisë, si dhe raportet mjekësore për paaftësi të përkohshme do të skanohen dhe do të ngarkohen në portal.

Njoftimi i  plotë i Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore.

Njoftohen të gjithë qytetarët, se në zbatim të Vendimeve të Këshillit të Ministrave për përballimin e situatës së krijuar nga COVID 19, që aplikimet për shërbimet që ofron ISSH-ja  do të jenë vetëm online. Në zyrat e pritjes pranë agjencive tona nuk do të ofrohet shërbim në sportele, për të shmangur kontaktet fizike. Në çdo agjenci janë afishuar numrat e telefonave të punonjësve për të asistuar këdo që kërkon ndihmë për aplikim apo shërbim. Dokumentet origjinale duhet të dorëzohen përmes postës shqiptare sha, në adresë të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku aplikohet për shërbim. 

Aplikimet për pagesat e barrëlindjes do të bëhen online dhe raportet e barrëlindjes, si dhe raportet mjekësore për paaftësi të përkohshme do të skanohen dhe do të ngarkohen në portal. Pagesat për barrëlindje do të paguhen normalisht nëse aplikimi është bërë online dhe kanë bashkangjitur kopje të skanuara të raportit mjekësor, pavarësisht mungesës së raportit origjinal. Raportet origjinale duhet të dërgohen me postë në adresë të DRSSH.

Personat që janë invalidë dhe kanë datën e rikomisionimit do t’u shtyhet rikomisionimi për më vonë, ndërkohë që pagesa do të vijojë për ta edhe për këtë muaj.

Personat që tërheqin në bankë pensionin dhe që duhet të bënin deklaratat pranë bankave për vazhdimin e pagesës do ta përfitojnë pagesën ndërkohë që deklarimi do t’u shtyhet.

Ju bëjmë thirrje qytetarëve që për të aplikuar për shërbim nga ISSH të mos paraqiten në sportelet e agjencive të ISSH-së, por të aplikojnë online.

Shëndeti i pari!

Ora 17:04
Koronavirusi/ Dezinfektohet dogana e Kapshticës

Ditën e sotme është dezinfektuar edhe dogana e Kapshticës, si një masë parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit.

Ora 16:05
Anulimi i fluturimeve nga koronavirusi/ Qytetarët do rimbursohen 100% ose mund të shtyjnë biletën në një datë tjetër

Të gjithë qytetarët që kanë blerë një biletë në drejtim të Italisë, do të kenë të drejtën të marrin një biletë të re të mëvonshme  nga ana e kompanisë ose të kërkojnë  rimbursim  me çmim të plotë të biletës. Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar të gjithë qytetarët të cilët janë prekur nga anulimi i fluturimeve në kuadër të masave parandaluese kundër COVID-19, do të mund ti drejtohen kompanisë me kërkesë të shtyrjes së fluturimit për në një moment të dytë ose të kërkojnë dëmshpërblim.

Për të përfituar të drejtën e tyre, në një nga mënyrat e detajuara më sipër, pasagjerët duhet të vendosin kontakt me kompaninë ajrore me email ose telefon. Ndërkohë në rast se kompania nuk ju përgjigjet pasagjerëve ata kanë të drejtë t’i drejtohen Autoritetit të Aviacionit Civil, në cilësinë e autoriteti kompetent për zbatimin e udhëzimit të drejtave të pasagjerëve.

"Njoftim i rëndësishëm për pasagjerët e prekur nga anulimi i fluturimeve në kuadër të masave parandaluese kundër COVID-19. Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) informon të gjithë pasagjerët e prekur nga anulimi i fluturimeve, për shkak të masave të marra në kuadër të parandalimit të përhapjes së COVID-19, se sipas parashikimeve të Udhëzimit Nr. 01, datë 26.02.2013, “Për Kompensimin dhe Asistencën e Pasagjerëve në Rastin e Mospranimit në Bord të Avionit dhe Anulimit ose Vonesës Gjatë Fluturimeve" pasagjerët:

Kanë të drejtën e një itinerari të ri (një bilete të re të mëvonshme) nga ana e kompanisë OSE Kanë të drejtën e rimbursimit të çmimit të plotë të blerjes së biletës nga ana e kompanisë me të cilën kanë prerë biletën. Për të përfituar të drejtën e tyre, në një nga mënyrat e detajuara më sipër, pasagjerët duhet të vendosin kontakt me kompaninë ajrore me email  ose telefon. Në rastet e mos-përgjigjes nga kompania ⭕, pasagjerët kanë të drejtë t’i drejtohen Autoritetit të Aviacionit Civil, në cilësinë e autoriteti kompetent për zbatimin e udhëzimit të të drejtave të pasagjerëve.

AAC, pas marrjes së njoftimit (reklamimit të problematikës me një nga kompanitë) nga pasagjeri, menjëherë do të merr masa të nevojshme për të siguruar respektimin e të drejtave të tyre dhe do të mbajë çdo pasagjer të informuar për statusin e çështjes së tyre. Adresa ku duhet të kontaktohet me autoritetin është [email protected]. Përfitojmë nga ky komunikim për t’i bërë edhe njëherë thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë këshillat parandaluese  të dhëna nga autoritetet shëndetësore  për parandalimin e përhapjes së COVID-19", njofton Autoriteti i Aviacionit Civil.

Ora 15:16
Pezullohet aplikimi i qytetarëve për karta identiteti dhe pasaporta deri 3 prill

Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, Ministria e Brendshme bën me dije se janë pezulluar deri në datën 3 prill aplikimi i qytetarëve për karta identiteti dhe pasaporta. Gjithashtu, një tjetër masë e marrë është ndalimi i pritjeve me qytetarët, deri në një njoftim të dytë. Të gjitha kallëzimet, sugjerohen që të bëhen me shkrim ose me anë të numrit '112', me qëllim që të parandalohet kontakti me njerëzit.

"Ndalohen të gjitha pritjet e qytetarëve në sportelet e shërbimeve në të gjitha institucionet e sistemit të Ministrisë së Brendshme, deri në një njoftim të dytë. Telefono MB - 0694134779. Përjashtohen nga ky ndalim vetëm rastet e kallëzimeve që qytetarët bëjnë pranë strukturave të Policisë së Shtetit. Sugjerohet edhe në këto raste kallëzimet të bëhen me shkrim. Telefono 112 ose denonco në Komisariatin Dixhital! Pezullohet aplikimi i qytetarëve për karta identiteti dhe pasaporta deri në datë 03.04.2020. Të gjithë aplikimet, kërkesat apo ankesat e qytetarëve do të pranohen vetëm në rrugë elektronike në adresat e institucioneve përkatëse. Për shërbime online drejtohu tek e-albania", njofton Ministria e Brendshme. 

Ora 14:20
Mbyllen të gjitha sportelet dhe zyrat e gjendjes civile, kërkesat vetëm përmes telefonit

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, në zbatim të vendimit të qeverisë ditën e djeshme për masat kufizuese ndaj koronavirusit, ka urdhëruar mbylljen e të gjitha sporteleve dhe zyrave të gjendjes civile deri më 23 mars. Komunikimi do të bëhet vetëm nëpërmjet telefonit në numra të posaçëm për secilën njësi administrative.  

Numri per bashkine e Shkodres
Ora 13:55
2 autobusë dhe një furgon nga Italia/ Brahimaj: Do shoqërohen deri në Tiranë nga 'rrugorja', janë identifikuar të gjithë (VIDEO)

Drejtori i Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj ka bërë me dije se udhëtarët që kanë mbërritur nga Italia nëpërmjet doganës së Muriqanit janë urdhëruar të vetëkarantinohet, në të kundërtën do të gjobiten. Ai ka bërë me dije se janë identifikuar të gjithë një e nga një  dhe do të mbahen në vëzhgim. Autobusët kanë destinacion final Tiranën dhe do të shoqërohen nga shërbimet e qarkullimit rrugor.

"Ne jemi bashkë, dhe i porosimin dhe i njoftojmë që të vetëkarantinohen për 14 ditë që e ditë të gjithë. Nëse këtë qytetarë nuk vetëkarantinohen dhe konstatohen nga policia, do vendosim gjobë. Janë marrë të gjithë të dhënat, janë identifikuar dhe e dimë kush janë me nr pashaporte ose ID kartë dhe i kemi paralajmëruar. Asnjë tolerim kush shkel rregullin. Do shoqërohen nëpërmjet shërbimeve të qarkullimit deri në kufi me Lezhëm dhe më pas Lezha do t'i shoqëroj deri në destinacionin final që është Tirana. Do të vetë karantinohen. Janë dy autobus, një furgon dhe disa mjete të vogla. Nuk kemi informacion që do të vijnë mjetet të reja nga Italia", tha Brahimaj.

Ndërkohë, zyrtari i policisë së Shkodrës ka bërë me dije se të gjithë autobusët dhe shtetasit që kanë destinacion Italinë do të kthehen pas.

"Të gjithë autobusët dhe shtetasit që kanë destinacion Italinë do të kthehen pas. Pala malazese ka vendosur Italianë, Koreja e jugut, kinezët, spanjollët që nuk do të lejojnë të kalojnë në Malin e Zi", tha zyrtari i policisë.

Ora 13:49
'Mbyllet' burgu i Drenovës, nuk do të ketë takime me familjarët

Me situatën e krijuar nga koronavirusi edhe në vendin tonë, siguria është krijuar edhë në burgje duke pezulluar të gjitha takimet e të dënuarve me familjarët e tyre.

Drejtoria e burgut të sigurisë së lartë të Drenovës, është duke instaluar video projektor që familjarët të kenë mundësinë të komunikojnë me të afërmit e tyre të burgosur.

Në kushtet kur është e ndaluar kategorikisht takimi i familjarëve me të burgosurit në një urdhër të drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve takimet do të bëhen sipas nje forme të re. Krijimi i sallave në burgun e Drenovës do të jetë mundësia e vetme e takimit të të burgosurve me familjarët e tyre në bazë të video-projektorëve

Ora 13:14
Dezinfektohen institucionet shtetërore në Gjirokastër dhe Korçë

Në Gjirokastër dhe në Korçë janë dezinfektuar institucionet shtetërore, si masë mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ora 11:37
Koronavirusi/ Mbyllen parqet arkeologjike dhe muzetë

Situata me koronavirusin mbyll parqet arkeologjike dhe muzetë në mbarë vendin. Nga sot asnjë institucion kulturor nuk do të jetë hapur për vizitorët. Administrata do të vazhdojë punën.

Ora 10:18
Koronavirusi/ Kufizohet lëvizja e qytetarëve nga qyteti në qytet! Shoferi në Kukës: Ka rënë puna ndjeshëm (VIDEO)

Koronavirusi ka ndikuar jo vetëm në lëvizjen e njerëzve jashtë shtetit, por edhe mes qyteteve me njëra-tjetrën. Drejtues furgonësh dhe autobusësh në qytetin e Kukësit shprehen për mikrofonin e Report Tv se  ditëve të fundit ka pasur shumë pak lëvizje. Ndonëse banorët shprehen se nuk janë frikësuar, për siguri ato kanë zgjedhur që të mos lëvizin drejt Tiranës, e cila është epiqendra e këtij virusi.

"Ka ndikuar lëvizja. Ka rënë ndjeshëm. Se di çfarë do bëhet më gjatë, por ka ndikuar shumë. kemi pasur shumë pak udhëtarë. Është në të gjithë botën, nuk kemi çfarë bëjmë", tha një nga shoferët.

Sa i përket shitjeve, shitësit në supermarkete shprehen se ka pasur më shumë se për festat, por banorët thonë se është furnizimi i muajit dhe se nuk ka lidhje me koronavirusin.

'Ka pasur më shumë shitje se për Bajram, Vitin e Ri dhe për ditët e festa. Ka më pak lëvizje se ditët e tjera", tha një nga shitëset, por sipas një qytetari nuk ka lidhje me koronavirusin. "Blerje të zakonshme, jo për virusin. Kemi marrë dhe për ditët e tjera. Nuk kemi frikë nga koronavirusit, jemi mirë", tha një nga banorët.

Ora 10:15
Masat për koronavirusin, anulohet seanca plenare e planifikuar për nesër! (VIDEO)

Anulohet seanca plenare e planifikuar për nesër, ndërkohë që do të vijohen në komisionet. Deputetët do të vijojnë angazhimin e tyre në komisione. 

Ora 09:55
Instituti Shëndetësor Shtetëror mbyll 6 klasa me kurse private në Gjirokastër...me nga 30 nxënës secila

Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror në Gjirokastër ka mbyllur dje në mbrëmje dhe sot aktivitetet e 8 klasave private që funksionojnë për gjuhën angleze dhe lëndën e matematikës.

Të gjashtë klasat kanë qenë të populluara me nga 20-30 nxënës të moshave 15-19 vjec dhe funksiononin duke mos marrë parasysh urdhëresat e dala nga qeveria shqiptare për evitimin e grumbullimit të njerëzve në vende të mbyllura.

Sipas kreut të ISHSH Edi Sinojmeri po punohet intensivisht për zbatueshmërinë e urdhëresave dhe në këtë kuader inspektorët e ISHSH janë në terren për të identifikuar raste të tilla dhe lënë detyra afatshkurtra për të përmbushur detyrat e lëna.

Sipas Sinojmeri iu është lënë afat të gjithë operatorëve të linjave të brendshme urbane në Gjirokastër, Tepelenë e Përmet për dizinfektimin e autobusëve brenda ditës së sotme në të kundërt do të operohet sipas urdhëresave në fuqi.

Ora 09:40
Koronavirusi/ Dezinfektohet pedonalet në qytetin e Shkodrës, rrethrrotullimet kryesore, sheshet dhe rrugët (VIDEO)

Paralelisht ne dezinfektimin  e institucioneve publike, shkollave, kopshteve, çerdheve, qendrave në territorin e Bashkisë Shkodër, ka nisur puna edhe për dezinfektimin e rrugëve e shesheve me densitet të lartë lëvizje të qytetarëve.

Në orët e para të mëngjesit janë dezinfektuar pedonalet e qytetit, ajo “Kol Idromeno”, “28 Nëntori” dhe “Oso Kuka”. Në vijimësi, do të dezinfektohen edhe rrethrrotullimet kryesore, sheshet dhe rrugët pranë institucioneve të rëndësishme në territorin e Bashkisë së Shkodrës.

Ora 09:38
Koronavirusi/ Durrësi dezinfekton rrugët, parqet dhe tregjet (FOTO)

Mes qyteteve që janë dezinfektuar, si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit është edhe qyteti i Durrësit. Rrugët, parqet e lojërave të fëmijëve dhe tregjet janë dezinfektuar mëngjesin e kësaj të mërkure. Foto nga ky proces i ka publikuar kreu i bashkisë në detyrë, Zhyljen Varfaj.

Ora 09:26
Urdhri i PS: Pezulloni deri më 3 prill të gjitha takimet e partisë! Anulohen komisionet parlamentare

Partia Socialiste ka anuluar deri më datën 3 prill të gjitha takimet e partisë. Urdhri është shpërndarë në të gjitha degët e Partisë Socialiste, një masë kjo e marrë në kuadër të masave të domosdoshme për situatën e emergjencës nga koronavirusi.

Po ashtu, ditën e sotme u anuluan edhe dy komisione parlamentare të parashikuara, ai i Ligjeve dhe komisioni i medias.

Ora 09:24
Mbrëmja në Fier, dezinfektohen të gjitha ambientet e jashtme, lulishte e parqe (VIDEO)

Në qytetin e Fierit mbrëmë është bërë dezinfektimi në të gjitha ambientet e jashtme publike, si në lulishte, e ambiente me lojëra për fëmijët apo stola për të moshuarit. 

 

Ora 09:21
Koronavirusi/ Dezinfektohen ambientet e jashtme në Berat dhe institucionet (VIDEO)

Mengjesin e sotem punonjës të bashkisë së Beratit kanë nisur spërkatjen me klor të lëngshem në të gjitha institucionet publike në Berat, si Bashki, biblotekë, kopshte e çerdhe, shkolla, në ambientet e postës Shqiptare si dhe terrenet e jashtme të pedonales në qendër të Beratit. Dezinfektimi i ambienteve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Ora 09:16
Bashkia e Lezhës pezullon shërbimet deri më 23 mars, apel qytetarëve: Kërkesat me postë

Bashkia e Lezhës pezullon punën në zyrën me një ndalesë dhe pritjen për qytetarët deri më 23 mars. Qytetarët që kanë nevojë për shërbime mund t'i drejtohen me kerkesë nëpërmjet postës.

Ora 09:15
Koronavirusi/ Dezinfektohen urbanët në Tiranë, apeli: Evitoni lëvizjet e panevojshme (FOTO-VIDEO)

Ditën e sotme janë dezinfektuar urbanët e transportit brenda për brenda Tiranës.

Dezinfektimi i transportit publik do të vazhdojë çdo mbrëmje pas mbylljes së turnit dhe çdo mëngjes përpara se të nisë qarkullimi i tyre. Ndërsa thirrja kryesore e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor është evitoni sa më shumë të mundeni përdorimin e transportit publik.

Nga ana e kompanive janë angazhuar stafe të specializuara, të cilat bëjnë dezinfektimin e autobusëve, një proces i cili do të bëhet në mënyrë të vazhdueshme, për çdo natë, për shkak të numrit të lartë të qytetarëve të cilët i përdorin ato. 

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • erion veliaj: 12/03/2020 00:39

    BLLOKONI MORINEN deri ne 1 qershor ,,,dhe rritni pagesen nga 5 euro ne 50 euro per cdo veture qe do hyje pas 1 qershorit,,,ec,ec,ec, spitalet duan fonde per te luftuar korona --virusin…..hajde rama ke tarifat me te ulta ne Europe...

    Përgjigju
  • Iris: 12/03/2020 00:12

    Duhet ndaluar puthja e ikonave ,e dores se prifterinjve,e kryqit,kungimi me nje luge ne kisha,si dhe duhet urdheruar qe njerezit qe dergojne zarfe ne posta ose zyra te mos I mbyllin zarfet me gjuhe.

    Përgjigju
  • Sylejmëni: 11/03/2020 22:01

    Aman dhe namazinë kishim mangut se tere të tjerate i kemi ne vije

    Përgjigju
  • Parlamenti: 11/03/2020 11:47

    Aman mbledhjen e neserme kot e anulluat, tju kishte kap te gjithve aty brenda

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Komisioni Hetimor i Shëndetësisë, Petro Koçi akuza opozitës: Po i bëni shantazh kompanive për t’iu vënë gjoba

Komisioni Hetimor i Shëndetësisë, Petro Koçi akuza opozitës: Po i bëni shantazh kompanive për t’iu vënë gjoba