Vijon përplasja në distancë, Artan Fuga publikon dokumentin dhe i përgjigjet Akademisë së Shkencave: Vërtetohen ndryshimet e ligjit

Vijon përplasja në distancë, Artan Fuga publikon dokumentin dhe i përgjigjet Akademisë së Shkencave: Vërtetohen ndryshimet e ligjit

Gjinushi dhe Fuga

TIRANË-Debati në distancë mes Akademisë së Shkencave dhe akademik  Artan Fugës vijon me akuza dhe kundërakuza. Ditën e sotme Fuga, në vijim të përgjigjes së tij pas deklaratës së Akademisë së Shkencave dje , ka publikuar sot dokumentet ku sipas tij vërteton deklaratën për të cilën është akuzuar për pavërtetësi nga ASHSH.

 “Në paragrafin e fundit të deklaratës pretendon krejt pa bazë se qenka e gënjeshtërt ajo që them unë, pra se deputetë po ndërmarrin nismë ligjore për… Por unë mbaj përgjegjësi për ato që them. Nuk kam mbetur që etikën e deklarimeve publike të ma mësojë Kryesia. Këtu më poshtë kam paraqitur dokumente djegëse që e kundërshtojnë trishtueshëm distancimin që Kryesia bën nga unë. Por gënjeshtra është gënjeshtër dhe e vërteta është e vërtetë”, shprehet Fuga ndër të tjera.

Përmes një deklarate dje Akademia e Shkencave ka përgënjeshtruar një deklaratë të mëparshme të Fugës, për ndryshimin e ligjit.

Akademia thotë se nëse pretendimi i Fugës do ishte i vërtetë, ky i fundit nuk do mund të shpallte kandidaturën e tij. Kjo “përplasje” në distancë vjen pasi akademiku Fuga teksa shpalli kandidaturën e tij për Akademinë e Shkencave u shpreh se në këtë institucion ka një ligj i cili i bën drejtuesit e “përjetshëm” mandatin e tyre. 

Ishte ky pretendim i Fugës që nxiti reagimin e Akademisë së Shkencave ku thuhet se ligji është produkt i vetë Asamblesë e votuar me bindje të plotë. Për më tepër, në njoftim sqarohet se nëse nuk do të ishte ndryshuar ky ligj, sot Fuga jo vetëm s’do të kandidonte dot, por as do të kishte të drejtën e votës, pasi tashmë ka plotësuar kriterin e moshës (mbi 68 vjeç). Kësaj deklarate, Fuga i është përgjigjur sërish, duke u shprehur se nuk e ndalon dot askush të kundërshtojë këtë ligj, sipas tij të iniciuar nga jo një por dy deputetë.

Reagimi i plotë sot nga Artan Fuga:

Dje Kryesia e Akademisë së Shkencave të Republikës të Shqipërisë ndërmori një akt pa precedent ndaj njërit prej akademikëve, konkretisht ndaj meje, që ka deklaruar synimin për të kandiduar për vendin e punës : “Kryetar i Akademisë së Shkencave” në zgjedhjet që do të mbahen sipas ligjit në vitin 2023.

E kisha menduar që kandidimi im do të prishte rehati, dëshira për pushtet, ëndrra, por që të reagohej kaq shpejt, kaq në mënyrë të ashpër dhe duke treguar një mendësi autoritariste, si edhe me të pavërteta që përbëjnë fake neës për opinionin publik, nuk e kisha menduar as në ëndrrat e mia më të këqia !!!

Nuk po hyj te kandidimi im i deklaruar, sepse atë nuk e ndalon dot askush, as për fushatën që do të kryej dhe mbështetjen e padiskutueshme që do të marr, sepse është e përllogaritur, por pyes se përse shqetësohen anëtarët e Kryesisë kur dihet se në një institucion demokratik pushteti nuk është me tapi, se askush nuk mund të pretendojë se vetëm ai apo ata dinë të çojnë përpara institucionin. Përse kjo qepje pas kolltukut kështu!

Ndërkaq Kryesia e Akademisë të Shkencave me anë të një teksti shumë konfuz për të qenë i formuluar nga akademikë të nderuar më sulmon se unë përhap informacione të rrema. Dhe në paragrafin e fundit të deklaratës pretendon krejt pa bazë se qenka e gënjeshtërt ajo që them unë, pra se deputetë po ndërmarrin nismë ligjore për:

Të ndryshuar ligjin ekzistues që e ndalon kryetarin dhe nënkryetarin për të pasur dy mandate radhazi, duke kërkuar që kjo ndalesë të hiqet.

Të hequr ndalesën ligjore për ta ushtruar detyrën e kryetarit përtej moshës 75 vjeç.

Me një fjalë kur unë them se po bëhen ndryshime ligjore që lejojnë që kryetari dhe nënkryetari aktual të vazhdojnë të pretendojnë të marrin një mandat tjetër, çka ligji në fuqi nuk e lejon, qenka një rrenë.

Kur unë them se të dyja këto ndryshime japin mundësi që z. Gjinushi të vazhdojë të qëndrojë kryetar përsëri e përsëri, deri në afro 80 vjeç, (shohim më tej) qenka rrenë!!!

 

Por unë mbaj përgjegjësi për ato që them. Nuk kam mbetur që etikën e deklarimeve publike të ma mësojë Kryesia.

Këtu më poshtë kam paraqitur dokumente djegëse që e kundërshtojnë trishtueshëm distancimin që Kryesia bën nga unë. Por gënjeshtra është gënjeshtër dhe e vërteta është e vërtetë.

Në dokumentin e bashkëngjitur kemi propozimin për amendimin e ligjit ekzistues me firmën e deputetëve Ismet Beqiraj dhe Petro Koçi. Emër, Mbiemër, Firmë, dërguar kryetares të Kuvendit të Shqipërisë, zonjës Lindita Nikolla, në datë 9 janar 2023, me shkresën me numër protokolli 55.

Ndryshimet janë bërë gati për të shkuar drejt e në seancën plenare pa kaluar fare në Komisionin e edukimit dhe të mjeteve të informacionit.

Për të mos e lodhur lexuesin shkojmë direkt te neni 5 i amendimeve që kërkon as më shumë e as më pak por të hiqet togëfjalëshi « jo rradhazi ». Pra nëse ligji në fuqi thekson se kryetari dhe nënkryetari mund të zgjidhen për dy mandate, por jo rradhazi, amendimet Beqiraj – Koçi e heqin « jo radhazi », ra e transformojnë ligjin në fuqi duke i dhënë mundësi kryetarit dhe nënkryetarit të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet. Dhe qershia mbi tortë, neni 5 i amendimeve Beqiraj – Koçi kërkon që nga ligji në fuqi të hiqet gërma “c”, e pikës 2» e nenit 16 të ligjit në fuqi. Cfarë ndalon kjo pikë ? Të hiqet ndalesa për të mbajtur mandat drejtues pas moshës 75 vjeç. Me një fjalë që kryetari dhe nënkryetari ynë të mund të jenë në pushtet edhe 80 vjeç, 100 vjeç, e sa të kenë ymër.

Si thotë populli, vetëm mustaqet i mungojnë atij ose asaj për të cilin bëhen këto amendime!!! Ku kam gënjyer unë ? Kush jep informacione të rrema ? Kush fsheh të vërtetën? Pyes: vallë gazetarët e Birn, Panorama, BalkanËeb, Ora Neës, Reporteri. Al, Poliko.al, CNA, NeësBomb, Lapsi.al, etj., etj., nuk dinë të lexojnë? Publiku nuk di të lexojë? Komentuesit në rrjetet sociale nuk dine të lexojnë?

Akademiku Apollon Baçe që e denoncoi i pari këtë aferë nuk di të lexojë? Të gjithë gënjeshtarë jemi ne? Përpos kësaj, deklarimi I djeshëm I Kryesisë të Akademisë të Shkencave kishte mbledhur gjithë gurët që kishte gjetur në sirtare për të më lapiduar mua! Sa trishtim. Anatemohesha e isha i vetmi që isha shprehur kundër ligjit dhe modelit të sotëm të Akademisë!!! Çfarë mbeturine totalitare dhe jete partish autoritare! Pyes, sa vetë duhet të jemi që të kemi të drejtë të jemi kundër diçkaje? Ku është problem që edhe i vetëm të thuash mendimin tënd? Paskam bërë herezi etike sepse për idetë e mia paskam lobuar jashtë akademisë në rrugë private!!!

Nuk di të qash apo të qeshësh! Unë përherë jam shprehur brenda Akademisë të Shkencave kur nuk më kanë censuruar, dhe kur e kam gjykuar jam shprehur edhe jashtë saj. Kam komunikuar personalisht (privatisht – thotë Kryesia e nderuar) sepse unë nuk jam institucion, me deputetë, me gazetarë, me ministren e arsimit, i kam shkruar kontrollit të shtetit, ministres të financave, kam kontaktuar me kolegë universitarë, me gazetarë, madje edhe me miq të fëmijërisë në kafene, dhe do ta bëj edhe më fort, duke e zgjeruar madje rrethin e institucioneve ku do të komunikoj. Kush është problem këtu? Mos mendon Kryesia se Akademia është një burg, a kam përqendrimi, ku as miza nuk del që andej, pa lëre zërat e lirë? Çfarë mendësie!!!

Kërkojnë të më intimidojnë meqë vite më parë paskam thënë se 68 vjeç akademiku duhet të dalë në pension!!!, (në fakt kam thënë 70 vjeç,) pra bëhet “emerit”, jo “75 vjeç sa e ka ligji në fuqi. Atëhere, sipas silogjizmit të Kryesisë sot që jam 68 vjeç bëj gabim që kandidoj, edhe nëse kandidoj e kam këtë të drejtë për meritë të kryesisë!!! Çfarë dhurate! Po unë përsëri them, le të dalin 68 vjeç të gjithë në pension dhe le t’u hapim rrugë të rinjve!!! E pranoni sfidën o burra? Se kështu nuk ka kuptim. Ju doni të rrini në poste deri në 80 vjeç, 100, 800 vjeç, kurse unë të mos kandidoj për Kryetar të Akademisë të Shkencave një mandat katër a pesë vjeçar duke qenë vetëm 68 vjeç.

Unë e ftoj kryesinë ta marrë me qetësi kandidimin tim. Unë sapo kam shpallur dëshirën për kandidim, nuk kam shpallur kandidimin. Ende është shpejt. Përse shqetësohen kur unë kam vetëm një votë kurse ata kanë mbështetje unanime, siç thonë ! Cfarë të keqe ka ? Unë po ushtroj të drejta që i parashikon ligji dhe statuti I Akademisë të Shkencave. Ka kohë ende për të hyrë në çështje më serioze. Unë nuk kam synim as ta lodh opinionin publik, as ta banalizoj alternativën time duke folur për ditë për të, as edhe të harxhoj energji të tepërta para kohe, as të tregoj të gjitha idetë kritike që kam formuluar dheshprehur kohë pas kohe brenda Akademisë të Shkencave. Por, gjithmonë do të përgjigjem e do të korrektoj çdo deklarim të Kryesisë apo të gjithkujt që kërkon të gabojë ose manipulojë me ose pa dashje opinionin publik. Ballafaqimi final do të vijë, qetësisht, me etikë, shkencërisht, me humor të mire, por shumë seriozisht dhe rreptësishtë.

Artan Fuga

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ali Pashe Tepelena: 01/03/2023 12:20

    Zhurmuesin Artan Fuga e flliqi profesor Muzafer Korkuti me dy fjali para disa vitesh me nje pergjigje publike. Gjen kurajon ky te sulmoj Akademine e Shkencave kur vete s’ben publikime shkencore. Opinionist qesharak! Lexuesi duhet te bej dallimin midis nje zhurmuesi qesharak dhe akademikeve te vertet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Pëllumb Metës, ekspertiza konfirmon: Arma e gjetur në pellgun me ujë u përdor për krimin

Vrasja e Pëllumb Metës, ekspertiza konfirmon: Arma e gjetur në pellgun me ujë u përdor për krimin