41 viktima nga virusi në Kinë! Europa në alarm, 3 të infektuar në Francë/ Studiuesit: Infeksion u transmetua nga Visoni

Ndërsa autoritetet shëndetësore të Hubei në Kinë kanë raportuar për 17 vdekje të tjera nga koronavirusi në nivelin krahinor, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 41 kurse numri i të infektuarve ka shkuar në pothuajse 1.300, alarmi I kuq është ngritur në Europë.

Tre raste janë konfirmuar në Francë, të parat të identifikuara zyrtarisht në kontinentin e vjetër.

Njoftimi është bërë nga ministrja franceze e shëndetësisë Agnes Buzyne duke shtuar gjithashtu se "Me siguri do të ketë të tjerë". Vetëm një ditë më parë ministrja pati deklaruar se Franca ishte e pa infektuar.

Një rast është regjistruar në Bordo, në jug-perëndim të vendit, kurse dy të tjerë në Paris. Dy nga të prekurit nga koronavirusi kishin pak ditë që ishin kthyer nga një udhëtim në Kinë.

Një vaksinë e mundshme e koronavirusit e porsamenduar mund të testohet te njerëzit në kohë rekord, më pak se tre muaj, në krahasim me 20 muaj të vaksinës eksperimentale Sars.

Nga Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive në SHBA thonë se një vaksinë e mundshme e koronavirusit mund të jetë gati për tu testuar te njerëzit në kohë rekord, më shpejt se tre muaj, më shpejt se vaksina e prodhuar për të luftuar SARS.

Imunologu Europian Pasi Penttinen i Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve thotë se "Nëse keni simptoma serioze të frymëmarrjes, kollë, ethe, gulçim dhe keni qenë në qytetin e Ëuhan në 14 ditët e fundit ose keni pasur kontakte me dikë që është infektuar, ju mund të jeni i infektuar me virusin kinez.

Ndërsa në Itali flitet për një rast të dytë dyshuar në Parma, pas atij që rezultoi pozitiv në Bari, kryeqytetet e Europës janë në gadishmëri kurse në Britani 14 rastet e dyshuara po hetohen.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:58
Virus në Kinë, studimi i ‘Lancet’: Raste të mundshme infektimi te pacientët pa simptoma (asimptomatikë)

Një element i ri shqetësues ka shtuar alarmin për koronavirusin ‘2019-n-CoV’ që po përhapet në Kinë.

Sipas një studimi të botuar në ‘Lancet’, disa pacientë mund të jenë asimptomatikë (d.m.th. nuk tregojnë ethe ose shenja të tjera të sëmundjes), por prapëseprapë janë të infektuar dhe të aftë të infektojnë të tjerët.

Një fëmijë pa simptoma

Studiuesit e Hong Kongut ekzaminuan një familje kineze prej gjashtë vetësh që udhëtuan në Wuhan midis fundit të dhjetorit dhe fillimit të janarit, përpara se të ktheheshin në Shenzhen (provinca Guangdong). 

Pesë prej tyre (midis 36 dhe 66 vjeç) rezultate të infektuar,  me ethe, simptoma të frymëmarrjes dhe diarre dhe kishin infektuar një anëtar tjetër të familjes që nuk kishte qenë në Wuhan, një djalë 10-vjeçar në të njëjtin grup familjar, ndërsa ai nuk shfaqte simptoma, por testi e nxorri pozitiv për koronavirus.

Ora 16:41
Studiues nga Universiteti i Pekinit: Infeksion i transmetuar nga Visoni, lëkura e të cilit përdoret për prodhimin e peliçeve

Studiues nga Universiteti i Pekinit thonë me siguri se origjina e infeksionit, nuk është  nga gjarpërinjtë por nga Visoni, një gjitar mishngrënës, mjaftë i përhapur në Kinë por edhe në Europë, lëkura e të cilit, mjaftë e çmuar, përdoret për prodhimin e peliçeve.

Patogjeni përgjegjës për epideminë i përket një familje të madhe të quajtur koronavirus, e cila përfshin viruse që shkaktojnë sindromën e rëndë të frymëmarrjes akute (Sars) dhe sindromën e frymëmarrjes së Lindjes së Mesme (MERS), si dhe ato që qëndrojnë pas ftohjes së zakonshme.

Ora 15:20
Presidenti kinez Xi Jinping: Koronavirusi ka përshpejtuar përhapjen, 230 pacientë në rrezik për jetën

Përhapja e koronavirusit kinez është duke u përshpejtuar, paralajmëron presidenti Xi Jinping ndërkohë që 230 të prekur nga virusi janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një takim të veçantë qeveritar gjatë festave të Hënës së Re për të paralajmëruar se përhapja e një virusi të ri vdekjeprurës po "shpejtohet".

Vendi po përballet me një "situatë të rëndë", u tha z. Xi zyrtarëve të lartë, - sipas televizionit shtetëror.

Koronavirusi ka vrarë të paktën 41 njerëz dhe ka infektuar gati 1.300 që nga zbulimi i tij në qytetin e Wuhan.

Kufizimet e udhëtimit kanë prekur tashmë disa qytete të prekura.

Dhe nga e diela, automjetet private do të ndalohen të qarkullojnë Wuhan, burimi i epidemisë.

Brenda disa javësh, do të ndërtohet një spital i dytë urgjent për të menaxhuar 1.300 pacientë të rinj, i cili do të përfundojë për 15 ditë. Puna ka filluar tashmë në një spital tjetër me 1000 shtretër i cili do të ndërtohet brenda dhjetë ditëve.

Ekipet e specializuara të mjekësisë ushtarake u transportuan gjithashtu në provincën Hubei, ku ndodhet Wuhan.

Ora 13:55
Virusi kinez, të gjitha vendet në botë ku janë regjistruar raste (FOTO)

Numri i viktimave të koronavirusit në Kinë është rritur në 41. 1300 është numri i të infektuarve. Ndërkohë, ka raste të reja të infeksionit jashtë vendit dhe gjithashtu në Europë: 3 në Francë

Tre të infektuar në Japoni. Tokio konfirmoi rastin e tretë të konfirmuar të pneumonisë nga koronavirusi.

Katër raste janë konfirmuar në Australi: një në Melburn dhe tre në New South Wales. Të katër pacientët kanë qenë kohët e fundit në Kinë dhe tre prej tyre kanë ardhur direkt nga Wuhan.

Tre raste janë regjistruar në Francë. "Të tre pacientët kishin qenë në Kinë dhe tani ndodhen në spital në Bordo dhe Paris,” shpjegoi një shënim nga ministria

Disa njerëz janë gjithashtu nën vëzhgim në Shtetet e Bashkuara, ku aktualisht ekzistojnë dy raste të konfirmuara: një në Seattle dhe një në Chicago.

Alarmi gjithashtu arriti në Azinë e Jugut. Një rast u regjistrua në Nepal: autoritetet shëndetësore konfirmuan që një student që ishte kthyer nga Wuhan, epiqendra e shpërthimit, u testua pozitiv për sëmundjen.

Dy raste janë konfirmuar në Korenë e Jugut

Të paktën një rast është konfirmuar edhe në Singapor, ku disa persona janë nën vëzhgim.

Një rast edhe në Tajvan: një grua në të pesëdhjetat e saj, e cila jeton në Wuhan dhe që kishte mbërritur në Tajvan me kollë, dhimbje të fytit dhe ethe.

Një rast gjithashtu në Hong Kong: personi mbërriti nga Wuhan në Hong Kong me trenat me shpejtësi të lartë.

Dy raste janë konfirmuar në Macau: është një 66-vjeçar që mbërriti nga qyteti i Wuhan dhe një biznesmen 52-vjeçar që mbërriti me tren nga qyteti i Zhuhai. Në rajonin gjysmë-autonom, të gjitha pushimet në lidhje me Vitin e Ri Kinez janë anuluar.

Qeveria e Malajzisë ka konfirmuar tre raste të infektimit

Dy raste janë konfirmuar në Vietnam

Rasti i parë i koronavirusit të ri jashtë Kinës ishte identifikuar nga OBSH në Tajlandë, ku tani ka të paktën dy raste të konfirmuara. Të dy personat e prekur ishin nga Kina.

Ora 13:06
Hong Kongu shpall Emergjencë Kombëtare, virusi 'vjen' me trenat e shpejtësisë së lartë

Hong Kongu ka shpallur epideminë e koronavirusit "një emergjencë kombëtare",  niveli më i lartë i alarmit të qytetit, ndërsa autoritetet kanë rritur masat në përpjekje për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së infeksioneve.

"Sot unë deklaroj se ngre nivelin e reagimit emergjent," - u tha gazetarëve guvernatorja e Hong Kong-ut, Carrie Lam, e cila shtoi se ajo personalisht do të kryesojë një komitet ndër-sektorial për një reagim më të shpejtë ndaj përhapjes së virusit.

Nga pesë personat e prekur nga koronavirusi deri më tani në Hong Kong, katër kishin ardhur nga Kina në trenat e shpejtësisë së lartë.

Kjo ka bërë që autoritetet shëndetësore dhe politikanët të kufizojnë dhe madje bllokojnë ardhjet nga Kina.

Shkollat dhe universitetet, të cilat janë mbyllur aktualisht për Vitin e Ri Lunar, do të rihapen më 17 shkurt.

Ora 11:39
Në Wuhan ku lindi vdekja, rrugë të shkreta në qytetin fantazmë ndërsa një kamion dezinfekton (VIDEO)

Rrugët e shkreta, një kamion që përhap dezinfektues dhe tymi i sprucimit që përhapet: kështu paraqitet Wuhan, qyteti kinez me 11 milion banorë, i vendosur në karantinë.

Prej këtu lindi vdekja shkaktuar nga koronavirusi misterioz.

Autoritetet kanë bllokuar transportin publik, aeroplanët dhe trenat kurse trafiku i makinave që largohen nga qyteti zgjatet e zgjatet…

Qeveria kineze ka thënë se nesër do të ndalojë lëvizjen e automjeteve në zonën e qendrës së qytetit Wuhan, në mënyrë që të 'përmbajë' epideminë e koronavirusit.

 Virusi, i cili u shfaq në Wuhan në fund të vitit të kaluar, vrau 41 njerëz dhe infektoi mbi 1.300 në të gjithë botën.

Ora 11:06
Virusi kinez, Wuhan do të ndërtojë edhe një tjetër spital për 15 ditë

Sipas medias shtetërore kineze ‘People Daily’, në qytetin Wuhan, epiqëndra e koronavirusit që deri tani ka shkaktuar 41 viktima, do të ndërtohet një spital të dytë me 1.300 shtretër brenda 15 ditëve të ardhshme.

Vendimi i autoriteteve vjen si rezultat i rritjes së numrit të të infektuarive,ndërkohë që 230 të prekur nga virusi janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Vetëm një ditë më pare autoritetet në Wuhan thane se kanë nisur punimet për ndërtimin e një spitali me 1000 shtretër brenda 10 ditëve, ndoshta edhe më shpejt.

Imazhet e transmetuara nga televizioni tregojnë dhjetëra buldozerë të angazhuar në përgatitjen e terrenit mbi të cilin do të ndërtohet spitali i ri 25,000 metër katror.

Agjensia e lajmeve Xinhua raporton se hapja e objektit të ri është caktuar për 3 shkurt, ndoshta edhe më herët.

Sipas inxhinierëve të projektit, të cituar nga ‘South China Morning Post’, koha e përfundimit të spitalit mund të shkurtohet në gjashtë ditë.

Ndërtimi i spitalit të parë ka filluar natën e 23-24 janarit. Punëtorët po punojnë 24 orë në ditë për ta bërë atë funksionale në kohën rekord.

Tani për tani në Wuhan trajtimi i virusit të ri u është besuar 61 klinikave dhe spitaleve, por e gjithë kjo nuk është më e mjaftueshme sepse përhapja nga njeriu te njeriu po rrit progresivisht numrin e të infektuarve.Kjo është arsyeja pse dhjetëra buldozerë po punojnë për ndërtimin e dy spitaleve të reja.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alvin: 25/01/2020 19:09

    Falë punës së palodhur të kryeministrit rama

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Befasi në Champions League, Dortmund - PSG në gjysmëfinale! Francezët përmbysën 1-4 Barcelonën, gjermanët 4-2 Atl. Madridin

GOLAT/ Befasi në Champions League, Dortmund - PSG në gjysmëfinale! Francezët përmbysën 1-4 Barcelonën, gjermanët 4-2 Atl. Madridin