Vjosa Osmani nderon me Medalje Presidenciale djalin e Joe Biden që shërbeu në Kosovë: Familja juaj i ka dhënë dritë vendit tonë

Presidentja Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja Vjosa Osmani ka nderuar ditën e sotme me Medalje Presidenciale për Sundim të Ligjit, Beau Biden, djalin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden. Beau Biden ka vdekur në vitin 2015 nga kanceri në tru.

Gjatë ceremonisë së nderimit Vjosa Osmani është shprehur se me ndarjen e kësaj medalje, Kosova njeh kontributin që ka dhënë Beau Biden për Kosovën. Beau Biden ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës në vitin 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, si edhe për forcimin e ligjit.

"Në Kosovë, Beau Biden punoi për ta ngritur një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit. Andaj, jam shumë e nderuar që sot, së bashku me ju, mund t’ia njohim meritat Beau Bidenit dhe ta festojmë zyrtarisht kontributin e tij për vendin tonë", tha Osmani.

Në fjalën e saj, Osmani ka shprehur vlerësimin ndaj djalit të Joe Biden tha se ai ishte si një qiri që u ka dhënë dritë njerëzve në Kosovë në ditët me të errëta. Duke theksuar që të njëjtën mbështetje e ka dhënë e gjithë familja Biden për Kosovën.

“Para se të shikojmë video-mesazhin e  Presidentit amerikan, do të doja t’i thosha disa fjalë për përshtypjen time për të ndjerin Beau Biden, duke e parafrazuar thënien e njohur se 'njerëzit e mirë janë si qirinj, ata digjen për t’u dhënë dritë të tjerëve'.

Njerëzit më të mirë e bëjnë këtë pa e ditur. Unë besoj, matja e vërtetë e një personi të mirë është ndikimi i përjetshëm që lë pas. Kjo nënkupton para së gjithash njerëzit që ju i frymëzoni, zemrat që i prekni dhe jetët që i ndryshoni pa qenë krejtësisht të vetëdijshëm për këtë.

I ndjeri Beau Biden ishte pikërisht i tillë. Ai është qiriu që u ka dhënë dritë kaq shumë njerëzve. Në ditët tona më të errëta, e gjithë familja Biden u ka dhënë gjithashtu dritë njerëzve të Kosovës”, tha Osmani.

Ndër të tjera në ceremoninë e nderimit ka reguar edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, përmes një video-mesazhi, i cili është shprehur se Kosova është në zemrat e gjithë familjes Biden. Ai ka falënderuar Kosovën për medaljen që i është kushtuar djalit të tijtë ndjerë.

“Ne thjesht duam të themi se kjo është e pabesueshme, dhe unë dua ta falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh, është një nder i madh ta vlerësosh trashëgiminë e djalit tonë Beau dhe babait të tij. Punën në Kosovë, Beau e kishte të përzemërt, ai u dashurua me vendin. Ne jemi përgjithmonë mirënjohës për të gjithë njerëzit e Kosovës me të cilët Beau u dashurua”, u shpreh Biden përmes video-mesazhit.

Ai ka shtuar se i biri i tij Beau ka besuar thellë në pavarësinë e Kosovës dhe se si avokat në Departamentin e Drejtësisë të SHBA, i cili doli vullnetar për të ardhur në Kosovë në mënyrë që mbështesë pavarësinë dhe demokracinë e vendit, por mbi të gjitha sundimin e ligjit. Teksa Biden është shprehur se SHBA do vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj për rregullimin e marrëdhënieve me vendet fqinje dhe fuqizimin e ekonomisë.

"Unë kam qenë atje disa herë dhe (kam parë) të gjithë njerëzit që punojnë pa u lodhur, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur, në të cilën Beau besonte për popullin e Kosovës. Ka ende më shumë punë për t’u bërë, nuk kam nevojë t’ju them. Më shumë punë për ta luftuar korrupsionin, për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare. Për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me kombet fqinje, dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik. Unë angazhohem për ju dhe Shtetet e Bashkuara do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës në këtë drejtim", tha Biden.

Kjo është hera e dytë që Kosova nderon djalin e presidentit amerikan. Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si zëvendës-president, ai së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteeel.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:54
Osmani nderon djalin e presidentit Joe Biden, Haradinaj: Jo vetëm një medalje, por mirënjohje e një kombi të tërë

Pas nderimit të Beau Biden, djalit të presidentit amerikan ka reguar edhe ish-presidenti i Kosovës, Ramush Haradinaj. Përmes një postimi në 'Facebook', Haradinaj shkruan se Medalja e Presidencës që mori Beau Biden nuk është thjesht një medalje por një mirënjohje e thellë e të gjithë popullit të Kosovës.

“Jemi të nderuar që një patriot i vërtetë amerikan, Beau Biden, ka shërbyer në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, vlera që Shtetet e Bashkuara dhe Republika e Kosovës i kanë të përbashkëta.  Vendi ynë është përgjithmonë mirënjohës ndaj SHBA-ve dhe lidershipit të Presidentit Biden në favor të prosperitetit dhe paqes në Ballkan.

Pusho në paqe Beau, shërbimi yt në ofrimin e paqes dhe lirisë do të mbetet pishtar ndriçues për Kosovën. Kjo nuk është vetëm një medalje, por mirënjohje e një kombi të tërë”, shkruan Haradinaj.

SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rihapet çështja Gërdeci, a mendoni se do të bëhet drejtësi për këtë tragjedi?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Pas kthimit nga SHBA, kryeministri Rama viziton ditën e hënë Kosovën