Policia e Tiranës vijon kërkimet për kapjen e 39-vjeçarit Sadik Llanaj, i dyshuar si autor i vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi. Nëpërmjet analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, hetuesit kanë arritur të rindërtojnë lëvizjet e tij deri në zonën e Liqenit të Bovillës.

Mbrëmjen e djeshme, forcat speciale RENEA ushtruan kontrolle në rreth 15 objekte në këtë zonë, por pa mundur të gjejnë gjurmë të të kërkuarit. Paralelisht me operacionin në Bovillë, kontrolle janë zhvilluar edhe në zonat malore të Krujës, ndërsa burime bëjnë me dije se aksioni do të vijojë edhe gjatë ditës së sotme.

Gjatë kërkimeve, policia ka gjetur të braktisur automjetin që dyshohet se është përdorur nga autori pranë Liqenit të Bovillës. Nga kontrolli i mjetit nuk janë konstatuar sende të kundërligjshme apo prova që mund të çojnë menjëherë në lokalizimin e 39-vjeçarit.

Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, grupi hetimor ka marrë në pyetje 8 persona. Megjithatë, deri më tani, dëshmitë e tyre nuk kanë sjellë informacion të ri që mund të ndihmojë në identifikimin e vendndodhjes së autorit të dyshuar.

Lajmi në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë