Vrasja e Azem Hajdarit! Flet Fatos Klosi: Çfarë do të dëshmoj në gjyqin e Izet Haxhisë

Vrasja e Azem Hajdarit! Flet Fatos Klosi: Çfarë do të dëshmoj në gjyqin e Izet Haxhisë

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Zoti Klosi, si do ta konsideronit rihapje e procesit të vrasjes së Azem Hajdarit?

– Procesi që do të zhvillohet nuk besoj se do të merret me të gjithë çështjen e vrasjes së Azem Hajdarit, ai do të rishikojë pozicionin e Izetit në këtë vrasje, meqenëse Izeti nuk ishte prezent në procesin e zhvilluar. Sigurisht, rishikimi i pozicionit të Izetit, do ta prekë procesin e vjetër, qoftë dhe në vija të përgjithshme.

– A pritet ndonjë gjë e re në rihapjen e këtij procesi?

– Sigurisht, nga ato që ka deklaruar Izeti gjer më tani, pritet të thotë fakte, që nuk kanë dalë në procesin e parë. Dhe të mos harrojmë që Izeti ka qënë një personazh i rëndësishëm i rrethit të afërt të Berishës në fushën e “sigurisë”, gjë që i ka dhënë mundësi të ketë qënë pranë ngjarjeve të rëndësishme të kësaj natyre.

Ju si ish shef i SHIK-ut do të jeni ndër dëshmitarët e parë që do të pyeteni për këtë vrasje. Mendoni se do të zbardhet më në fund e vërteta për vrasjen?

– Vrasja e Azem Hajdarit është quajtur “Vrasja e shekullit”, prandaj mendoj se do të jetë e vështirë të zbardhet plotësisht. Megjithatë, Izeti duke ditur shumë fakte nga “oborri i Berishës”, besoj se do të kontribuojë në këtë zbardhje, megjithëse nuk besoj se do t’i thotë të tëra, do thotë vetëm ato që i duhen. Ndoshta dhe Berisha, që nuk kontribuoji në procesin e parë, mund të “japë ndonjë ndihmë” në këtë proces.

– Çfarë dini ju si ish-kreu i SHISH për vrasjen e Azem Hajdarit?

– Unë di plot gjëra, por ato janë të shkruara në letër. Ato që ka ditur Shërbimi ka qenë i detyruar t’ia thotë shefave të vet, kryeministrit d.m.th, ndërkohë që më pas informacioni iu është deleguar edhe prokurorëve sepse ligji na e kërkon që ne të bashkëpunojmë edhe me prokurorinë për çdo rast. Kështu që materiali ynë ndodhet në dorën e prokurorisë dhe e përsëris që aty është i shkruar edhe qëndrimi im apo dëshmia ime. Unë nuk kam as çfarë të shtoj dhe as çfarë të heq. Më vjen keq që ky material nuk mund të jetë publik, nuk nxjerr dot pjesë të tij. Unë them që ne e kemi kryer detyrën, por nëse më kërkohet sërish, unë jam gjithmonë i gatshëm të jap kontribut. Ky është kontributi që do jap: merrini letrat, hapini sepse nuk ka asnjë kuptim të mos besohen ato informacione që kemi përcjellë. Raportet janë shkruar në atë kohë me përgjegjësinë më të plotë dhe nuk ka pse të ndryshojë. Unë nuk kam qenë në brendësi të ngjarjes personalisht, por punonjësit e Shërbimit që janë marrë me këtë punë, që kanë bashkëpunuar me policinë, që kanë bashkëpunuar me prokurorinë, të gjitha gjërat që kishin për të thënë janë mbledhur në ato raporte që ne kemi bërë zyrtarisht për shefat tanë.

– Edhe Sali Berisha do të merret në pyetje për atë vrasje dhe ju mund të përballeni me dëshmitarin Berisha në sallën e gjyqit. A ndjeni ndonjë ngërç nga kjo përballje e mundshme?

– Në drejtimin tim, Berisha i ka thënë nëpër media,  të gjitha që mund të thoshte, deri që unë e kam organizuar vrasjen, një herë me urdhër të Fatos Nanos e më vonë me urdhër të Rexhep Meidanit. Të shohim se çfarë do thotë nën betim. Për këtë aspekt unë i quaj të rëndësishme deklarimet e Berishës, pasi para gjykatësve nuk mund të vazhdojë të gënjejë pa hesap.

Nuk besoj të kemi ndonjë ngërç me të në gjyq, ai do jetë një dëshmitar i “klasit të parë”, që shumë fakte i di vetëm ai kurse unë si një ish shef i Shërbimit, që di aq sa ka ditur Shërbimi në atë kohë.

Nuk janë të paktë ata që mendojnë që të mos merremi me të kaluarën, si fjala vjen më këtë gjyq, por të shikojmë nga e ardhmja. Ju si mendoni?

– Institucionet e zbatimit të ligjit duhet të merren domosdoshmërisht me të shkuarën, për disa arsye: për të dhënë drejtësinë në shumë ngjarje të rëndësishme të ndodhura, për të çrrënjosur një herë e mirë konceptin e pandëshkushmërisë dhe për të rifituar besimin e humbur në popull.  Me të ardhmen të merren politikanët, institucionet ekonomike, arsimore dhe kulturore etj.

-Duke qenë se tani Sali Berisha është një njeri pa imunitet, a e bën kjo më të cenueshëm para drejtësisë?

-Dëshmia e tij në gjykatë nuk është problem imuniteti. Imuniteti është diçka kryesore kur bëhet fjalë për të hetuar ose jo për të. Por kur vjen puna për të dëshmuar, nuk ka asnjë lloj imuniteti. Çdo njeri është i detyruar të vijë në gjykatë për të dëshmuar dhe për të thënë atë çka di. Mbase imuniteti ndikon tek proceset hetimore ndaj tij, nuk di ta them me siguri sepse nuk ka asgjë konkrete me drejtësinë. Por si dëshmitar duhet të paraqitet, me apo pa imunitet.

-A ka rol Berisha në eliminimin e Azem Hajdarit?

-Këtë duhet ta tregojë gjykata, por unë them që ka. Sipas meje, mbase nuk është Berisha personalisht i implikuar, por grupi i tij është përfshirë. Mbase Berisha ka qenë organizatori, nuk di ta them me siguri. Por di të them që ka qenë Partia Demokratike ajo që ka pasur rol në vrasjen e ish-deputetit demokrat. Ata që nuk e donin Azem Hajdarin e organizuan atentatin ndaj tij. Sepse është e sigurt që nuk e kanë dashur, lëre çfarë thonë tani mbrapa, por për të dashur nuk e kanë dashur asnjëherë.

– Pse Sali Berisha nuk ka folur asnjëherë qartë për vrasjen e Hajdarit, por vetëm disa herë ka sulmuar shkurtimisht Izet Haxhinë se ka ai gisht në ngjarje? A mendoni se ai po i bën bisht, po i shmanget ngjarjes së rëndë?

– Sigurisht që i shmanget sepse e ndien veten të implikuar dhe nuk do që të implikohet më shumë sepse natyrisht që edhe mund të gabojë me deklaratat publike që bën. Mundet që të thotë ndonjë gjë më shumë dhe pastaj kjo deklaratë t’i kthehet në “boomerang”. Mund të zbulojë detaje që nuk dihen dhe që ngarkojnë atë me përgjegjësi.

– A ishte vrasja e Azem Hajdarit një plan për të fituar politikisht apo fshihen arsye të tjera si hasmëria apo përplasje me grupet kriminale?

-Nuk kishte punë politika në këtë histori. Dua të them politika e mirëfilltë sepse politika brenda Partisë Demokratike sigurisht mund të kishte. Por unë nuk e quaj politikë atë pastaj. Sipas meje ajo është luftë për pushtet brenda PD. Problemet natyrisht kanë qenë probleme hakmarrjeje në thelbin e tyre, por pastaj se kush ndihmoi, kush e bëri më të lehtë vrasjen etj, janë gjëra që gjykata duhet t’i thotë. Izet Haxhia për këtë është akuzuar dhe dënuar, se ka ndihmuar në vrasje. Tani ai le të tregojë që jo nuk kam ndihmuar unë, kanë ndihmuar të tjerë.

-A mund të ishte shmangur eliminimi fizik i Azem Hajdarit apo vrasja e tij ishte diçka që po të mos ndodhte në datën 12 shtator do të ndodhte në një ditë tjetër?

– Këto janë punë njerëzish. Sigurisht që mund të shmangej sepse çdo gjë që bëjnë njerëzit shmangen. Mund të gjendej një gjuhë për të shmangur këtë konflikt që përfundoi deri në vrasje. Unë e di që ka patur tentativa për ta shmangur këtë konflikt, por gjithsesi nuk u arrit sepse ata mbase nuk u morën vesh, ose mbase të tjerë i penguan që të mos arrihej. Këto janë vetëm hamendje sepse janë gjëra shumë personale të atyre që marrin pjesë në këtë ngjarje saqë kurrkush, përveç njerëzve shumë të afërt me ta nuk mund të dinë detaje për të thënë të vërtetën.

-A shikoni ndonjë lidhje midis reformës në drejtësi dhe protestave aktuale të opozitës?

Sigurisht, një pjesë e politikanëve, që i trembet të vërtetave dhe drejtësisë, dhe këtu fus më të rëndësishmit e opozitës, nuk e duan reformën në drejtësi, i tremben asaj dhe përpiqen që ta pengojnë ose të paktën ta vonojnë realizimin e saj, duke krijuar problem të çdo lloji, si kjo situatë që po kalojmë.

– Zoti Klosi, a jeni optimist se reforma në drejtësi do të rikuperojë mangësitë e shkuara?

– Unë shpresoj të ndodhë kjo që thoni ju, akoma nuk jam optimist, sepse akoma nuk e kam parë në punë sistemin e ri të Drejtësisë.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • lexues: 22/03/2019 13:21

    ku e di ky cfare pyetje do ti behen?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet