Ekzekutimi i vëllezërve Haxhia në Durrës, në pranga dy vrasësit me pagesë! Ranë dakord të kryenin atentatin, por njëri prej tyre u tërhoq pasi u infektua me COVID

Edhe 3 vite pas grabitjes së miliona eurove në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, grupi kriminal i dyshuar për këtë ngjarje vazhdon të përfshihet në krime të tjera.

Sipas Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit e Korrupsionit pjesë e këtij grupi por të përfshirë në vrasjen e dyfishtë të 2020-ës të vëllezërve Haxhiaj në Shkozet, janë edhe dy persona të tjerë, që tashmë kanë rënë në pranga me vendim gjykate.

Enver Dida dhe Besmir Xhixha u arrestuan këtë të enjte në operacionin e koduar “Vazhdimi” dhe këto janë pamjet e ofruara nga Policia e Shtetit kur forcat RENEA bastisin shtëpitë e tyre në mëngjes.

Sipas SPAK, dy të arrestuarit janë kontraktuar nga Nuredin Dumani, i shpallur në kërkim nga policia, për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj, të cilët u ekzekutuan në prill të vitit 2020, në kulmin e pandemisë në Shqipëri. Dhe në fakt, ekzekutorët rezultuan të ishin të tjerë, që u arrestuan më herët nga policia: Klevis Alla sot bashkëpunëtor i drejtësisë, si dhe Altin Ndoci.

Por përse vrasja nuk u krye nga personat që u paguan fillimisht?

Planet e grupit i prishi pikërisht pandemia. Enver Dida u infektua dhe për të faktuar se ishte me Covid ai doli edhe në media ku tha se e mori virusin nga gruaja që punonte në fasoneri dhe ankohej se nuk kishte mundësi ekonomike të përballonte kurimin.

Të ndodhur në këto kushte, grupi kriminal i drejtuar nga Nuredin Dumani, kontraktoi të tjerë persona për të ekzekutuar vëllezërit, të cilët arritën të realizojnë skenarin, duke shënuar atentatin e parë pas karantinës që vendi kaloi për shkak të koronavirusit.

Por si lindi ky konflikt mes grupit që dikur grabiti paratë në Rinas?

Nuredin Dumani dhe Talo Çela, të dy në kërkim për vrasjen e dyfishtë, kanë qenë miq, e paratë që morën nga grabitja në Rinas, ia lanë në ruajtje vëllezërve Haxhiaj në Durrës. Sipas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë dy shokët Talo e Dumani dyshuan se Haxhiajt u vodhën një pjesë të lekëve dhe urdhëruan vrasjen.

Por edhe pas vrasjes së dy vëllezërve konflikti mes grupit është agravuar.

Disa muaj më pas, më 16 shtator 2020 Talo Çelës në qytetin e Elbasanit i vritet vëllai Bujar Çela, e sipas prokurorisë i dyshuar për këtë krim është Nuredin Dumani i identifikuar nga një kartmonedhë teksa furnizoi automjetin me karburant 20 minuta para krimit.

Talo e Dumani dikur shokë sot rezultojnë ndër personat më të kërkuar të drejtësisë dhe në një konflikt mes tyre që sipas SPAK e ka origjinën tek ndarja e parave të grabitura në Rinas më 9 prill të vitit 2019.

Kush janë Enver Dida e Besian Xhixha

42-vjeçari Enver Dida, banues në Fushë-Mamurras prej disa vitesh ishte në kërkim pasi ishte arratisur nga burgu i Shën-Kollit ndërsa më herët ka qenë i përfshirë në armëmbajtje pa leje dhe grabititje argjendarie. Ndërkohë 30-vjeçari Besian Xhixha, banues në Larushkë është me profesion berber dhe të dy akuzohen për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje" , kryer në bashkëpunim dhe "Mashtrimi".

 

Në foto Enver Dida e Besian Xhixha
 

1623923297_16239224621623916479HAXHIADIVA.jpg

Dy viktima Viktor, Besmir Haxhia dhe një prej arrestuarve Enver Diva

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:38
Dalin pamjet e arrestimit të Besmir Xhixhës dhe Enver Divës, të përfshirë në atentatin e vëllezërve Haxhia në Durrës

Policia ka reaguar zyrtarisht për arrestimin e Enver Divës dhe Besmir Xhixhës si të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës në prill të vitit të kaluar.

Në kuadër të operacionit 'Vazhdimi' policia ka prangosur Besian Xhixhën, 30 vjeç, banues në Larushk, Krujë dhe Enver Diva, 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras, Kurbin.

Për këta shtetas, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje" , kryer në bashkëpunim dhe "Mashtrimi".

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë krijuar dhe siguruar mjetet për kryerjen e vrasjes së shtetasve B. H. dhe V. H. (vëllezër).

Nën drejtimin e SPAK-ut vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar. 

Materialet do t’i dërgohen Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ora 09:43
COVID e 'pengoi' të kryente vrasjen, Enver Diva person me rrezikshmëri të lartë, i arrestuar për grabitje dhe i arratisur nga burgu! Para atentatit ankohej ne media se u infektua nga gruaja

1623915460_enverdiva.jpg

Detaje të reja mësohen për dy personat e tjerë të arrestuar në lidhje me vrasjen e vëllezërve Haxhia. Report Tv mëson se Enver Diva është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Diva është arrestuar më parë për grabitje argjendarie dhe i arratisur nga burgu i Shën Kollit, ku vuante dënimin me 10 vite burg për grabitje me armë, e më pas i arrestuar nga RENEA në 2013.

Vetëm tre ditë para vrasjes së vëllezërve Haxhia, Diva foli për mediat ku denonconte faktin se ishte infektuar me COVID nga bashkëshortja e cila punonte në një fasoneri. Meqënse i ishte anuluar plani për të kryer atentatit pasi ishte infektuar me COVID, më datë 24 prill, 42-vjeçari denonconte po ashtu se nuk kishte para për të mbajtur familjen dhe 3 fëmijët. 

'Bashkëshortja ime ka qenë në punë në Krujë, na ka infektuar dhe mua, dhe nusen e çunit të xhaxhait, ne jemi copë copë, edhe ilaçet i kemi blerë vetë. Pse duhet të ble unë ilaçe kur ato duhet të jenë falas, gruaja punonte te këpucët në Krujë. Erdhën na bërë tamponët, na ka sjellë vetëm një thes miell bashkia dhe vetëm kaq, e dy kile oriz dhe dy kile makarona'- shprehej Enver Diva.

Ndërsa Besmir Xhixha është me profesion berber.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët