Vuçiç: Serbia para ultimatumit për njohjen e Kosovës (VIDEO)

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha për televizionin proqeveritar ‘Prva’, se deri në fund të vitit Serbia do të marrë një ofertë të cilën nuk do të jetë në gjendje ta pranojë, por nuk do të guxojë ta refuzojë.

“Do të provojnë të na japin garanci për anëtarësim në Bashkimin Europian por me kusht që ta njohim Kosovën dhe do të ofrojnë status të posaçëm për serbët në fusha të caktuara”, tha presidenti serb, duke theksuar se për këtë do të pyes pastaj qytetarët e Serbisë me anë të referendumit.

Ai tha se tre vjet më parë kishte hedhur idenë e tij për këtë çështje por nuk ishte pranuar nga serbët, duke ju referuar idesë së tij për “vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, që nënkuptonte ndarjen e Kosovës.

Në verën e vitit 2018 presidenti serb Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi folën për idetë e "korrigjimit të kufijve" apo "vënies së kufijve", që nga analistët janë interpretuar si synime për shkëmbim territoresh.

Në nëntor të vitit 2018, qeveria e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, I vendosi tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia si kundërveprim ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës.

Idetë për prekje kufijsh nxitën reagime të ndara edhe në skenën ndërkombëtare. Disa nga vendet e mëdha të BE-së kundërshtuan idetë e tilla që sipas tyre mund të nxisin reagime zinxhirore në rajonin e Ballkanit, që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara thonë se të dyja palët duhet të arrijnë një marrëveshje normalizimi e cila “në thelb duhet të ketë njohjen e ndërsjellë”.

Thirrjet për heqjen e tarifave janë shtuar pas formimit të qeverisë së re të kryeministrit Albin Kurti, i cili është zotuar të bëj një gjë të tillë, por duke i zëvendësuar tarifat me masat e reciprocitetit të plotë me Serbinë.

Krahas thirrjeve për heqjen e tarifave nga Prishtina, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Beogradit të ndalojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Scholz: Lufta në Ukrainë mund të zgjasë disa vite

Scholz: Lufta në Ukrainë mund të zgjasë disa vite