Vula që vulosi fundin e PD-së!

Vula që vulosi fundin e PD-së!

Selia e PD-së në 8 janar 2022

Le ta besojmë atë që pretendon dhe thotë ish-kryeministri Sali Berisha, para dhe pas shpalljes së tij ‘non grata’ nga Perëndimi.

Pra, le të besojmë se në Shqipëri nuk ka drejtësi!

Nuk ka drejtësi për shkak të Reformës për Drejtësi! Të besojmë për një moment se gjatë dhe pas reformës, i tërë sistemi është përvetësuar, manipuluar dhe qëndron në duart e një njeriu të vetëm, i cili është ai që tani vendos për gjithçka.

Kur çështja shkon në gjykatë, si politikan që është, do të thotë se ai vendos veçanërisht kur ajo është politike. Posaçërisht është ai që vendos edhe për vulën e partisë më të madhe të opozitës me të cilën do të garojë në zgjedhjet e ardhshme.

Kryeministri Edi Rama vendosi sot, sipas kësaj logjike, përmes të njëjtit sistem të drejtësisë që mban të izoluar udhëheqësin historik të Partisë Demokratike se partia më e madhe e opozitës duhet t’i përkasë pikërisht atij që mbahet ende në izolim: ish-kryeministrit Sali Berisha.

Por cilën “drejtësi të Ramës” duhet të besojnë qytetarët sot: atë që vendosi për vulën apo atë që vendosi për izolimin e Berishës dhe ndëshkimin e shumë politikanëve të zhytur në afera korruptive?!

Historia e fundit zgjati shumë. Më shumë se 30 muaj, që kur Berisha u shpall non grata dhe për këtë arsye u përjashtua nga kryetari i Partisë Demokratike, ende e pandarë, në atë kohë. Vendimi përfundimtar i vulës së PD-së duhet thënë se vjen pas flirtimit disamujor mes PS-së dhe grupimit të rithemelimit, që çështë e vërteta në sytë e publikut palët po bashkëpunojnë në interesin e tyre të përbashkëta në shumë fusha, ndoshta përveç asaj që ka të bëjë me të ardhmen politike të Opozitës.

Pas vendimit, pyetja që shtrohet është: Po me opozitën çfarë do të bëhet?

Vendimin e sotëm të Apelit, juridikisht, i drejtë ose jo, palët janë të detyruara ta pranojnë. Politikisht, vendimi e vulosi dhe përfundimisht e varrosi PD-në. Me siguri, Berisha pas këtij vendimi “de jure” do të tërhiqet nga drejtimi i PD-së. “De facto” partinë do tja lërë një kryetari të ri, i cili do të jetë nën drejtimin ose nën radarin e vajzës së tij.

Kjo forcë politike nën drejtimin e Berishës është ngritur dhe ka funksionuar për 33 vite si pronë private, është trajtuar ashtu dhe sot drejtësia e njohu ligjërisht si të tillë. E tillë do të mbetet derisa të zhduket si një parti që dikur kishte synime të qarta dhe të larta kombëtare për t’u rikthyer në pushtet.

Shumë parti të majta e të djathta, demokratike, me vizion dhe frymë perëndimore, pasi e kanë zhgënjyer elektoratin një apo dy herë, ndonëse kanë ndërruar kryetarë dhe struktura (edhe pse janë rinovuar e reformuar disa herë) janë zhdukur dhe po zhduken nga qarkullimi, sepse kudo, në çdo vend të Europës po dalin dhe po ngrihen forca të reja politike.

Opozitës në Shqipëri, për tu ringritur dhe për tu rikthyer në pushtet i duhet të jetë thjesht një opozitë e vërtetë, demokratike, perëndimore, me çfarëdolloj emri, logoje apo vule. Mjafton që atë ta dojë dhe ta besojë publiku./ Tema

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që në Shqipëri të ndalohet përdorimi i euros për pagesa?



×

Lajmi i fundit

Nga vrasja e vëllezërve Çaça tek Sadikaj dhe Edmond Papa! Kush është Adriatik Kalemi, atentatet ndaj tij dhe familjes

Nga vrasja e vëllezërve Çaça tek Sadikaj dhe Edmond Papa! Kush është Adriatik Kalemi, atentatet ndaj tij dhe familjes