Ylli Merja prezanton 'frutin magjik' insulinë natyrale e diabetikëve/ Shenjat e hershme të diabetit dhe regjimi ushqimor

Vetëm pak ditë na ndajnë nga Dita Botërore e Diabetit, 'pandemisë' më të re globale. Sëmundja e diabetit po përhapet me ritme të shpejta në të gjithë botën, kjo për faktin e një stili jetese jo të shëndetshëm, por dhe faktorëve të jashtëm. Çdo vit në vendin tonë identifikohen rreth 4000 raste të reja dhe më problematik është fakti se po preken edhe të rinjtë. Diabeti është sëmundje që nuk i shfaq simptomat që në fillim, ndaj në rubrikën "Bima dhe Shëndeti" ndalemi pikërisht në simptomat e fshehura dhe të hershme të diabetit, të cilat nuk duhet neglizhuar. Në shumë raste, diabeti i tipit 2 dhe komplikacionet e tij mund të vonohen ose parandalohen duke adoptuar dhe mbajtur zakone e stil jete të shëndetshëm. Nëse diabeti nuk fillon të kurohet mund të çojë në komplikacione serioze dhe potencialisht kërcënuese për jetën. Në studion e "Rreze Dielli" në Report Tv, specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, tregon se natyra jonë na ka falur një thesar me bimë të ndryshme medicinale, të cilat nëse dimë t'i kombinojmë, arrijnë të mbajnë në kontroll sheqerin në gjak duke lehtësuar kështu jetën e çdo individi me diabet.

"Diabeti është një sëmundje afatgjatë dhe e vazhdueshme që shfaqet për shkak të paaftësisë së trupit për të përpunuar dhe rregulluar glukozën" thekson Ylli Merja në fillim të bisedës, duke vijuar me shkaktarët e diabetit. Përveç faktorit gjenetik, obeziteti ndikon, duke qenë se çrregullimet metabolike mund të pengojnë komunikimet e indeve dhe sinjalizimet e insulinës, gjithashtu teprica e të ushqyerit me sheqerna natyrale ose shtesat artificiale. Shkaktarë të tjerë janë fibrozat cistike, traumat në pankreas, pankreatiti akut ose kronik, rezistenca e trupit ndaj insulinës apo disa hormone mund të kundërshtojnë veprimin e insulinës Cortisol.  

Llojet e diabetit ndahen në diabetin e tipit 1, i cili prek fëmijët; diabeti i tipit 2  Melitus, prek të rriturit; diabeti insipid diabeti qendror nefrogjenik dhe diabeti gestacional, i cili prek gratë gjatë shtatëzanisë.

Por cilat janë simptomat më të hershme të Diabetit, pasi sa më herët të diagnostifikojmë këtë sëmundje, aq më në kontroll do të arrijmë që ta mbajmë.

- Urinim i shpeshtë dhe urinë e pakoncentruar e zbehtë

- Tharje goje, etje intensive dhe e përsëritur

- Rritje e oreksit the rënie në peshë

- Lodhje, këputje trupore, dobësi fizike e tepruar

- Infeksione të shpeshta në lëkurë, kruarje në organet gjenitale, mishrat e dhëmbëve

- Plagë të lehta që mbyllen me vështirësi

- Mpirje trupi, dobësi, ndjesi shpimi të gjymtyrëve

- Dobësi shikimi

“Organet më të dëmtura nga diabeti janë aparati kardivaskular, pasi glukoza trash gjakun, ngurtëson muret vaskulare dhe formon pllaka arterosklerotike, mund të formohen trompoza ose infarkte të miokardit. Organ tjetër janë veshkat, filtri i veshkave bllokohet dhe përkeqësohet për shkak të gjakut të trashë. Veshka nuk përmbush funksionin e saj, por dhe nuk ushqen normalisht veten e saj me gjak. Ndërlikim tjetër i vazhdueshëm është shikimi deri në verbim si pasojë e pengesës së qarkullimit të gjakut dhe oksigjenimit të pakët të retinës” thekson Merja duke vijuar me komplikime të tjera si: dhimbje këmbësh. mpirje muskujsh, ndjesi shpimi, lodhje, diare ose kostipacion, probleme me ereksionin, impotencë, probleme me reflekset, vështirësi në ecje, edema në këmbë dhe plagë diabetike.

Sipas specialistit të bimëve mjekësore Ylli Merja, për personat diabetikë regjimi ushqimor është hapi i parë drej mbajtjes në kontroll të kësaj sëmundje, përpos dhe medikamenteve shoqëruese. Ushqimet më të rekomanduara për diabetikët janë: tërshëra, thekra, vaji i ullirit dhe ullinjtë e hidhur, perimet antidiabet si bamje, brokoli, presh, selino, asparag, patëllxhanë, lakra, speca, rrepa, argjinare, jeshillëqet si lakrat e egra, çikorja, rradhiqja, lëpjeta, etj.

Ndërsa sa i takon bimëve mjekësore Ylli Merja rekomandon përdorimin e ginsengut, pasi rrit prodhimin e insulinës dhe zvogëlon dëmtimin e qelizave Beta në pankreas. Këtë bimë rigjeneruse mund ta merrni një lugë kafeje në ditë duke e hedhur në gjellë apo në kos. Gjethet e ullirit duke i bërë si çaj janë të mrekullueshme për diabetin, gjithashtu kanella e cejlonit, ul ndjeshëm gliceminë. Bima apo fruti numër një për të luftuar diabetin është Biter meloni, i cili ka përbërës glikozidë të ngjashëm me insulinën, ndaj është ilaçi natyral më i mirë për diabetikët. Shafrani i Indisë, piperi i zi, piperi miks, xhinxheri, mersina, fara e zezë, aronia, hithra, murrizi lule, boronica, fruta pylli janë të mrekullueshme gjithashtu.

“Shumë e rëndësishme për një diabetik është që herë pas here të bëjë një detoksifikim të trupit, një pastrim të gjakut duke përdorur çajra me hithra, argjinare, çikore dhe qumështore, të cilat të kombinuara së bashku në një caj të pihen për 1 muaj rrjesht. Në këtë mënyrë do të lehtësojmë shumë jetën e një diabetiku duke eleminuar kështu mpirjet e këmbëve, pasi gjaku do të qarkullojë lirshëm sidomos në ekstremitet e këmbëve” thekson Merja.  

Në fund të bisedës Ylli Merja dha një këshillë sesi duhet të jetë dita e regjimit ushqimor të një personi që vuan nga diabeti duke filluar nga mëngjesi, dreka dhe darka. Në mëngjes 2-3 lugë tërshërë në një pjatë kos ku shtojmë një lugë thekër, pak piper miks ose pak shafran indie. Sipas dëshirës mund të shtojmë pak boronicë ose aronia apo farë të zezë nëse është mundësia. Në drekë buka duhet të minimizohet, 4-5 herë në javë duhet të konsumojmë presh ose bamje, janë ushqime që nuk rrisin insulinën në gjak dhe ndihmojnë gjithashtu në largimin e dhimbjeve të këmbëve. Dreka mund të shoqërohet me një sallatë me pak brokoli, karrotë ku shtojmë dhe fare pak biter melon. Nga brumrat duket të qëndrojmë larg, por personat me diabet mund të bëjnë byrekë të hollë me lakër, hithra, lëpjetë, pra shumë jeshillëqe. Ndërsa sa i takon darkës ajo duhet të jetë sa më e lehtë, rekomandon Merja.    

 

SHËNIM i REDAKSISË: Çdo i sëmurë ka veçoritë e tij, ndaj për raste të sëmundjeve të rënda, duhet gjithnjë këshillimi me mjekët. Ky artikull nuk mund të përdoret për të sugjeruar një kurim për çdo person.

 

MC/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tjetër hap fals, Barcelona barazon 2-2 në Vigo! Celta i shënon dy gola në fund

Tjetër hap fals, Barcelona barazon 2-2 në Vigo! Celta i shënon dy gola në fund