Ylli Pata: Ikja e çuditshme e deputetëve të PD-së!

Ylli Pata: Ikja e çuditshme e deputetëve të PD-së!

Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku

Ka prej dy ditësh që disa deputetë të grupit parlamentar të PD-së, të cilët kanë qëndruar në parti, e nuk u bashkuan me foltoren, po shpallin ikjen e tyre. Saimir Koreshi, Jorida Tabaku, por edhe Dashnor Sula e disa të tjerë, kanë deklaruar se po largohen ngaqë nuk janë dakord në linjën që ka miratuar kryesia e PD-së, për të zgjedhur kryetarin e ri më 29 korrik.

Përveç kësaj pike, ata shprehin shqetësimin se në parti do të kthehet Lulzim Basha, e këtë ata nuk e pranojnë. Po sikur kryesia të kishte një qëndrim tjetër nga ai që mori, pra të shtynte për një kohë të pacaktuar zgjedhjen e kryetarit, ata që e propozuan këtë linjë, a duhet të largoheshin nga partia siç bëjnë këta deputetë sot? 

Ka mundësi, por në regjistër është vendimi i para 14 majit, kur shumica e kryetarëve të degëve nuk e përkrahu vendimin për të mos kandiduar në 61 bashkitë e vendit. Megjithatë, ata mbajtën peshën e fushatës dhe arritën atë rezultat që u arrit në këshillat bashkiake, plus mbështetjen që u është dhënë direkt apo edhe indirekt disa prej kandidatëve të foltores. 

Në disa raste si në Durrës apo Elbasan, degët e PD-së mbështetën publikisht Igli Carën dhe Luçiano Boçin. Ndërkaq, numri dy i partisë Gazmend Bardhi mbështeti hapur Zef Hilën në Vaun e Dejës, në një bashki ku zyrtarisht Partia Demokratike kishte kandidaten e saj.

Nëse këta deputetë nuk e përkrahin vijën e miratuar nga kryesia, ata kanë të gjitha mundësitë, që të lobojnë në bazë, që ky vendim të rrëzohet nga një forum më i lartë që është Këshilli Kombëtar, ose edhe të kërkojnë referendum. 

Insistimi: o miratohet vija jonë politike, ose ikim, nuk është asgjë tjetër por shprehja e një vendimi që është marrë prej kohësh. Kjo ngaqë siç është edhe parë këto kohë, marrëdhëniet e disa deputetëve me degët, përkatësisht krerët e degëve në qarqet ku ata janë zgjedhur, janë të këqia, e ka mundësi që të mos jenë të propozuar për listën e 2025-s. 

Kjo u pa që në problemin që këta deputetë patën në zgjedhjet lokale, ku nuk përkrahën vendosjen e kandidatëve për kryetarë bashkie. E kjo strategji ka pasur siç duket edhe një synim të caktuar, pasi një kandidat i PD-së, edhe nëse nuk do të fitonte, duke u testuar me vota direkte ai do të krijonte një marrëdhënie direkte me elektoratin, çka do t’i jepte fuqi politike në zgjedhjet parlamentare, por edhe brenda partisë.

Enkelejd Alibeaj, u fuqizua politikisht pasi kandidoi për kryetar të bashkisë Fier në vitin 2015. Prej asaj kohe, edhe pse ai erdhi në selinë qendrore, fuqia e tij politike si në marrëdhëniet me PD-në në Fier, por edhe në parti është rritur në mënyrë eksponenciale.

Lufta e nëndheshme ndërmjet deputetëve dhe bazës ka krijuar këtë relacion, që i ka bërë një pjesë të tyre të padëshirueshëm nga krerët e degëve. Të cilët sipas gjasave po kthehen në organin më të fuqishëm politik të PD-së, pasi mbajtën peshën kryesore në rezistencën ndaj Berishës dhe në zgjedhjet e 14 majit.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • e drejta: 10/06/2023 12:45

    PER MUA NUK ESHTE FARE E CUDITSHME...ATO QE IKEN E NXORREN KOKEN QE JANE BERISHJANE. NUK KA SHPJEGIM TJETER

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet