Ylli Pata: Kloni i Berishës në Shkodër, dëshmia e 'fabrikës së talenteve' se si funksiononte karriera për 30 vjet në PD

Ylli Pata: Kloni i Berishës në Shkodër, dëshmia e 'fabrikës së talenteve' se si funksiononte karriera për 30 vjet në PD

Ish-kryeministri Sali Berisha

Në mungesën e ngjitjes së tij tek strukturat politike të PD-së së Shkodrës, Sali Berisha, dhe enturazhi i  tij prodhuan një “zhvillim” për të zbutur mungesën e arritjes së objektivit, e natyrisht për të ngacmuar në publik me një “lajm” tjetër.

E u hodh, më pas u shpërnda, fjalimi i  “talentit të ri” që “mahniti” të gjithë, i  cili 24 orë më pas edhe u intervistua, e u kthye në personazh në disa media lokale dhe ato që përkrahin Berishën e Metën.

Djali, i  cili ishte student i  gazetarisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, përveç pathosit për të sulmuar Lulzim Bashën e për të mbrojtur doktorin, dha një variant komik të klonimit të mënyrës, diskurit, por natyrisht edhe gjesteve të doktorit.

E këtë paraqitje, një pedagoge e tij, theksonte se ajo ishte në fakt një prej mentoreve që ka nxitur këtë mënyrë “retorike politike brilante”.

“Në një prej orëve të mësimit kemi diskutuar pikërisht ligjërimin e liderave politike. Momenti jo vetëm për ta anatemuar, por edhe përgezuar tempullin e ‘përfolur’ të dijes dhe studentet e tij”, shkruante pedagogia e djalit, krenare se ishte ajo mbruajtsja e klonimit të “Berishës së vogël” në shekullin e 21.

E ky aspekt nuk është aspak një rast i  izoluar, por një fenomen i  ngulitur që prej 30 vitesh në universitetet tona, ku pedagogë që kanë pasur në kokë e stomak dinosaurët e politikës shqiptare, i kanë ngulitur në kokën e studentëve, duke prodhuar kështu kopje në seri të bamirësve të tyre.

E kjo ka ardhur natyrisht, se në universitetet tona emërimet e drejtuesve e pedagogëve janë kryer vetëm për merita politike. Vetëm po të rendisësh në universitetet tona: në Tiranë e rrethe, madje edhe privatë, doktoratura e teza diplomash ku flitet për “ligjërimin brilant” të Berishës, do të ishte mbushur një magazinë e madhe.

“Berisha i  vogël” i  Shkodrës nuk është gjë tjetër, por viktimë e një sistemi piramidal universitar të politizuar, por edhe të polarizuar, të mbushur me idhujtarë e xhagajdurë, që përveçse kanë shkatërruar sistemin arsimor universitar në vend, kanë prodhuar dhe klone të tilla.

Klonime dinosaurish politikë, klonime marifetçinjsh dhe natyrisht klonimet e panelistëve të darkës.

Katedrat e gazetarisë prodhojnë gjithnjë e më pak reportërë e më shumë “ikona ekranesh” që “rastësisht” kanë edhe pasion politikën dhe shkencat politike si kopja e doktorit.

Klonimi i  berishëve dhe Berishës në të folurën publike gjithsesi nuk lindi sot dhe nuk është prodhuar vetëm nga pedagogët militantë.

Atë e kultivuan edhe drejtuesit e PD-së ndër vite, që edhe pse përfaqësonin një profil të vetin, nuk kanë pasur guxim të krijonin një hapësirë për vete dhe për të rinjtë ndryshe. Dhe kur e kanë bërë janë ndëshkuar egër.

Meqë jemi te Shkodra, Jozefina Topalli, e cila ka qenë për shumë vite drejtuese politike në Shkodër, por jo omnipotente, ka tentuar të nxjerrë “talente të reja”, por që i  janë përplasur fytyrës nga Sali Berisha.

Në vitin 2005, Topalli solli në Parlamentin shqiptar dy i ntelektualë të rinj: Arenca Trashanin dhe Gilman Bakallin. E para u bë ministre Integrimi, ku pati rezultate shumë të mira në negociatat që Shqipëria zhvilloi me BE-në në dy vitet që shoqëruan firmosjen e MSA-në dhe i  dyti u ngjiz në publik si një intelektual modern me zërin e tij, që krijoi premisat e një ndryshimi gjenerate në PD-në e Shkodrës.

Trashani dhe Bakalli vinin si dy përfaqësues të ajkës qytetare dhe me bagazh të rëndësishëm akademik, por ata kishin një “mangësi të madhe”; nuk i  referoheshin kurrë Sali Berishës e berishizmit, si dhe ishin produkte krejt bio të ambjentit politik. I degdisën menjëherë si nga Parlamenti ashtu edhe nga politika.

Më pas erdhën rastet e Nevila Sokolit dhe Romeo Gurakuqit, dy nga pedagogët më të njohur të katedrës Histori-Gjeografi të “Luigj Gurakuqit”. Të emëruar atje, jo nga partia, pra pas 1992, por më përpara kur pedagog mbeteshe vetëm nëse ishe student ekselent në rezultate, ata ishin megjithatë afër së djathtës e PD-së në shumicën e kohës.

Kur ju dha mundësia të jepnin modelin politik e dhanë duke ngjitur natyrshëm në ambjentin politik që votonte e mbështeste PD-në. Sokoli nuk u kandidua asnjëherë për deputete edhe pse arriti deri nënkryetare e bashkisë së Tiranës, ndërsa Gurakuqi nuk u lejua nga Bujar Nishani(i dërguar i  Berishës në komisionin filtrues) që të kandidonte më 25 prill edhe pse kishte qenë për 4 vjet kreu politik i  Shkodrës.

Këto janë fakte kokëforte sesi është shkatërruar që në gjenezë, mundësia e ripërteritjes së gjeneratës politike në Shkodër, pasi të vetmit që e kanë këtë fat janë ose militantët e verbër, njerëzit e klanit të afërt, ose klone të doktorit, edhe në ditët e perëndimit të tij politik.

Kur edhe Partia Demokratike ka zhvilluar “Kongresin e 20” të t’u distancuar nga Stalini i  saj…/TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Scutari: 18/01/2022 21:54

    Studenti meriton notën 10 në imitim!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Miratohet bonusi i qirasë për familjet e Kombinatit, Veliaj: Brenda verës hedhim shortin për shtëpitë e reja! I kemi fituar të gjitha gjyqet

Miratohet bonusi i qirasë për familjet e Kombinatit, Veliaj: Brenda verës hedhim shortin për shtëpitë e reja! I kemi fituar të gjitha gjyqet