Ylli Pata: PS, nga Nano të Rama, si u kthye në 'përbindësh' elektoral

Ylli Pata: PS, nga Nano të Rama, si u kthye në 'përbindësh' elektoral

Fatos Nano dhe Edi Rama

Çdo 12 qershor, ndërkohë që burokratët socialistë tentojnë të trokasin gotat me “të madhin”, në rrjete sociale shpërthejnë statuse të shumta të themeluesve dhe militantëve të vjetër që gjenden nëpër botë. Ballafaqimi historik është një zhvillim kurioz që nxjerr në dritë mjaft hije të së shkuarës. Që politika i merr para pa mëshirë.

Partia Socialiste sot, të vetmin veteran që e ka në skuadër, të vulës 1991, ka Petro Koçin. Ish-kryetarin e Partisë Socialiste të Fierit, i cili në vitin 1997 u qeth me dhunë nga policia e Sali Berishës, e prej asaj kohe, Petros nuk ju kthyen më flokët. Përtej ironisë, Petro Koçi është një dëshmi e gjallë e një aksioni politik kundërshtues me lidershipin e Edi Ramës në vitin 2005, por që u kthye pikërisht kur aleati i tij Ilir Meta, lidhi marrëveshjen politike me “antikrishtin” e socialistëve, Sali Berisha.

Partia Socialiste lindi në një kohë krejt të pafavorshme për të, kur shumica e shqiptarëve kishin simpati politike për Sali Berishën, Gramoz Pashkon, Neritan Cekën, Aleksandër Meksin, Pjetër Arbnorin, e shumë emra të tjerë intelektualësh që dolën në publik si udhëheqës të partisë së parë opozitare në Shqipëri.

PS u krijua në një sallë ku mbizotëronin fosilet e diktaturës. Ku Ramiz Alia, me një intuitë fantastike qëndroi në llozhë dhe la në presidium Byronë e vjetër Politike të PPSH-së, të cilën e quante mes miqsh si kundërshtare të tij.

Në sallën e Pallatit të Kongreseve, Gramoz Ruçi, i cili ishte një nga anëtarët e komisionit organizator për Kongresin e 10 të PPSH-së, drejtoi një gjyq politik real ndaj udhëheqësve komunistë.

Ka një procesverbal të shkruar për atë seancë të kongresit, e cila ka dalë në media gjithë këto vite. E bashkë me polemikën që nuk ka qenë e thellë, ka qenë e stisur, debati vijon e do të vijojë akoma. Por ai proces që drejtoi Gramoz Ruçi, e më pas fjalimi i Dritëro Agollit dhe i Moikom Zeqos, do të lindte një forcë politike që sot është kthyer në një tabu politike.

Në fakt, realiteti historik nisi më 12 qershor 1991. Kur Fatos Nano ndërmorri një aventurë politike që koha e tregon më qartë.

Nano, në lëvizjet e para të tij jashtë vendit takoi socialistët italianë dhe laburistët izraelitë. Madje vizita e Fatos Nanos në Tel Aviv vulosi qartë se kush do të jetë Partia Socialiste në të ardhmen. Laburistët izraelitë, të cilët si themelues të shtetit hebre nuk e harronin kontributin shqiptar ndaj hebrejve në Luftëën e Dytë Botërore, ishin edhe më bujarët ndaj PSSH-së së Fatos Nanos.

Të cilën nuk e qaste atëherë kush në Perëndim. Miqtë e Nanos ishin Bettino Craxi dhe Andreas Papandreu, ndërkohë që amerikanët ishin fansa të PD-së së Sali Berishës.

Më 22 mars 1992, Partia Socialiste pësoi një humbje të madhe, ku arriti të marrë vetëm 38 deputetë, shumica nga proporcionali. Por grupi parlamentar i parë i Partisë Socialiste ishte edhe pasaporta politike e saj. Dritëro Agolli, Moikom Zeqo, Fatos Nano, Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Gramoz Ruçi, Fehmi Abdiu, Shkëlqim Cani, Maqo Lakrori, Ermelinda Meksi, Arta Dade, ishin emra të deputetëve por edhe kupolës politike të opozitës së parë postkomuniste në vend. Opozitë, e cila katër muaj pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, fitoi shumicën e njësive vendore në zgjedhjet lokale, përjashtuar qyteteve të mëdha.

PS e Fatos Nanos, nuk fitoi Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Vlorën, Korçën, por kositi të gjithë bashkitë e tjera në vend.

Sali Berisha pa realisht një fenomen politik të cilin ai në mendjen e tij e mendonte të vdekur. Dhe si pasojë, zgjodhi një rrugë absurde. Të arrestonte liderin e opozitës. Shqipëria u bë vendi i vetëm ish-komunist që arrestonte kreun e opozitës, e cila ndryshe nga shumë vende të lindjes nuk ishte komuniste por socialdemokrate.

Aty Sali Berisha i dha PS-së një kartë që më pas hyri në histori. U kthye në partinë politike, e cila si atëherë edhe sot ka mbi 700 mijë vota.

Një përbindësh elektoral që në vitin 2005, u rrëzua nga pushteti falë një operacioni politik brilant të udhëhequr nga Ilir Meta, i cili mori rreth vetes jo vetëm një elitë intelektuale socialiste, por edhe votat e duhura për ta rrëzuar Fatos Nanon nga froni.

Një fron që ishte kthyer në atë kohë në problem, sepse qeverisja e PS-së realisht nuk solli një reformë të madhe politike të vendit, por thjesht qeveriste. Me polemika e akuza për korrupsion dhe abuzim. Ikja e Fatos Nanos në vitin 2005 ishte një zhvillim politik unik në Shqipëri. Nano, mbetet edhe sot i vetmi lider që është larguar pasi humbi pushtetin. Dhe ky është një rekord që se ka arritur askush.

Në krye të PS-së erdhi Edi Rama, me një proces politik të ethshëm e polemik, me akuza dhe përplasje. Madje Nano bëri thirrje që të mos i linin partinë një personi si Edi Rama.

Megjithatë ja ku jemi. Edi Rama e mori PS-në në vjeshtën e vitit 2005, dhe në zgjedhjet e para 2 vjet më pas fitoi të gjitha qytetet e mëdha të vendit duke nisur nga Tirana. Sot PS është në qeveri që nga viti 2013. Edi Rama ja ka kaluar edhe Tony Blair-it në historinë politike të socialdemokratëve europianë, e po prek rekordin e social demokratëve suedezë të Olaf Palmes.

Rekordi politik i Edi Ramës, nuk ka nisur as si Fatos Nano, e as si Gramoz Ruçi, edhe pse të dy sot janë aleatë të tij. Edi Rama është një lider politik qartësisht anti-komunist, madje aq shumë sa në shkrimet e para ai kërkonte nxjerrjen jashtë ligji dhe shkrirjen e PPSH-së.

Megjithatë, Rama, ishte nga të parët që mori simpatinë e socialistëve ku u kthye në kritizerin më të fortë të Sali Berishës, e këtu mori edhe flamurin si pasojë e dhunës barbare ndaj tij. Duke u kthyer në anti-berishën real të politikës shqiptare. Ndaj hyrjen e tij në politikë e ka vulosur me britmën e tij: o doktoooor nga sheshi Skënderbej në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2000, ku garoi për kryebashkiak të Tiranës.

E realisht, Edi Rama, mori dhe e fitoi rolin e anti-doktorit. Njeriut që sfidoi dhe mundi “antikrishtin” e socialistëve shqiptarë. Me polemika, akuza, inate, por edhe plagë në kokën e tij si pasojë e atij krimi që Sali Berisha ende e quan “krim pasioni”.

Sepse edhe Berisha e di që është alteregoja politike e Edi Ramës, por që nuk e ka kuptuar se i ka ikur koha. E pikërisht kjo kohë mban 700 mijë e ca votuesit e PS-së në alert për të mos ardhur “antikrishti”. I cili dy ditë më parë mori edhe vulën…/TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që në Shqipëri të ndalohet përdorimi i euros për pagesa?



×

Lajmi i fundit

Bill dhe Hillary Clinton shprehin mbështetjen për Kamala Harris

Bill dhe Hillary Clinton shprehin mbështetjen për Kamala Harris