Ylli Pata: Rihapja e dosjes 'Gërdeci' përballë rezistencës me klishetë e drejtësisë së vjetër

Ylli Pata: Rihapja e dosjes 'Gërdeci' përballë rezistencës me klishetë e drejtësisë së vjetër

Fatmir Mediu dhe Sali Berisha

Familja e Edison Durdës, 7 vjeçarit që u vra në katastrofën e Gërdecit 13 vjet më parë, e kishte paralajmëruar se do të kërkonte nga SPAK të rihapte hetimin për ngjarjen e rëndë, ku u vranë 26 persona, u plagosën mbi 300 dhe u shkatërruan shtëpi e katandi të fshatrave të tërë.

Gerardo Durda, vëllai i Edisonit, ka qenë 14 vjeç kur ndodhi tragjedia, e sot ai është i rritur dhe i diplomuar për drejtësi.

Së bashku me të ëmën Zamirën, ata të vetëm kanë vijuar pa asnjë përkrahje një betejë model për drejtësi e dinjitet për 13 vite.

Sapo SPAK, me një njoftim zyrtar bëri të ditur se do të hapte hetimin për Gërdecin, nisën deklaratat e thirrjet që e gjitha kjo është në vrimë në ujë, ngaqë çështja është hetuar dhe gjykuar një herë, ndërkohë që hedhin edhe logjikën e parashkrimit, pra kalimit të afatit 10 vjeçar.

E gjitha kjo është së paku një optikë krejt e vjetër e drejtësisë shqiptare, e ata që e diskutojnë në këtë logjikë nuk kanë kuptuar fare nga reforma në drejtësi.

Ngritja e SPAK si strukturë që heton çështje specifike të çështjeve penale, por edhe ndryshimet e kryera në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal.

Në reformën në drejtësi, viktima ka një rol primar në procesin penal, gjë që nuk e ka pasur.

Familjarët e viktimave të Gërdecit nuk kanë pasur asnjë të drejtë në gjyqësorin e shkuar, ndërsa tani e kanë e automatikisht çdo nisje hetimesh nga e para do të llogarisë viktimën si palë, njësoj siç janë suvjektet nën hetim, njëlloj siç është Prokuroria, njëlloj siç është trupa gjykuese.

E në këtë aspekt, duke qenë palë, familjarët kanë të drejtë të ofrojnë fakte, prova, të kërkojnë shpjegime e të pyesin dëshmitarë, natyrisht nëpërmjet përfaqësuesit ligjor.

Ndërkaq, krimet që heton SPAK janë krejt të ndryshme nga ato që Prokuroria e dikurshme ka ndjekur.

SPAK gjykon korrupsionin e niveleve të larta të pushtetit. E kjo vepër penale as nuk është prekur në të paktën një milimetër në procesin e parë.

Pra kemi të bëjmë totalisht me një hetim dhe çështje të re dhe jo një rishqyrtim të dosjes së vjetër, e cila edhe ashtu ishte krejt e paplotë.

I takon SPAK, tani të futet në zemrën e problemit të katastrofës së Gërdecit, apo shkakut që solli atë tmerr.

Sepse tashmë dihet botërisht se e gjithë skandali i Gërdecit: dhënia e infrastrukturës së ushtrisë një subjekti për të demontuar jashtë çdo kushti, puna pa asnjë lloj kushti sigurie, rreziku permanent dhe i lartë për jetën e njerëzve etj etj, ka pasur qëllim vetëm fitimin e madh nga palët e përfshira në biznes, të cilët nuk investuan as fare për të garantuar aq sa mundet siguri dhe parandalim të dëmtimit të personave brenda fabrikës por dhe jashtë.

E pikërisht lejimi i kësaj babëzia për të fituar është arritur vetëm e vetëm nëpërmjet korruptimit të zyrtarëve të lartë që dhanë lejën për Gërdecin.

E në këtë rast, SPAK është totalisht në fushën e tij, një fushë krejt e panjohur nga drejtësia e vjetër, e cila si thelb të saj ka pasur cungimin e hetimit dhe mbylljen me procedurë të çështjeve dhe jo sqarimit të tyre.

Ata që bërtasin, qoftë politikanë apo gazetarë me klishetë e vjetra të parashkrimeve apo “është gjykuar njëherë kjo punë” nuk e kanë kuptuar fare reformën në drejtësi. E cila u bë pikërisht për këtë: të çmontojë statuskuonë e vjetër të pandëshkueshmërisë…/ Gazeta Tema 

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Lëvizjet e shtetasve, 1 në 5 banorë në mars ishte turist i huaj

Lëvizjet e shtetasve, 1 në 5 banorë në mars ishte turist i huaj