Ylli Pata: Sa trazoi realisht doktor Alimehmeti si kadindat potencial për Bashkinë e Tiranës?

Ylli Pata: Sa trazoi realisht doktor Alimehmeti si kadindat potencial për Bashkinë e Tiranës?

Mjeku Ilir Alimehmeti

Dje pati një “shkëmbim breshërish” nga të dy krahët në lidhje me daljen në skenë të një personazhi që mund të jetë kandidat i opozitës për kryetar i bashkisë së Tiranës. Bëhet fjalë për doktor Ilir Alimehmetin, mjek i njohur, sidomos në dyvjeçarin e fundit, kur virologët u kthyen në yje të paneleve të darkës.

Një fenomen që nuk ndodhi vetëm në Shqipëri, por kudo gjatë periudhës së pandemisë së Covid 19-s. E bërja e tyre figura publike, natyrisht që e bën politikën të ndjeshme që t’i afrojë rreth vetes. Ky fenomen ka ndodhur kudo: në Itali-në zgjedhjet e fundit, pati disa kandidatë, e madje u zgjodhën deputetë një numër i virologëve që u kthyen në star të televizioneve.

Por edhe Shqipëria nuk mund të rrinte larg: ishte Partia Socialiste që në zgjedhjet e 2021-shit kandidoi doktoreshë Najada Çomon në Tiranë, e cila fitoi, por që më pas ajo u tërhoq për të vijuar profesionin e drejtueses së spitalit Covid në Tiranë, që praktikisht është Spitali Infektiv.

Por le të kthehemi te rasti “Alimehmeti”. Kishte disa kohë që indikacionet tregonin një mundësi që ai të jetë një nga mirat që mund të sfidojnë Erion Veliajn në Tiranë, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Dje, disa media, duke marrë shkas nga protesta e pedagogëve, shtruan hipotezën se Alimehmeti po bën nxemjen si kandidat i mundshëm.

E fill pas kësaj, disa mbështetës të opozitës, përkatësisht pjesës që përfaqësohet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, nuk duruan, por e quajtën këtë shtrim mediatik, si një ankth që mazhoranca ka nga emri i kandidatit në fjalë. E në rrjete sociale, variacioni mbi temën u zgjerua, duke argumentuar se mjeku virolog i njohur e me popullaritet, është një nga ata emra që hyn qetë për të notuar në “detin” e elektoratit gri.

Nëse e gjitha kjo është realisht një lajm, pra ndodh që opozita ka menduar të sjellë një kandidat serioz, është lajm shumë i mirë. Pasi sa më cilësor të jenë kandidatët, aq më cilësore bëhet fushata, e natyrisht aq më produktive do të jetë mundësia e zgjedhjes për njerëzit që do të votojnë.

Ku ta gjesh atë kohë, atë rast, kur palët politike në vend të përballin emra të njohur, të cilët në fushatë diskutojnë e debatojnë mbi përmbatje, programe, ide, e natyrisht përplasen për alternativat e tyre. Sa ka nevojë ky vend, sidomos kur jemi këtu nga një rast i frikshëm i 2019-s kur opozita nuk pranoi të hyjë në zgjedhje.

Edhe lajmet apo përplasjet e djeshme, në publik janë pritur mirë, pasi njerëzit në Shqipëri janë stërvitur të debatojnë politikisht, e jo të zihen, të etiketohen, siç ndodhi në 30 qershorin 2019, kur kush kishte shenjën e bojës së Qendrës së Votimit, nga miku, kushëriri, apo shoku opozitar mori mallkimin: “Ça na bone mor!”

Dalja e një emri, një personazhi si kandidat i mundshëm, në fund të fundit është festë për demokracinë, është një rast i mirë për të debatuar.

Por megjithatë, pyetja është kandidat i kujt mund të jetë doktor Alimehmeti? Deri tani, zv.dekani i Fakultetit të Mjekësisë është shfaqur vetëm në aktivitetet e Foltores, ku është atashuar realisht.

“Zgjedhje e tij”, do të thoshte dikush, është njeri i lirë, e si i tillë mendon se ai e ndjen veten si pasues politik i Sali Berishës.

Shumë drejtë, është zgjedhje e lirë, e mirë që është kështu. Dr.Alimehmeti mund të jetë kandidat dhe i Berishës, edhe i vetes së tij, por edhe i kujdo. Prite Zot! Është vullneti i çdokujt.

Por këtu nis më pas, ai që quhet rrugëtimi politik. Pasi një kandidat për kryetar bashkie, nuk është asesi një person teeknik, se nëse do të ishte kështu nuk ka përsee të hyjë në garë një mjek, por një inxhinier mjedisi, apo ndërtimi. Kandidati për kryebashkiak të kryeqytetit është një emër apo shenjë politikee e nivelit të lartë.

E si i tillë, Dr. Alimehmeti sot vjen si enturazh i Sali Berishës. Ky është fakt e nuk ka nevojë për diskutim. Mbështetësit e opozitës, në këtë rast do të thoshin: “plasni, po ai merr vota gri sepse është një njeri që ka një reputacion të mirë në komunitet”.

Shumë e drejtë, po nëse ai kërkon e ndoshta mund t’i marrë votat gri, në ç’përfaqësim politik i merr?

Sali Berisha, edhe pse nuk do ta pranojë, e ka humbur bashkinë e Tiranës në mënyrë seriale, jo se ka pasur kandidatë të këqinj, por se ata konsideroheshin si vartës të Saliut.

Besnik Mustafaj nuk është aspak Berisha, Spartak Ngjela akoma më shumë nuk është Saliu, por kur Lulzim Basha erdhi në krye të bashkisë së Tiranës, edhe pse ai solli shumë nga njerëzit e tij të afërm, në fund, ishte pjesë e logjikës politike të Berishës; në sjelljen me administratën, planin e kryeqytetit, urbanistikën, arsimin, etj etj.

Nuk bëhet fjalë për të sjellë “gogolin” për të cilin kanë dalë legjenda e barsaleta që në vitin e tmerrshëm 1997, por realisht duhet një qartësi politike se kush kandidon kë, çfarë kandidati përfaqëson. Në zgjedhjet vendore është ajka e politikës së një vendi.

“Çfarë do të ndodhë nëse opozita do të sjellë një kandidat për të gjithë bashkitë”, mund të thotë çdokush? Do të ndodhë një fakt shumë i rëndësishëm e mirëpritur nga kushdo, edhe ata që nuk e votojnë opozitën. Njerëzit janë të etur për alternative apo garë. Por, kandidati duhet të hyjë nga dera dhe jo nga dritarja. Edhe pse zgjedhje vendore, beteja është politike, madje fortësisht politike. Nuk është konkurs i Mis Universit, por një garë politike për të zgjedhur alternativën e qeverisjes së bashkive të Republikës. Nga këto zgjedhje, do të farkëtohen pastaj armët e përballjes politike të zgjedhjeve parlamentare.

Në fundin e karrierës së tij politike, i ndjeri Ramiz Alia, duke parë një vrull popullor për një përmbysjee së klasës së vjetër politike ofroi si kandidatë njerëz me reputacion në komunitete. Disa prej tyre ecën në karrierë, disa jo. Disa mbetën majtas, e ca të tjerë si Kastriot Islami shkuan në të djathtë, por në fund, ata më shumë se vetveten përfaqësonin alternativën politike.

“Le të jetë i Saliut, rëndësi ka të jetë i mirë” mund të jetë një argument. Padyshim, thjesht pritet që kush përfaqëson kë të jetë i qartë, sepse njerëzit në fund do të vendosin. Megjithatë, i gjithë ky vrull i nisur, edhe pse kontraversal është mjaft pozitiv, pasi premton garë. E garë paçim, ku të fitojë më i miri!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ana: 07/10/2022 13:08

    Eshte mjek dhe djale i mire, por vetem kaq, zgjidhja qe ka bere z. Alimehmeti nen siglen e Foltores te Berishes???????

    Përgjigju
  • www.mentealternativa1.blogspot.com dhe www.whale.to: 07/10/2022 09:12

    Ti Alimehmeti nuk je i mire sepse ke berethjesht ato qe do axhenda per shpopullim me vaksinat!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, në Gjadër të Lezhës nis ndërtimi i kampit (VIDEO)

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, në Gjadër të Lezhës nis ndërtimi i kampit (VIDEO)