Ylli Pata: Testi politik i zgjedhjeve të 6 marsit

Ylli Pata: Testi politik i zgjedhjeve të 6 marsit

Megjithë lëmshin e krijuar nga përplasja e fortë në radhët e opozitës, zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në gjashtë bashki të vendit, do të jenë një lloj testi politik kombëtar.

Edhe pse Edi Rama, dha një mesazh “relaksues” për makinën elektorale të PS-së dhe strukturave të mazhorancës në pushtet se “nuk do të jetë betejë për jetë a vdekje”, siç ka ndodhur në çdo test elektoral, ka pasur një mesazh të qartë politik.

Më 6 mars zhvillohen zgjedhjet në 2 bashki të veriut, 3 të Shqipërisë të Mesme dhe një që hyn relativisht tek zona e jugut, siç është Lushnja. Dy nga bashkitë ku votohet pas gati një muaj janë bashki të mëdha, pra kryeqendra qarqesh, të cilat ndikojnë edhe në logjikën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Rezultati që do të dalë nga kutitë është materiali më i mirë dhe bio për të analizuar e parë gjendjen e perceptimit për mandatin e tretë të socialistëve, por edhe për atë që njerëzit perceptojnë për opozitën-tashmë dy polare apo më shumë se dy.

Politika shqiptare, kryesisht opozita, sidomos pas vitit 2013 ka qenë e tillë, që ka dashur të ndikojë rezultatin apo më mirë mesazhin politik që japin zgjedhjet në një mekanizëm presioni ndaj qeverisë.

Pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, kur PS e LSI hynë së bashku në një aleancë politike, koalicioni pësoi thyerje, sidomos si pasojë e mos arritjeve të objektivave elektorale të partisë së Metës për të marrë disa bashki në vend, ku bashkia e Vorës konsiderohej më strategjikja.

E kështu nisi lufta ndërmjet Edi Ramës dhe Ilir Metës, duke qenë në aleancë me njëri-tjetrin. Luftë që natyrisht e mori shkasin nga miratimi i reformës në drejtësi, për të cilin Meta dhe Berisha ishin kundër.

Kështu, me nxitjen e njerëzve të LSI-së u arrit të futej në kurth kreu i bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, i cili u kap me një videoskandal seksual. Pas shkarkimit të menjëhershëm të tij, Dibra hyri në zgjedhje të reja, betejë që u kthye në një përplasje fatale. Kjo ngase çdo mesazh politik që do të vinte nga zgjedhjet e Dibrës do të çonte ujë për zgjedhjet parlamentare të 2017-s.

Rezultati ishte siç dihet fitorja e kandidatit të PS-së, rezultat që u kontestua fuqishëm nga Partia Demokratike, e cila e konsideronte si të marrë me ndihmën e policisë dhe krimit të organizuar. Më vonë nga Dibra dolën përgjimet e famshme dhe dosja 181, e cila u mbajt nga ish-prokurorët e krimeve të rënda që vareshin nga Adriatik Llalla, si një material që do t’i shërbente PD-së për të shantazhuar Edi Ramën.

Fitorja e PS-së në Dibër, me 4 mijë vota diferencë në një bashki ku një vit më parë rezultati ishte thuajse barazim normalisht që kërciste shumë. Edhe ky ishte një sinjal politik, që nëse do të sfidohej ligjërisht e politikisht nga opozita, mund të sillte dobitë e duhura elektorale.

E kështu u afruam në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 me çadrën e famshme, tentativën për t’i bllokuar 4 muaj me radhë. Në fund siç e dimë situate u zhbllokua me ndërhyrjen e qeverisë amerikane që çoi dhe në takimin e 18 majit Rama-Basha.

Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, PS fitoi e vetme, ndërkohë që LSI arriti të marrë një numër të rëndësishëm votash nga elektorati radikal i Partisë Demokratike. Basha u radikalizua dhe e çoi vendin sërish në një bllokadë në vitin 2019 ku dogji mandatet dhe bojkotoi zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Një situatë absurde ku shikohej hapur se kush shkonte në votime ishte përkrahës i qeverisë. Edhe pse kishte një pjesë të votuesve të së majtës, në kutitë e votimit dolën afërisht 800 mijë votues. Të cilët thuajse në të njëjtën shifër votuan më 25 prill për t’i dhënë mandatin e tretë Edi Ramës.

Po më 25 prill patëm inversin e 2017-s, ku u shpartallua LSI-ja dhe të gjitha votat që kjo parti i kishte marrë në vitin 2017 u kthyen në shtëpi-pra në PD.

Kështu edhe në zgjedhjet e pjesshme në 6 bashkitë e vendit do të ketë sigurisht një mesazh politik të rëndësishëm, edhe pse po tentohet jo pa qëllim një trazim i votave të opozitës, që grupi i Metës dhe Berishës të ruajnë “ishullin” e tyre të sigurisë për tu bërë presion amerikanëve.

Ndërkaq, përveç mesazhit të përgjithshëm politik, do të ketë një të tillë të qartë për mazhorancën që mban krerët e bashkive, përveç Shkodrës. Sidomos në Lushnjë, ku kryetari u arrestua nga SPAK, e në Durrës ku ka pasur një seri largimesh që nga 2019-a, është mjaft i rëndësishëm qëndrimi i zgjedhësve për koherencën që ata kanë votuar para dy vitesh.

Ndërkaq, Shkodra e Dibra pritet të jenë letër lakmusi për të matur aciditetin brenda opozitës. Megjithatë provën më të madhe e ka Lulzim Basha, ngaqë tani me Berishën kundërshtarë, atij do t’i matet me centimetër çdo lëvizje, e sidomos mënyra e përzgjedhjes dhe cilësia e kandidatëve për kryebashkiakë. Nga këtu do të shikohet mesazhi që ai i përçon publikut shqiptar për modelin e projektin e tij politik…/TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Shembja e urës në Baltimora, gjenden dy trupa të pajetë

Shembja e urës në Baltimora, gjenden dy trupa të pajetë