Ndryshe nga çdo zgjedhje, të pjesshmet e 9 nëntorit, i gjejnë të boshatisura selitë e dy partive më të mëdha në vend, Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, aty ku liderët e përfaqësues të partisë siç ka ndodhur në të shkuarën, dalin me deklarata për zhvillime hap pas hapi të procesit.

Në selinë rozë në Tiranë, situata është krejtësisht e qetë dhe nuk i ngjason një klime zgjedhore. Të majtët përfaqësohen me kandidatë zyrtarë nën logon e PS-së në të 5-a bashkitë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik,

I vetmi reagon nga kampi rozë ishte ai i kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, herët në mëngjes në orën 7 që shënon dhe hapjen e orarit zyrtar të votimit. Rama ndau në një postim në rrjetet sociale, ftesën për qytetarët e 5 bashkive për të votuar sot në zgjedhjet e pjesshme vendore. Në seli këtë radhë mungojnë edhe projeksionet e PS.

Kryesocialisti Rama nuk pritet që gjatë ditës të vizitojë selinë.

Edhe në selinë e Partisë Demokratike situata është e njëjtë. Asnjë përfaqësues politik nuk ndodhet aty. Nga kampi blu deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar mbi procesin e votimit në 5 bashkitë në garë. PD në këto zgjedhje të pjesshme, nuk ka kandidatë të sajë zyrtarë të regjistruar nën logon e PD-së, por po mbështet të pavarurit, të cilëve në përfundim do i numërojë votat me komisionerët e saj. Sali Berisha po ashtu pritet ta ndjekë procesin jashtë zyrës së tij.

Drejtuesit politikë janë shpërndarë në qarqet që kanë në administrim dhe në ndihmë të tyre janë edhe deputetët e zonave.

Edhe fushata e këtyre zgjedhjeve me 13 kandidatë në 5 bashki, ishte thuajse inekzistente, më atipikja pas pluralizmit.