Zgjedhjet, dridhet administrata
Kanë frikë për vendet e punës

Zgjedhjet, dridhet administrata<br />Kanë frikë për vendet e punës
TIRANE - Heshtja dhe amullia pas zgjedhore nuk ka përfshirë vetëm Partinë Demokratike dhe elektoratin e djathtë, por edhe të gjithë punonjësit e administratës publike. Pas përmbysjes së rezultatit në favor të koalicionit të majtë, pritet rotacioni i pushtetit, që sipas punonjësve të administratës shtetërore nuk do të prekë vetëm ata në rang drejtori, por i druhen edhe zbritjes deri tek punonjësit e thjeshtë.

Në ditën e tretë, pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të së dielës, administrata shtetërore thuajse është e paralizuar. Ministrat janë paraqitur dje sa për të thënë, kanë qëndruar për disa minuta dhe kanë dalë sërish nga zyrat e tyre.

Ndërkohë që edhe drejtorët kanë pasur mungesa, por edhe nëse vijnë, vijnë sa për të thënë, pasi nuk zhvillojnë asnjë mbledhje, nuk kanë firmosur asnjë udhëzim, apo të merret ndonjë vendim. Të vetmit që nuk mungojnë janë punonjësit e tjerë të administratës.

Edhe ata paraqiten çdo mëngjes, por janë si të humbur pasi nuk e dinë se çfarë të bëjnë. Kjo pasi mungojnë drejtuesit që t’u kërkojnë llogari dhe t’u thonë se çfarë duhet të bëjnë.

Pikërisht për këtë arsye nuk është e vështirë të kuptosh se përse lokalet rreth e rrotull institucioneve shtetërore janë plot me punonjës, të cilët teksa gjerbin kafenë, bëjnë edhe hamendësime se çfarë do të ndodhë dhe kanë dyshime për vendin e tyre të punës.

Ata nuk i ka qetësuar as deklarata e Edi Ramës, dy ditë më parë, i cili premtoi se nuk do të largojë asnjë person dhe punësimi në administratë do të bëhet në bazë të meritës dhe jo përkatësive partiake.

Te Ministria e Arsimit, kafja që ndodhet pas saj është plot. Disa kanë dyshime nëse do të vazhdojnë të jenë në po të njëjtin vend pune, dhe të tjerët nuk gjejnë asnjë arsye se përse duhet t’i largojnë nga puna.

“Po çmë duhet mua partia, unë këtu jam i vjetër, kam 14 vjet punë, dhe nuk besoj se do më heqin nga puna, - i thotë një punonjës i MASH-it, kolegut të tij dhe duket sikur kërkon miratimin për atë që po i thotë.

“Jo mo as që bëhet fjalë, ti rri i qetë, as mos e vrit mendjen fare për këtë gjë” - i thotë miku i tij. Por të tjerë shprehen se duke u nisur nga eksperiencat e mëparshme, zor se do të mund të mos ketë reformë në administratë.

“Po kështu ndodh gjithmonë këtu në Shqipëri, ndryshojnë stafin sa herë ndërrohet ministri dhe jo më tani që kemi ndryshim pushteti. Vetëm tek ne ndodh që e trajnon dikë, investon për të tetë vite me radhë dhe më pas e heq nga puna.

Kjo është humbje edhe për shtetin, ndaj duhet të bëhet statusi i nëpunësit”, - i qan hallin një punonjëse e MASH, koleges së saj. Tek ministria e Mbrojtjes, parkimet e punonjësve thuajse janë boshatisur që rreth orës 13:00.

Punonjësit janë paraqitur në mëngjes, por janë larguar më shpejt pasi nuk kanë se çfarë të bëjnë. Nga bisedat në baret rreth e rrotull është e lehtë të dallosh punonjësit e kësaj ministrie. Flasin vetëm për një gjë: çfarë do të ndohë me ta.

Disa nuk e prisnin fitoren e Partisë Socialiste, ndërsa disa të tjerë nga bisedat, që bënin nuk kishin menduar një humbje kaq të thellë të Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj. “Të shpresojmë që të prekin vetëm deri në rang drejtori” dëgjohet t’i thonë njëri-tjetrit ata.

I njëjti hall i ka zënë edhe punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë. “Këtu tani kanë për t’i hequr të gjithë, ka për t’u bërë rotacion edhe këtu, - dëgjohet biseda mes punonjësve të ministrisë së Shëndetësisë. “Frika i ka zënë të gjithë, edhe pse punën e kemi bërë mirë.

Vetëm nga fakti që kemi punuar për disa vite në institucion shtetëror, do të na kapë  vala e pushimeve nga puna. Për fat të keq gjërat funksionojnë mbrapsht këtu tek ne dhe nuk besoj se do të jetë ndryshe me këta”, - thonë ata duke iu referuar fituesve të këtyre zgjedhjeve parlamentare.

Më të qetë duket se janë bluzat e bardha të QSUT. “E çuditëshme si fituan këta të PS-së. Nuk e prisja që të fitonin. Se çfarë do bëhet me ne, këtë nuk e dimë, të shpresojmë që të mos na heqin na puna” - i thotë një prej infermiereve koleges së saj.

Pastaj për të mos e bërë tragjike situatën thotë “E pse të na heqin ne? Çfarë pune kanë? Në fund të fundit krahët e mi më kanë mbajtur” - thotë ajo. Ndërsa kolegia e saj i drejtohet “Nuk besoj që, ne të cilët jemi punonjës të thjeshtë do na kapë ndonjë valë shkarkimesh.

Ndërsa këta që janë drejtora dhe shefa kanë për t’i fluturuar. Këta të majtët janë më të butë. Ndërsa të djathtët janë shumë ekstremistë, duan që të kenë simpatizantët e tyre në çdo vend edhe te punonjësi më i thjeshtë”, - i thonë njëra-tjetrës një grup infermieresh.

Po ashtu tek ministria e Ekonomisë një pjesë e zyrave nuk janë hapur dhe frikë ka edhe tek punonjësit e ministrisë së Punës, ku lëvizjet e administratës janë shumë të pakta.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Shqiptari kapet me 65 mijë euro në makinë, i kishte fituar në baste online

Itali/ Shqiptari kapet me 65 mijë euro në makinë, i kishte fituar në baste online