Më 28 dhjetor, qytetarët e Kosovës do t’i drejtohen për herë të dytë brenda 1 viti kutive të votimit me qëllim zgjedhjen e qeverisë së re. Në detyrë si kryeministër i Kosovës, vijon të jetë Albin Kurti, i cili nuk arriti të siguronte votëbesimin për një tjetër mandat.

Për Report Tv, në një lidhje direkte në ‘Sot, Live në Shqipëri’ analisti Ardit Gjinali iu referuar dhe anketimeve të bëra së fundmi duke u shprehur se ka një probabilitet të madh që nga procesi i votimit më 28 dhjetor, të mos dalë vetëm një fitues. Rrjedhimisht do të lindë dhe njëherë nevoja që partitë politike të ketë dakordësi për të bashkëpunuar, gjë e cila nuk u arrit në këto 9 muaj.

“9 muajt e shkuar ishin një panoramë aspak e padëshiruar për çdo kënd që do të dëshironte të mirën e Kosovës dhe absolutisht një qëndrueshmëri për Kosovën. Mbetet për tu parë jetësimi dhe vullneti i zgjedhësve që do të shprehen në zgjedhjet e 28 dhjetorit. E sigurt në bazë të anketave, me gjasë nuk do të ketë një fitues të vetëm dhe kjo do të dërgojë palët drejt detyrimit politik dhe shtetëror që t’i thërrasin konsensusit si një mundësi e vetme për të dërguar proceset përpara. Uroj mos të kemi një skenar bullgar”, tha Gjinali.

Analisti Gjinali gjithashtu komentoi dhe vendosmërinë e partive opozitare për të mos bashkëpunuar me partinë Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa shtoi se mbetet në vullnetin e zgjedhësve sesi ata do të vlerësojnë këto 9 muaj krize.

“Partitë të bllokut opozitar në legjislaturën e shkuar mund të gjejnë apo njohin përballë njëra-tjetrës një afërsi në disa linja ë caktuara në qeverisje apo në vizion. Mbetet e rëndësishme që të shihet vullneti përfundimtar i zgjedhësve dhe mënyra sesi qytetari do të reagojë duke pasur 9 muajt e krizës politike dhe si do të gjykojë. Lëvizja Vetëvendosje nuk pati vullnetin e duhur për të arritur një konsensus politik”, tha analisti.