Zgjedhjet në Kosovë, një shuplakë jo vetëm për Albinin, por sidomos për Tiranën politike

Zgjedhjet në Kosovë, një shuplakë jo vetëm për Albinin, por sidomos për Tiranën politike

Albin Kurti dhe Lulzim Basha

Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse me pompozitet deklaronte se do fitonte gjithë komunat në zgjedhjet e 18 tetorit, në raundin e parë nuk ka marrë asnjë komunë. Ato janë ndarë mes LDK, PDK, e AAK, përveç serbëve.

Në raundin e dytë, Vetëvendosje me gjasë do të marrë Prishtinën, pasi ka diferencë të madhe, por atë e ka pasur edhe më parë, dhe natyrisht edhe ndonjë komunë tjetër.

Por kjo nuk ka më vlerë tani, pasi 18 tetori përmbysi ambicien e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, që në revanshin e tyre për pushtet, ëndërronin të kishin edhe pushtetin vendor.

Përveç dështimit të dyshes Kurti-Osmani, zgjedhjet e Kosovës janë një mësim i mirë veçanërisht për ne në Shqipëri. Jo vetëm për standardin e tyre, por mbi të gjitha për ndryshimin e elitave.

PDK dhe LDK, dy parti që deri pak muaj më parë dukeshin të shuara dhe në depresion, kanë mundur të ringrihen brenda një kohë të shkurtër, pasi liderët e tyre historikë iu lanë vendin të rinjve, ca të detyruar si Hashim Thaçi e Kadri Veseli, që janë në burg, e ca të detyruar si Isa Mustafa, të cilit iu nda partia më dysh, pas revoltës së Vjosa Osmanit.

Ato parti që nuk ndryshuan dhe duket se nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë gjë, si ajo e Haradinajt, Pacollit e Limajt, duket se do të mbeten gjithë jetën në këto ujëra.

Por ringritja e LDK dhe PDK me dy djem të rinj si Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi, është një lajm i mirë dhe një shembull që duhet marrë sidomos nga Tirana, aty ku pleqtë e politikës i kanë kapur për gryke partitë dhe nuk i lëshojnë, duke mbajtur kështu peng jo vetëm partitë, por dhe shoqëritë.

LDK e PDK p.sh bënë atë që PD në Shqipëri, ka vite që nuk e bën dot, për t’u ndarë nga “gjyshi” i partisë, i cili jo vetëm nuk u largua kurrë për të lejuar një rifillim të ri të saj, por tani është rikthyer me “Foltoren” dhe do ta marrë me vete edhe atë, në botën tjetër. Apo aleati i tij i LSI, që kur nuk është vetë ia lë pajë partinë nuses, a thua e ka të trashëguar.

Dhe jo vetëm që s’largohen, por mbajnë me vete edhe skllevërit e tyre, ca injorantë e ca të paskrupull, si pasardhësit e tyre, që të vjen pështirë edhe thjesht t’i dëgjosh, jo më t’i votosh e të kesh shpresë se ata mund të sjellin ndryshimin.

Dhe pastaj ndodh që Shqipëria përfundon në ca figurina që e qeverisin, në ca të tjerë që thonë se bëjnë opozitë dhe në ca të tjerë që shfaqen ndonjëherë në protesta si aktivistë, që në vend t’i frymëzojnë ato, thjesht i shuajnë.

Duan thjesht të llokoçitemi në llumin e krijuar këto 30 vjet, që të mos dalë askush e të mos ketë shpresë e zgjidhje përtej tyre. Dhe duhet thënë, se deri tani ia kanë arritur.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet