Kur ende nuk janë plotësuar 48 orë nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në Kosovë kanë nisur të qartësohen edhe emrat e atyre që pritet të bëhen deputetë në legjislaturën e re të Kuvendit.
Kur ka kaluar numërimi i më shumë se 25% të votave për kandidat, Albin Kurti, Kryeministër dhe kryetar i Vetëvendosjes rezulton si më i votuari me mbi 50 mijë vota, ndërsa nga partia e tij e ndjekin Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati, Donika Gërvalla etj.
Lajm interesat është tek numërimi i votave te kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në LDK më i votuari nuk është kryetari i partisë Lumir Abdixhiku por ish Presidentja Vjosa Osmani.
Sa i përket Partisë Demokratike të Kosovës me më shumë vota rezulton kryetari Bedri Hamza me diferencë të madhe nga ndjekësit, Përparim Gruda, Ardian Tahiri apo Uran Ismaili.
Edhe në AAK kryetari i AAK Ramush Haradinaj nuk kryeson listën e më të pëlqyerve nga votuesit e partisë së tij. I pari është Ardian Gjini, ndërsa Haradinaj vjen i dyti, i ndjekur nga vëllai Daut Haradinaj.
Sipas rezultateve paraprake Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, doli e para në zgjedhjet e 7 qershorit me 42.91 për qind të votave. Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.08 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.60 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.17 për qind dhe Lista Serbe me 6.17 për qind.
Me llogaritjen e deritanishme, kur ende nuk është numëruar diaspora apo votat me kushte LVV-ja do t’i ketë 48 vende në Kuvend, e ndjekur nga PDK-ja me 24, LDK-ja me 20, dhe AAK-ja me 8.
Ndërkohë që pritet numërimi i votave të diasporës, i cili do të nisë rreth orës 17, numërim i cili mund t’i japë një rritje të lehtë Vetëvendosjes së Albin Kurtit.
Komente






