Zgjedhjet, nevoja për ndryshim dhe fryma për ndryshim

Zgjedhjet, nevoja për ndryshim dhe fryma për ndryshim

Kuti votimi

Pohimi: “pushteti të konsumon” logjikisht të çon tek nevoja për ndryshim. Që të realizohet ndryshimi duhet, më së pari, të krijohet fryma për ndryshim. Është pikërisht kjo e fundit që e shndrron pakicën në shumicë duke sjellë kështu rotacionin në pushtet. Natyrisht funksionimi i këtij mekanizmi varet, më së pari, nga masa e konsumimit që u bën pushteti forcave qeverisëse dhe nga intensiteti i frymës për ndryshim që krijon opozita tek elektorati gri.

Masa e kësaj të fundit është kryesisht pjesëmarrja në votime. Parë në sa thamë, nuk është e vështirë të konstatohet që qeverisja 8 vjeçare e socialistëve e kishte goxha të madhe masën e konsumimit në pushtet, ndërkohë që detyra e opozitës ishte të krijonte një frymë të tillë për ndryshim, sa ta motivonte “me kuç e me maç” gjithë elektoratin gri.

Ajo që ndodhi në fushatën elektorale ishte vetëdija e Edi Ramës për masën e konsumit. Deklarata e tij që “ne nuk jemi më të mirët” ishte shprehje e vlerësimit se “punët nuk ishin mirë”. Me këtë vetëdije ai ndërtoi një strategji të tillë që të paralizonte, në rastin më të mirë, apo të minimizonte, në rastin më të keq, frymën për ndryshim. Ndaj ai, pas pohimit që “ne nuk jemi më të mirët” shtoi menjëherë “por më të mirë se ne nuk ka”. Pikërisht për të dëshmuar këtë të fundit ai u muar gjatë gjithë fushatës me përqeshjen dhe denigrimin e kundërshtarëve.

Qysh në fillim ai e relativizoi si kundërshtar Lulzim Bashën duke vënë përballë elektoratit si kundërshtarë të tij Sali Berishën dhe Ilir Metën. Ishte kjo taktikë e tij që e dekurajoj lindjen e një fryme të gjerë e të fortë për ndryshimin. Nga ana tjetër, po Edi Rama, relativizoi edhe nevojën për ndryshim.

Për këtë ai shfrytëzoi dy angazhimet më të fundit të qeverisë së tij: atë të punës për likujdimin e pasojave të tërmetit dhe, sidomos, atë të punës për të mbajtur nën kontrroll e për të zvogëluar rrezikun që vinte nga përhapja e COVID 19. Në të dy rastet Edi Rama ia arriti të vlerësohet si “njeriu më i përkushtuar”, si “halleqari” më i madh i njerzve në nevojë, si “lypsari” që nuk e ka fare për turp të shtrijë dorën për të ndihmuar dhe për të shpëtuar njerzit që vuanin si pasojat e tërmetit ashtu edhe ato të prekjes nga pandemia.

Mbështetur në këto vlersime ai e ndërtoi programin elektoral vetëm me 11 fjalë :na jepni votën që të vazhdojmë e përfundojmë punët e nisura. Në asnjë nga deklarimet e tij gjatë fushatës Edi Rama nuk foli për suksese në realizimin e PPP-ve. Ai ishte i vetëdijshëm që në këtë aspekt pushteti i tij ishte konsumuar keq.

Nga ana tjetër, vendosja si kundërshtarë realë e Berishës dhe e Metës synonte në mënyrë të vazhdueshme edukimin e elektoratit me idenë e mosndryshimit të forcës qeverisëse. Po opozita? Për të evidentuar masën e konsumimit të qeverisë në pushtet ajo u angazhua të denonconte sa më shumë korupsionin, të cilin në çdo rast e lidhte me Edi Ramën. Për mendimin tim në këtë aspekt nuk u arrit rezultati i pritshëm. E para sepse korrupsioni është një sëmundje nga e cila vuajnë të gjitha pushtetet dhe e dyta denoncimi, përveç fakteve përmbante edhe shumë retorikë. Efektivitetin e ndikimit të denoncimeve për korrupsion Edi Rama e relativizoi qysh në fillim kur pranoi që “ne nuk jemi më të mirët”.

Për të ngjallur dhe forcuar “frymën e ndryshimit”, kryesisht PD-ja hartoi një program elektoral klasik ku jepeshin të gjitha objektivat që synoheshin të arriheshin nën qeverisjen e saj. Në evidentimin e tyre dukej që PD-ja e kishte vënë “gishtin mbi plagë”, ndaj Edi Rama vendosi ta injoronte atë duke atakuar kryesisht taksën e sheshtë prej 9%. Disa elementë të tjerë si rritjen e pagave për mjekët, infermierë, mësuesit etj apo mbështetjen e njerzve në nevojë, ai vendosi ti përfshinte në programin e tij qeverisës me synimin që të konsumonte kështu objektivat elektorale të opozitës. Dhe, për tu bërë më i besueshëm, në kushtet kur ekonomia vuan borxhin më të madh, deklaroi rritje më të vogla, çfarë i dha mundësi që ti kualifikonte premtimet elektorale të PD-së si premtime në erë. Si kundërpërgjigje PD-ja vazhdoi të denonconte rastet e korrupsionit, premtimet e pambajtura, varfërimin e popullit, largimet nga vendi etj. Të gjitha këto elektorati i njihte dhe i miratonte si keqqeverisje, veçse mbetej skeptik nëse opozita që do të vinte në pushtet do të ishte e zonja që ti shëronte këto plagë.

Me sa duket nuk mjaftoi për ti bindur skeptikët sjella ndryshe e Lulzim Bashës. Edi Rama e kuptoi që “sjellja ndryshe e Lulzim Bashës” mund të rekrutonte shumë nga të pakënaqurit me qeverisjen e tij, ndaj ai, për t’u bërë i besueshëm e pranonte këtë sjellje duke shtuar që “nuk është Lulzim Basha ai që do qeverisë nesër”. Pas tij, sipas Ramës, fshiheshin qeverisësit e vërtetë: Sali Berisha dhe Ilir Meta. Në fakt Sali Berisha nuk i dha shumë mundësi për ta atakuar, pasi ai e shmangu praninë e tij fizike në fushatën elektorale por Ilir Meta me sjelljen e tij komplet “jashtë binarëve” iu bë “krah” Edi Ramës.

Sjellja e Presidentit të vendit në këtë fushatë do jetë objekt i shumë analizave sot e për shumë kohë, por ajo që mund të thuhet është që angazhimi i tij pati ndikim negativ në rritjen e frymës për ndryshim. Një pjesë e madhe e elektoratit e shihte qeverisjen e nesërme të opozitës të dominuar nga stili hakmarrës, agresiv e hipokrit i Ilir Metës. Deklarimet e tij në emisionin e Çim Pekës e bënë atë tejet të frikshëm dhe jo vetëm e dobësuan frymën e ndryshimit, por edhe e rritën mobilizimin e shumë të lëkundurve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të votuar mosndryshimin.

Nëse e analizojmë rezultatin e zgjedhjeve sot dhe pranojmë që ndikimi i parregullsive e ka deformuar atë deri në tjetërsim, duhet që faktet e sjella në “librin e zi”, jo vetëm të jenë fakte, por të dëshmojnë një ndikim të njehsueshëm, pra sasior. Psh për denoncimin e punësimeve në administratë të thuhet që në këtë periudhë, prej kaq e deri aq janë punësuar kaq vetë në kundërshtim me ligjin. E njejta edhe për dëmshpërblimet e tërmetit , inagurimet etj. Po të mos ndodhë kështu, atëhere ndikimi i denoncimeve të parregullsive do kualifikohet si gjithmonë: një ndihmesë e rëndësishme e opozitës për t’u konsideruar në zgjedhjet e ardhshme.

Në këto kushte, tek vetë opozita shfaqet nevoja për ndryshim. Zërat brenda PD-së që kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës, nuk duhet të vlerësohen si zëra ediramistësh por, duhet të shqyrtohen si zëra që potencojnë frymën për ndryshim. Me sjelljen e deritanishme duket se një trupë vendimmarrëse në PD vlerëson që “Lulzim Basha është më i miri! Më të mirë se Lulzim Basha nuk ka!”. Pra, në PD nuk ka nevojë për ndryshim. Atëhere? Stop frymës për ndryshim! Të shohim nëse kjo mendësi do ta çojë PD-në në fitore apo tek… “nuk kemi parë gjë akoma!”.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Asgjë e re nga fronti i Perëndimit për të korruptuarit dhe “non gratat”

Asgjë e re nga fronti i Perëndimit për të korruptuarit dhe “non gratat”