Zhduket një tjetër grua shqiptare në Janinë/ Bashkëshorti grek në 'Pa Gjurmë': E mbajnë peng familjarët e saj

Julia Kalemi një 40-vjeçare shqiptare u zhduk nga banesa e saj në Janinë, mesditën e 10 shtatorit të këtij viti. Bashkëshorti, shtetasi grek Panajotis Gjeorgjadhis iu drejtua emisionit ’Pa Gjurmë’ në Report TV me një apel për ndihmë, në kërkim të së shoqes.

Menjëherë sapo ky rast u bë publik, në pak minuta mbërritën informacionet e para, se Julia ishte parë këtë të dielë në Tepelenë, në gjendje të rënduar psikologjike. Një qytetar tha se e njeh të humburën, duke pretenduar se e ka parë në qytetin jugor. Në një lidhje telefonike ai u shpreh i sigurt se bëhej fjalë për gruan që kërkohet në ’Pa Gjurmë’.

"Unë e kam njohur këtë zonjë më parë. Ajo është larguar prej vitesh në Greqi. Unë jam i bindur se bëhet fjalë për Julian, apo Fatbardhën që njihja unë këtu në Shqipëri. Atë e pashë rreth orës 14:00, ditën e diel. Rrinte e ulur në disa shkallë të një subjekti privat dhe fliste me vete. Ishte e vetme", tha dëshmitari.

Gjatë një lidhje live me emisionin ’Pa gjurmë’, nga Vlora, shtetasi grek, rrëfeu ditën sesi u zhduk bashkëshortja e tij Julia. Dyshimet e bashkëshortit janë se gruaja e tij është strehuar nga kushërinjtë, të cilët nuk e lejojnë të kontaktojë as me djalin. Sipas tij janë ata që e mbajnë peng 40-vjeçaren, për të cilën nuk japin informacion.

"Të enjten më datë 10 shtator, bashkëshortja ka humbur kontaktet. Kur u largua i tha djalit se do të shkonte të pinte një kafe, por nuk u bë më e gjallë. Unë dyshoj se bashkëshortja ime ka folur me të gjithë të afërmit e vet, vetëm me mua jo. Julia kurohet për depresion. Unë dua të di a është mirë apo jo dhe ta ndihmoj. I bëj thirrje të afërmve të saj, që nëse e din të më tregojnë", u shpreh bashkëshorti.

Pas zhdukjes nga banesa e saj në Janinë, për habi të familjarëve u zbulua se Julia i ishte drejtuar tokës shqiptare, ku nga verifikimet në sistemin TIMS, rezulton të ketë kaluar me këmbë pikën kufitare të Kakavijës, e vetme. Julia Kalemi apo Fatbardha sikundër njihej në Shqipëri është e martuar me shtetasin grek Panajotis Gjeorgjadhis 21 vite më parë. 3 vitet e fundit 40-vjecarja kurohej nga depresioni, ndërsa ka tentuar edhe vetëvrasjen.

Djali 12-vjeçar, i drejton mesazhin prekës nënës: "Më ka marrë shumë malli për nënën. Nëse ajo nuk dëshiron të kthehet në familje nuk e detyrojmë, mjafton të jetë mirë me shëndet", u shpreh djali i Julias.

Video Emisioni i plotë

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë