Zjarri shkrumbon tregun industrial të Laçit, tregtarja: Një person na kërcënoi se do na digjte, policia s'e arrestoi (VIDEO)

LAÇ - Një zjarr masiv ka përfshirë tregun industrial të qytetit të Laçit rreth orës 6:00. Shkaku ka qenë zjarri në një lokal afër tregut të qytetit i cili më pas ka përfshirë edhe tregun industrial duke e përpirë nga flakët në pak minuta. Tre zjarrfikëseve u janë dashur rreth dy orë e 30 minuta për neutralizimin e flakëve. Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe forca të shumta policie si dhe një grup hetimor për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit.

Nga zjarri masiv nuk persona të lënduar por vetëm dëme materiale. I gjithë malli që ndodhej brenda tregut është djegur plotësisht. Në këtë treg mësohet se zhvillonin aktivitetin rreth 100 tregtarë, të cilët tashmë nuk kanë asgjë dhe do të kalojnë një fundvit të varfër në shtëpitë e tyre. Zjarri në tregun industrial ka ardhur vetëm një ditë para Krishtlindjes dhe në vigjilje të ndërrimit të viteve kur është edhe periudha e shumëpritur për tregtarët.

Dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, pasi tregtarët shprehen për Report Tv se janë kërcënuar pak ditë më parë nga një person që pretendon pronësinë e truallit ku ndodhet tregu se do t'i digjte. Pavarësisht kallëzimit në polici, uniformat blu nuk kanë marrë asnjë masë ndaj tij (Lexo këtu).  Flakët e zjarrit rrezikuan një biznes privat ngjitur me tregun, ku ndodheshin edhe disa bombula gazi, por ndërhyrja në kohë e punonjësve të zjarrëfikseve shmangu përfshirjen e godinës nga flakët. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:36
Ja momentet kur flakët 'përpinë' Tregun Industrial të Laçit (VIDEO)

Tregu Industrial në qytetin e Laçit u përfshi nga flakët gjatë orëve të para të mengjesit të sotëm. Report TV publikon pamjet në momentet e para të rënies së zjarrit kur flakët kishin përfshirë gjithçka.

Ora 11:25
Zjarri te tregu në Laç/ Çdo tregtar ka humbur mesatarisht nga 5 mln lekë mall

Dëmet e shkaktuara nga zjarri në tregun industrial të Laçit llogariten të konsiderueshme. Report Tv mëson se mesatarisht, rreth 100 tregtarë që ushtronin aktivitet në këtë treg, kanë humbur në dyqanet e shkrumbuara nga rreth 5 mln lekë. Prej mëngjesit të kësaj të hëne, tregtarët janë pa punë dhe përpara një dëmi kolosal për financat e tyre, pasi me dyqanet aty mbanin familjen.

Ora 08:33
Zjarrfikëset dy orë e gjysmë 'betejë' me flakët, shuhet zjarri në tregun e Laçit (VIDEO)

Pas rreth dy orë e 30 minuta, tre automjete zjarrfikëse dhe 15 punonjës të këtij shërbimit kanë neutralizuar flakët gjigande që përfshinë tregun industrial të Laçit mëngjesin e sotëm. Flakët rrezikonin edhe një banesë atyre pranë, por falë ndërhyrjes së shpejtë dhe në kohë të zjarrfikësve gjithçka u shmang.

Ora 08:30
Zjarri shkrumbon tregun industrial të Laçit (FOTO)

Nga zjarri masiv në tregun e Laçit nuk persona të lënduar por vetëm dëme materiale. Më poshtë mund të shihni fotot e pasojave të zjarrit.

Ora 08:25
Panik në Laç/ Flakët rrezikojnë edhe një dyqan ku tregtohen bombola gazi

Flakët që kanë përfshirë tregun industrial të Laçit rrezikojnë edhe një dyqan aty ngjitur ku tregtohen bombola gazi. Tre zjarrfikëse dhe rreth 15 punonjës të këtij shërbimi po punojnë për të penguar përhapjen e flakëve.

Ora 08:19
Zjarri në Laç, tregtari: Kisha dy dyqane që u shkrumbuan, ndihmoja fëmijët në shkollë

Ky tregtar ka humbur dy dyqane në tregun industrial të Laçit si pasojë e flakëve gjigande që e përfshinë atë në orët e para të mëngjesit. Ai thotë se është pensionist, ndërsa në treg punonte bashkë me bashkëshorten për të ndihmuar familjen dhe fëmijët në shkollë.

"Në orën 6 e pak na njoftuan për zjarrin. Unë jam tregtar. E marrim mallin në Tiranë dhe vijmë e shesim këtu për të mbajtur familjen. Gjithçka ka qenë aty brenda është djegur. Kisha dy dyqane këtu, bashkë me bashkëshorten në dy tezga të ndryshme. Jam pensionist, por me këtë treg ndihmoja edhe fëmijët në shkollë", thotë tregtari.

Ora 08:14
Zjarri në Laç, tregtarja: Një person kërcënoi se do na digjte, policia nuk e arrestoi (VIDEO)

Një tregtare e tregut industrial të Laçit ka deklaruar për Report Tv se pak ditë më parë ka qenë një person i cili ka kërcënuar tregtarët se do t'u vinte zjarrin. Sipas saj, kërcënimi është bërë nga një person që pretendon tokën ku ndodhet tregu.

Këtu fajin e ka vetëm shteti. Ka një javë që na paralajmëron se do të na vendosë zjarrin. E kisha me borxh dhe pa borxh për të jetuar për fëmijët e mi. Na kanë kërcënuar këta që janë në konflikt me tokën këtu. Erdhi policia dhe nuk e shoqëroi burrin. Janë 70 trgtarë që kanë humbur mallin dhe djersën këtu. Kanë jetuar me këto lekë. Kemi hyrë borxh me mund dhe djersë. Kush do na përgjigjet ne. Nuk kam asnjë burim tjetër jetese. Kam punuar me tre mujor në Greqi dhe erdha e hodha lekët këtu. 3-4 mln lekë i kam humbur unë. Ka të tjerë që kanë humbur 10 mln lekë. 

Tregtare

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Leonard Olli: Sistemi shëndetësor ka dështuar me sukses absolut këto 30 vite! Shëndetësia falas ka qenë 'përrallë me mbret'

Leonard Olli: Sistemi shëndetësor ka dështuar me sukses absolut këto 30 vite! Shëndetësia falas ka qenë 'përrallë me mbret'