Zjarret në aeroplanët e transportit të mallrave, dyshohet se u organizuan nga Moska

Zjarret në aeroplanët e transportit të mallrave, dyshohet se u organizuan nga Moska

DHL

Zyrtarët perëndimorë të sigurisë dyshojnë që agjentë të zbulimit rus ishin pas një plani për të vendosur pako me lëndë ndezëse në aeroplanët e transportit të mallrave drejt Shteteve të Bashkuara, përfshirë një aeroplan që u përfshi nga zjarri në Gjermani dhe një tjetër që u ndez në një depo mallrash në Angli.

Muajin e kaluar, Polonia arrestoi katër persona nën dyshimet për lidhje me një operacion të huaj zbulimi dhe veprime armiqësore ndërsa po kërkon për dy individë të tjerë.

Prokurori i përgjithshëm i Lituanisë, Nida Grunskiene tha të martën se janë arrestuar disa persona në disa shtete, por nuk dha detaje.

Këto njoftime u bën ndërkohë që zyrtarët perëndimorë thonë se gjatë këtij viti po shohin intensifikim të luftës hibride sabotuese të Rusisë që po vendos në shënjestër aleatët e Ukrainës, përfshirë dezinformatat zgjedhore dhe incidente zjarrvënëse në Evropë . Disa zyrtarë thanë se besojnë se sulmet janë kryer nga agjencia ushtarake ruse e zbulimit, e njohur me inicialet GRU. Moska i ka hedhur poshtë akuzat.

Agjencia polake për Sigurinë e Brendshme, ABW, tha se incidentet në Poloni si dhe në shtetet tjera anëtare të BE-se dhe NATO-s, janë shtuar gjatë këtij viti. ABW beson që ato janë kryer dhe bashkërenduar nga shërbimet speciale ruse. Deri më tani, janë ngritur aktpadi ndaj 20 personave në hetimet e udhëhequra nga zyra e prokurorit, agjencia ABW dhe policia.

Prokurorja polake Katarzyna Calow-Jaszewska tha se hetimet janë përqendruar tek agjentët e huaj të përfshirë në veprimtari sabotazhi, përfshirë dëmtimin e infrastrukturës industriale apo kritike, siç janë aeroportet, aeroplanët dhe mjete të tjera të transportit si dhe shkaktimi i zjarreve përmes paketave që ndizen vetvetiu, që dërgohen në shtetet e BE-së dhe në Britani, dhe që do të shpërthenin gjatë transportit.

Ajo shtoi se grupi ka testuar një mënyrë për dërgimin e paketave të tilla shpërthyese në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada.

Gazeta ‘Wall Street Journal’ ishte e para që njoftoi për këto incidente me aeroplanët e transportit të mallrave.

Administrata amerikane për Sigurinë e Transporteve, TSA, tha se gjatë muajve të fundit i ka shtuar masat e sigurisë për mallrat që transportohen drejt Shteteve të Bashkuara.

“Po shtojmë masat e sigurisë në përshtatje të situatave dhe po ndajmë të dhënat me vendet partnere, përfshirë rekomandime që çojnë në uljen e rreziqeve”, thuhet në një deklaratë nga TSA.

Në një deklaratë dërguar me email agjencisë së lajmeve Associated Press, zëdhënësi i postës së shpejtë DHL në Gjermani, Dirk Heinrichs, tha se kompania nuk mund të japë detaje lidhur me këtë çështje por po “bashkëpunon plotësisht me autoritetet për të mbrojtur punonjësit, rrjetin dhe dërgesat e klientëve tanë”.

Drejtuesi i agjencisë britanike të zbulimit të brendshëm, MI5, deklaroi muajin e kaluar se Britania e Madhe po përballet me një “rritje të shumëfishtë” të përpjekjeve ruse dhe iraniane për atentate, sabotime dhe krime të tjera.

Prokurorja polake, Calow-Jaszewska, deklaroi më 25 tetor se paketa me eksplozivë të kamufluar u dërguan përmes kompanive për transportimin e mallrave në shtetet e BE-së dhe në Britani për të “testuar kanalin e transferimit për pako të tilla” të cilat do të përfundonin në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada.

Dy pakot që përmbanin lëndë ndezëse u aktivizuan në Gjermani dhe në Britani gjatë muajit korrik.

Njëra u aktivizua gjatë një ndalese në qendrën për logjistikë të kompanisë DHL-së në aeroportin e Leipzigut, sipas kreut të shërbimit ë zbulimit gjerman, Thomas Haldenwang. Agjecia gjermane e lajmeve DPA, njoftoi se aeroplani në të cilën ishte paketa me lëndë ndezëse, që erdhi nga një shtet baltik, kishte vonesë në Leipzig dhe ndodhej në aeroport kur u ndez, duke djegur një kontejner transporti.

Policia britanike kundër terrorizmit po heton nëse agjentët rusë ishin prapa paketës që përmbante lëndë ndezëse, e cila u përfshi nga zjarri në një depo mallrash të firmës DHL-së në Minworth, në afërsi të Birminghamit, në pjesën qendrore të Anglisë më 22 korrik. Incidenti, i cili fillimisht u raportua nga gazeta “Guardian” dhe televizionet gjermane, ishte i ngjashëm me incidentin në Gjermani.

‘Gazeta Wyborcza’ e Polonisë, njoftoi gjithashtu për një zjarr në një kamion dërgesash në afërsi të Varshavës.

“Po shohim veprime agresive nga shërbimet e zbulimit rus. Në veçanti veprimtaritë e spiunazhit dhe sabotimit në Gjermani kanë shënuar rritje”, i tha zoti Haldenwang parlamentit gjerman muajin e kaluar.

Në një fjalim të rrallë publik mbi kërcënimet kryesore ndaj Britanisë së Madhe, drejtori i MI5, Ken McCallum tha se, “GRU, në veçanti e ka mision të vazhdueshëm nxitjen e trazirave në qytetet britanike dhe evropiane. Po shohim incidente zjarrvënëse, sabotime dhe vepra të tjera”.

Të martën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i quajti njoftimet e mediave për komplotet në fjalë, shembull të një “trillimi të mjegullt”./VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 11:38

    Buxheti 2025, a duhet pranuar amendamenti i PD-së për minimumin jetik?



×

Lajmi i fundit

Buxheti 2025, ekspertët: Shumë para në sasi, por pak cilësi, nuk ka politika të reja! Gjokutaj: Fokusi duhej te arsimi

Buxheti 2025, ekspertët: Shumë para në sasi, por pak cilësi, nuk ka politika të reja! Gjokutaj: Fokusi duhej te arsimi