Emisioni ‘Zonjat që bëjnë Shqipërinë’ në Report Tv/ Vera Bekteshi: Ëndrrat e prera për t’u bërë shkencëtare në diktaturë

Sot në Report Tv nisi emisioni “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”. Ky cikël emisionesh do të vijojë deri në 7 dhjetor, që do të kurorëzohet me çmimet që do të ndahen për zonjat në një mbrëmje gala. Në këtë emision janë disa profile speciale të zonjave më të suksesshme shqiptare.

Për të folur më shumë për emisionin në Report Tv ishte e ftuar Flora Nikolla, drejtore ekzekutive e Albanian Excellence. Njëkohësisht ajo është edhe producente e emisionit “Zonjat që bëjnë Shqipërinë” realizuar në bashkëpunim me Report Tv.

Drejtoresha e Albanian Excellence, Nikolla ka rrëfyer më shumë për figurën e zonjave të nderuara. Në puntatën e parë të emisionit ka qenë Vera Bekteshi, fizikane dhe shkrimtare.

Intervista në REPORT TV

Flora ju njohim per kontributin tuaj prej me shume se tre dekadash ne fushen e gazetarise por edhe si organizatore e drejtuese e producente e disa aktiviteteve te medha kulturore e sociale, ku se fundi kujtojme Albanian Excellence dhe Zonjat qe bejne Shqipërinë. A mund te na tregoni me teper rreth ketyre aktivieteve?
Kemi nisur një cikël emisionesh shumë fisnike me zonjat që do të prezantojmë, që do te kulmojë në 7 dhjetor ne MAK Albania Hotel. Nuk ka qenë e lehte për Albanian Excellence të zgjedhe duke qënë se ka shumë zonja që përpiqen të bëjnë më të mirën në punën ë tyre. Ka qënë një bord prej personalitetesh të njohur të cilët muaj pas muaji kanë sjell emra të cilat do të evidentohen në këtë cikël emisionesh. Personazhet e përzgjedhur janë zojna që pasqyrojnë realitetin dhe që me zellin e tyre duan të ndryshojnë diçka në Shqipërinë tonë. Dua të falënderoj gjithashtu personat që me kanë mbështetur si Alba Malltezi, Carlo Bollino dhe Dhurata Hamzaj.

Cfare jane sipas jush zonjat qe bejne Shqiperine dhe çfarë synon berja e nje emisioni në bashkëpunim me Report TV?
Ky cikël emisionesh nuk mjafton për të nxjerr të gjitha vlerat dhe kontributet, por le të jenë këto zonja si shembull i suksesit për zonjat shqiptare pasi ato janë të profesioneve dhe profileve të ndryshme. Zonjat flasin me dashuri për profesionin e tyre , për lidhjet e tyre, pas çdo gjeje të cilës i kanë dedikuar kohë, duke treguar momente dhe histrori. Do të kemi gjithashtu edhe projekte në të ardhshme ku do të evidentojmë “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”.

Cilët janë disa nga personazhet qe jane përfshirë ne listen e Zonjave?
Zonjat do ti zbulojmë javë pas jave, Duke nisur nga Pranvera Bekteshi, zonja Brunilda Paskali që sot  është këshilltare e kulturës dhe e çështjeve sociale pranë presidentit të Republikës.

Konkretisht ne emsionin e pare do te perzantohet nje profil i Vera Bekteshit. A mund te na flisni dicka me teper per kete personazh?
Pranvera Bekteshi është një fizikane dhe shkrimtare e cila është një zonjë shumë e nderuar, e cila në kohën e komunizmit kaloi një jetë të vështirë. Ajo ishte një fizikane ekselente që familjarisht u internua nga regjimi i kohës. Dy tipare të sajë si forca dhe optimizmi do i cilësoja si filozofinë e jetës së saj për ti mbijetuar internimit dhe për të nisur një jetë të re në Tiranë, për të kaluar nga fizika tek letërsia.

Puntata e parë

PUNTATA E PARË E EMISIONIT/ Vera Bekteshi: Ëndrrat e prera për t’u bërë shkencëtare në diktaturë
E lindur në Tiranë, në të ashtuquajturin Bllok të Udhëheqjes, Vera Bekteshi ishte vajza e Sadik Bekteshit, njërit prej ushtarakëve të lartë të periudhës komuniste, e cila në rininë e saj ëndërronte të ishte një shkencëtare. Në vitin 1969 mbaroi studimet në Degën e Fizikës, në Universitetin e Tiranës, ku më pas dha mësim si pedagoge, por ëndrra e saj u pre në mes. Në vitin 1974, diktatori Enver Hoxha nisi fshesën e hekurt mbi ushtarakët e lartë. Fizikanja u divorcua nga bashkëshorti, sepse ai nuk deshi të vuante pasojat bashkë  me të në internim.

Vera Bekteshi, në intervistën e saj për emisionin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, organizuar nga Albanian Excellence dhe Report TV rrëfen se për gati 16 vjet, jetoi e izoluar së bashku me familjen në fshatrat Kutalli e Vodëz të Beratit. Vetëm pas rënies së diktaturës, u rikthye në Tiranë.

Ëndrra e saj për t’u bërë shkencëtare i zgjoi energji të reja brenda vetes. Ajo ishte një grua e fortë. Diti të ringrihet. Më 1997 mbrojti doktoraturën dhe vijoi punë në dy profesione. Gjatë emisionit “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, Vera Bekteshi rrëfen se librat e saj, simbolikisht, janë një ditar i kohës së diktaturës, që nisin nga vila e saj në bllok me porta të fshehta, përshkrimin e së cilës e gjejmë tek “Vila me tri porta”, një libër që ka vetëm pak që u promovua.  Vera Bekteshi, fizikantja-shkrimtare flet gjatë intervistës edhe për ndryshimet thelbësore që duhen bërë në këto dy fusha.

E përzgjedhur nga Bordi i Albanian Excellence si “Zonjë që bën Shqipërinë”, gjatë intervistës për emisionin e transmetuar në Report TV, Vera Beteshi ka rrëfyer se kurrë nuk do të ndalet për të bërë sërish e sërish gjithçka që mundet për vendin e saj?

Vera Bekteshi gjatë intervistës të mahnit me forcën, kurajën dhe zemërgjerësinë e saj.

Duke e dëgjuar gjatë emisionit këtë zonjë të nderuar, përcillet edhe një mesazh. Asnjë njeri nuk i parashikon fatkeqësitë apo greminat e jetës, por Shqipëria nuk duhet të jetë më vendi që “ha” bijtë e saj.

Portreti i kësaj gruaje të bukur dhe fisnike, duket sikur i parathotë të gjitha. Kjo që do të njohim gjatë kësaj interviste është Vera Bekteshi, Vera që ka investuar pa rezerva për Shqipërinë, vendin ku ka lindur.

Si e zgjodhët profesionin tuaj?
Unë kam mbaruar shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, e cila në kohën kur studioja unë kishte një plejadë të tërë nxënësish të shkëlqyer. Kur është bërë një nga përvjetorët ose ekselenca e “Petro Ninit” nuk dinin se kë të vinin, kaq shumë nxënës të shkëlqyer kishte. Me sa duket, unë isha më mirë në lëndët shkencore të sakta si fizika e matematika. Mbase më shumë në matematikë se në fizikë. Por fizika më tërhiqte më shumë, pa e ditur se atëherë ishte filozofia e natyrës. Kishim edhe një pedagog të mrekullueshëm, Vangjel Tatin, që sot nuk jeton më, dhe ai kur më ngrinte në mësim nuk më jepte problemet e programit por të universitetit, që mua më duheshin disa minuta për t’i zgjidhur por për faktin që e dija se ai do të më jepte gjëra më të vështira se sa nxënësve të tjerë, truri angazhohej dhe si përfundim, kur bënë listën e kërkesave për në universitet unë vura fizikë-fizikë-fizikë. Ne kemi kaluar dy seleksionime dhe gara ka qenë shumë e fortë. Garën e fitoi një korçar, si vendi i matematikës, por ja që në këtë rast edhe i fizikës. Quhej Nesti Prifti.

Kishit ëndërr të bëheshit shkencëtare?
Po, unë e kisha ëndërr të bëhesha shkencëtare kur isha adoleshente dhe ishim ende në marrëdhënie të mira me vendet e kampit socialist. Unë gjithnjë mendoja që do të studioja në Gjermaninë Lindore, për arsye se Gjermania ka nxjerrë fizikantë dhe matematicienë të jashtëzakonshëm që nga mesjeta. Shpresoja të studioja atje dhe pastaj të punoja në Dubna, në Moskë, në qendrën bërthamore, ku kishte punuar një nga pedagogët tanë, Flamur Zela. Nuk ishte një gjë e paarritshme, por u prishën marrëdhëniet dhe unë vazhdova në Shqipëri. Ne kemi bërë një shkollë jashtëzakonisht të fortë sepse ne studionim me ato tekste që studionin në universitetet ku bëhej lënda e fizikës në ish-Bashkimin Sovjetik. Kemi pasur pedagogë të shkëlqyer dhe nuk jam fare pishman që kam mbaruar për fizikë.

Kishte shumë vajza?
Kishte katër vajza tiranase, ndoshta në ekselencë do të jetë edhe një shoqja ime, nuk e di. Të katërta ne ishim shumë të mira dhe haheshim me djemtë. Kur kam qenë në Konferencën Ndërkombëtare të Grave Fizikante, në Paris, ku morën pjesë 300 delegate nga e gjithë bota, konkluzioni ishte që gratë fizikante, edhe pse shkëlqenin njëlloj si burrat, nuk u jepeshin poste drejtuese. Dhe vendi më i dalluar ishte Franca, për çudi të ndjekësve që mendonin se duhej të ishte Amerika. Franca ishte vendi më favorizues për gratë fizikante, ndoshta nga tradita e Mari Kyrisë.

Ëndërroje ta ndryshoje këtë realitet, që gratë fizikante të kishin një barazi me burrat?
Unë isha tërësisht koshiente që në Shqipëri nuk mund të bëhesh fizikant, të mos them i madh, por as i vërtetë, për arsyen se ne nuk kishim laboratorë. Laboratorët tanë i rregullonin laborantët, si të thuash, me gishta. Ishin shumë të vjetër sepse nuk kishte mundësi universiteti që të blinte aparate bashkëkohore. Por ajo puna në laborator më pëlqente dhe ndoshta prandaj gatuaj sepse të gjithë njerëzit që kanë punuar në laborator kanë një lloj prirjeje në gatim, duke qenë se u zhvillohet ndjenja e masës.

Si kaluat në letërsi?
Për arsye që nuk vareshin nga unë, në momentin kur unë po përgatitesha për doktoratën dhe isha 28 vjeçe. U përgatita të shkoja në minierën e Valiasit për të studiuar përmbajtjen e siliciumit (me sa mbaj mend unë se kanë kaluar më shumë se 40 vite) në qymyret e minierës. U futa në këtë grup pune, pra në trupin e ngurtë. Atëherë u dënua babai im dhe e gjithë familja u internua, kështu që unë u shkëputa nga fizika për 16 vite. Gjëja që ëndërroja më shumë në fshat ishte që të kthehesha edhe një herë në tavolinën e punës. Dhe ndoshta është kjo arsyeja që kur ne bëmë një testim në kooperativë për të shtuar 3-4 lekë në ditë, mua, meqenëse kisha punuar në universitet dhe në kërkim, më kërkuan që të testohesha me lëndën e agronomëve. Dhe unë studiova njëlloj sikur do të studioja për agronomi. E mora testimin por nuk ma dhanë, luftova dhe pastaj ma dhanë.    Unë kam pasur një fat shumë të madh në jetë, që kam punuar në dy fronte, të cilat i kam dashur, që janë shkenca dhe letërsia. Nuk e di se kë kam dashur më shumë, them tani, sepse kur isha në gjimnaz dhe kisha pedagog letërsie Gjergj Zhejin, ai më pati thënë që “ti një ditë do të shkruash”.

 Ju pëlqente pozicioni i babait tuaj?
Prindërit e mi kishin profesione të nderuara, babai ishte gjeneral, mamaja ishte juriste. Por mua nuk më tërhiqnin aspak ato profesione. Nuk më pëlqente as lufta as drejtësia ekstreme e asaj kohe. Por nuk kam pasur asnjë vokacion, për të dy ato profesione. Ndërkohë babai i kishte tiparet e shkencëtarit, studionte histori, gjuhësi dhe kur ishim në internim, para se të arrestohej, ka lexuar tri herë librin e Ajnshtajnit “Evolucioni në fizikë”, që është një libër i divulguar. I vetmi në shtëpi, përveç meje sigurisht. Të tjerët nuk e morën, ai e mori. Kishte krejtësisht tiparet e një shkencëtari. Kurse mamaja këndonte, kishte tiparet e një artisteje. Letërsia është një gjë që e do shumë, e do me shpirt dhe patjetër që do ta bësh tënden. U nisa, siç i premtova asaj hardhuckës në internim, që një ditë do t’i shkruaja të gjitha ato ngjarje, të gjitha ato padrejtësi që mund të pësojë njeriu fare kot, pa bërë gjë vetë, për një arsye madhore shtetërore, për përfshirjen e babait në të ashtuquajturin “grup puçist”, i cili nuk ishte fare i tillë, por që gjithnjë ka arsye që quhet arsye shtetërore. Unë u shkëputa nga fizika dhe atje, gjatë dimrit, lexoja shumë sepse në verë nuk kishim kohë. Punonim nga 20 orë në ditë gjatë verës, që kur lindte dielli e deri sa perëndonte sepse pozicioni ishte lindje-perëndim. Ndërsa në dimër kishim shumë kohë në darkë dhe unë lexoja. Merrja edhe librat e katër familjeve të tjera që ishin tiranase dhe kështu që lexoja edhe në gjuhë të tjera. Kjo qe edhe arsyeja që, pasi erdha këtu, nuk fillova të shkruaja menjëherë. Në librin e parë kam shkruar jo vetëm për ngjarjet e internimit, por edhe për origjinën time, për gjyshërit e gjyshet. Por lënda kryesore është jeta në internim e familjes sime dhe e tri familjeve të tjera, përfshirë këtu edhe të tjerë që unë i njohja ose jo dhe rangu ynë i nomenklaturës, por edhe të tjerë. Gjyshja ime kishte punuar në shtëpinë e Dan Hasanit, vëllai i të cilit u vra me grupin e deputetëve, kështu që unë i dija edhe këto ngjarje. Gjyshja ime ishte internuar në kohën e Zogut, në shtëpinë e doktor Radojës. Babai im ishte internuar në Ventotene dhe burgosur në burgun e Napolit. Dija edhe ngjarje që kishin ndodhur para vitit 1944, jo vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Mendoj që versioni i parë ka qenë shumë sintetik, nga frika se mos mërzisja lexuesit. Tani unë e kam shtuar shumë, e kam plotësuar me ngjarje sepse u bënë 15 vite që shkruaj dhe nuk e kam më atë frikë.

Si i shikoni shkrimtarët dhe fizikantët e sotëm? Çfarë do t’u sugjeronit? Si e shikoni cilësinë e këtyre dy shkencave?
Është për të ardhur keq, por sivjet dega e fizikës u mbyll në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Ky ishte një lajm shumë i keq për mua sepse gjatë gjithë këtyre viteve, pas vitit 1991, studentët që kanë vazhduar degën e fizikës kanë qenë ata studentë që nuk kanë fituar në degë të tjera dhe si rrjedhim, kanë qenë më të dobëtit, të cilët, në raste të veçanta, nuk kanë ditur as ligjet e Njutonit, që është mekanika bazë e fizikës. Kurse letërsia ka njohur maja, them unë. Edhe ata të vjetrit kanë shkruar më mirë. Kanë dalë edhe të rinj që janë në Shqipëri, por edhe ata që janë jashtë dhe që shkruajnë nga jashtë. Dhe thuhet se letërsia, ndoshta, në mos cilësi ka larmishmëri më të madhe.

Çfarë sugjeroni ju si një personalitet në të dyja fushat? Cilat do të ishin ato impulse që mund të japim ne, nëpërmjet këtij projekti “Zonjat që bënë Shqipërinë”, të cilat do t’i ndryshonin këto fusha? Kapaciteti juaj çfarë idesh mund të japë?
Asnjë projekt nuk e ndryshon gjendjen. Ideja ime është kjo që me profesionin është e lidhur puna. Jam e bindur që të gjitha zonjat që do të dëshmojnë eksperiencën e tyre në profesion, gjithçka ka qenë e bazuar te puna dhe përkushtimi. Një gjë tjetër që më duket mua personale, është se përveç punës, jeta e njeriut, i cili dallon nga kafsha për shkak të punës, nuk i përket vetëm atij, i përket edhe të tjerëve, edhe puna edhe jeta e tij. Me anën e punës, sado pak të mundohesh të lësh një shenjë. Në qoftë se je qëndistar, lër një qëndisje, trashëgoje. Në qoftë se je këngëtar apo çfarëdo lloj profesioni, orëndreqës, rrobaqepës, le pastaj artist apo shkrimtar, që detyrimisht do të lësh diçka të shkruar ose të filmuar ose të kompozuar ose të pikturuar, sa degë janë të artit ose të shkencës. Ose do të lësh një patentë në qoftë se je inxhinier.

Ky është mesazhi që do t’u jepnit “Zonjave që bëjnë Shqipërinë” përpara se të merrni dhe titullin, që puna dhe jeta jetojnë bashkë?
Mua kështu më duket. Ta jetojmë jetën në mënyrë të tillë që t’i ketë vlejtur vetes tënde dhe të tjerëve, të ketë një kuptim.

Ky është një mesazh shumë i bukur që vërtet të bën të mendosh dhe shumë tronditës për ata që e perceptojnë. Keni ndonjë iniciativë
personale për vitin 2019, që mund të bëhet edhe kombëtare?
Atëherë, duke qenë se unë e kam provuar dhunën në kurriz, jam shumë e ndjeshme ndaj dhunës së ushtruar njeriut në përgjithësi dhe gruas në veçanti. Dhe ashtu siç kam dënuar dhunën ndaj natyrës, sepse kam qenë dhe jam aktiviste, dhe jam pjesë e “këshillit të të urtëve”, kështu e kanë quajtur disa ambientalistë sepse jemi të vjetër dhe kemi dhënë ndonjë kontribut. Merreni me mend kur unë kam mbrojtur lumin Vjosa, merreni me mend njeriun që është qendra e natyrës dhe e gjithësisë.

Pra merrni iniciativë kundër dhunës?
Absolutisht, do të jem aktive në të gjitha ndërmarrjet që ju do të bëni, në të gjitha projektet që ju do të keni. Do të më keni në krye.

Edhe në iniciativën që kemi ndërmarrë ne për gratë e dhunuara në Kosovë do të kemi mbështetjen tuaj?
Patjetër. Unë e kam origjinën nga ato troje, Kosovë-Mali i Zi, aty kanë qenë, të pandara. Kam edhe një mesazh tjetër. Profesioni është i lidhur me punën në radhë të parë dhe mesazhi që unë u jap shkrimtarëve të rinj, fizikantëve të rinj sepse dega e fizikës do të hapet përsëri, është që të nxënë. Unë për vete përpiqem që të nxë çdo ditë, edhe gjëra kot fare. Këtë e kam mësuar nga Heminguej dhe pastaj e kam mësuar edhe në fshat. Do t’ju them rastin e një shkrimtari të madh, të një nobelisti dhe rastin e grave fshatare të fshatit. Më duket sikur përkojnë. Me gruan e parë, kur ishin në Paris (është një libër shumë i bukur “Një grua në Paris” që flet për Heminguejin dhe kryesisht për të shoqen), ajo kishte shtruar drekën dhe i thotë: “Pse rri kot? Eja, ulu”. Ai po vështronte jashtë dritares dhe i tha: “Nuk po rri kot, jam duke punuar”. Duket shumë e largët, por këtë gjë e kam parë në fshat, kur ishim përpara një are të madhe që ne duhej ta mbaronim. Në kooperativë ishte vështirësia që, jo vetëm që do të paguanin aq sa punoje, por ishe e detyruar që ta mbaroje lëmin apo arën apo vjeljen sepse toka të nesërmen do të punohej. Unë fizikisht kam qenë e fortë, por bujqësia është shumë e vështirë. Nuk duhet të mburret njeri. Miniera është më e vështirë, por për gratë bujqësia është puna më e vështirë, në diell e në shi. Një nga ato gratë e mençura të fshatit, të cilat unë i adhuroja, saqë thuhej se “kooperativën e mbajnë gratë dhe qetë, jo burrat dhe traktorët”, më tha: “Syri është qoti, krahu është flori”. E gjeta në fjalor që qoti do të thotë i trembur, pra syri sheh gjithë atë arë dhe trembet, krahu, i cili është truri se truri i komandon krahët, është flori. Pra, mesazhi im është “mos u trembni përpara arës së madhe që keni për të punuar gjatë jetës, krahu dhe truri juaj është flori”.

Doni të na thoni diçka për librin që po punoni, projektin tuaj të fundit?
Projekti im i fundit që mbaron pas dhjetë ditësh apo pas dy javësh, është botimi i “Vilës me tri porta”. Për të qenë e ndershme me lexuesit, nuk i vura emër të ri, nga “Vila me dy porta” e çova me “tri”.

Cila është “Vila me tri porta”?
Në fakt ka pasur tri porta ajo. Unë e bëra me dy në kuptimin që hyn i gëzuar dhe del i hidhëruar nga ajo vilë sepse të gjithë banorët e asaj vile janë pushkatuar ose kanë shkuar në internim. Por ajo ka pasur edhe një derë të vogël, që ruhej nga një rojë. Veçantia e librit të parë është se ai ëshrtë një libër që nuk ka asnjë sajesë. Janë kujtimet e mia dhe të vëllezërve dhe të motrës sime, tani për së dyti, prandaj është një libër me katër zëra, por i shkruar prej meje. Por kam lënë disa fraza të guximit të vëllait të madh sepse me sa duket, ai ka pakëz prirje për të shkruar. Mbase edhe ai do të shkruajë një ditë. Por libri nuk ka asnjë sajesë. Janë të gjitha ngjarje të vërteta, sipas meje, por që kanë ndodhur. Mua më është dashur të nxjerr nga serveri ngjarjet dhe vetëm t’i seleksionoj sepse jo çdo ngjarje është e rëndësishme për librin, për atë që dua të them, për mesazhin që dua të jap. Por ama nuk kam sajuar asnjë gjë. Ju rekomandoj të lexoni një kapitull, “Në pyll”, si bëheshin drutë në fshat dhe vëllai im e mbyll kështu: “Kur prisja marenë e vjetër, druri qante”. Meqenëse lëngu i drurit të prerë ishte i kuq, unë kam shtuar: “qante me lot gjaku”. Dikush që sot është një njeri i njohur dhe që e ka lexuar versionin para botimit, më tha: “Më ke goditur me atë sepse m’u kujtuan të gjitha”. Riti i sigurimit të druve në fshat është si riti i sigurimit të zahireve të dimrit”. Ato bëhen të organizuara dhe aty është bukuria. Disa lloje drush lejohej të priteshin dhe disa të tjerë jo. Në përgjithësi ahun dhe lisin i merrte shteti, ndërsa djemtë tanë merrnin marenë, por jo plepin. Bëheshin dru në pyllin e Lumasit, kishte dru atje.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Çelet në Lushnjë panairi ‘Ditët e Bujqësisë’, pjesëmarrëse 94 kompani nga vendi, rajoni e bota

Çelet në Lushnjë panairi ‘Ditët e Bujqësisë’, pjesëmarrëse 94 kompani nga vendi, rajoni e bota