Çfarë trishtimi ata flamuj amerikanë në Unazën e Re

Çfarë gjëje e trishtuar jane ata flamuj amerikanë që valëviteshin nga demonstruesit e Astirit ndërkohë që përplaseshin me Policinë. Përdorimi i flamurit amerikan të kujton protestat e para të Partisë Demokratike, kur në vitin 1992 marshonte në shesh për të përmbysur një regjim diktatorial dhe e bënte këtë duke shpalosur mbështetjen nga një vend i madh demokratik perëndimor.

Por ç’punë ka sot ai simbol, në prag të vitit 2019, që shpaloset në protestat e Unazës së Re? Në cilin cep të Shteteve të Bashkuara të Amerikës parashikohet që shtëpitë pa leje të gëzojnë imunitet nga ligji? Cilin parim të lirisë, demokracisë dhe barazisë shoqërore mbrojnë demonstruesit, të cilët sulmojnë Policinë për të mbrojtur shtëpitë dhe bizneset e tyre të ndërtuara në mënyrë abuzive? Dhe si mund të pretendohet të veprosh në emër të flamurit amerikan, qoftë edhe po të mendosh se në Shtetet e Bashkuara këdo që guxon të ngrejë zërin ndaj një agjenti të Policisë (jo të hedhë shashka kundër tij) në moment e shtrijnë përtokë me pistoletë elektrike dhe e mbyllin në qeli?

Ata flamuj amerikanë, që drejtuesit e Partisë Demokratike ua vunë në duar protestuesve, tregojnë se sa e vjetër është kjo protestë. Dhe se si, pas 25 vjetësh, PD ende nuk ka mundur të transformohet në një forcë politike moderne dhe evropiane. (c.bo)    

Komento