Ish-rilindasi Koço vetëshpallet kandidat për Tiranën

Qenka e vërtetë se politika shqiptare rezervon çdo ditë të papritura, herë tragjike, por më shpesh qesharake. Gallata e fundit është vetëshpallja, si kandidat për Bashkinë e Tiranës, e Koço Kokëdhimës. Me solemnitetin burokratik, për të cilin është i famshëm (ndërmarrjet e tij kanë më shumë departamente, se sa punonjës), Koçua i bëri të ditur gazetarit Ylli Rakipi se “kam vendosur t’i kërkoj mbështetje kongresit të Partisë ‘Zgjidhja’ më 4 maj, për të sfiduar Erjon Veliajn, në garën për kryesimin e Bashkisë së Tiranës”.

Koçua është i famshëm për inskenimet e tij dhe tani bën sikur ka një parti të vërtetë, me një kongres të vërtetë, të cilit bën gjoja sikur i kërkon mbështetjen. Dhe, në delirin e tij të plotfuqishmërisë, bën gjoja sikur mund të garojë dhe madje të fitojë “për ta ndërprerë vazhdimësinë e Erjon Velisë, sepse është një person tipik, përfaqësues i sektit të Rilindjes”. Koçua bën sikur harron se në vitin 2013 u zgjodh deputet pikërisht si rilindas dhe se ai ka qenë një nga themeluesit e sektit të rilindasve, por përfundoi duke u përjashtuar për arsye që tani bën sikur i ka harruar.

Pasi prishi lidhjet me Partinë Socialiste, tani Koçua shpall kandidaturën e tij, duke prishur lidhjet edhe me frontin e opozitës, prapa të cilit deri tani ishte fshehur.

Koçua kundër të gjithëve.

Komento