Opozita nuk ka qenë kurrë më e mirë se qeveria që sot kritikon (22 gjëra që duhen kujtuar se çfarë ndodhte kur PD dhe LSI ishin në pushtet)

Ndërkohë që opozita zbret në shesh dhe provon të përmbysë qeverinë me metoda ekstra-parlamentare (sikur të ishte një lëvizje popullore e porsakrijuar, që kërkon me forcë të hyjë për herë të parë në sistem), është e domosdoshme të kujtohet se Sali Berisha ka qeverisur vendin për 13 vjet, Lulzim Basha për 8 vjet dhe Monika Kryemadhi, me LSI-në e saj, për 12 vjet. Dhe duhet të kujtohet edhe se, gjatë qeverisjeve të tyre:

1.  Kishte korrupsion dhe asnjëherë asnjë fajtor nuk është arrestuar
2.  Kishte plantacione marijuane
3.  Kishte trafik të drogave të rënda
4.  Kishte banda kriminale dhe shpesh këto banda ishin të lidhura edhe me përfaqësues të PD dhe LSI, dhe jo vetëm në zonat e Durrësit e Shijakut
5.  Kishte shit-blerje të votave
6.  Kishte mashtrime elektorale
7.  I gjithë aparati i Drejtësisë (Prokuroria, Gjykatat, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese) kontrollohej nga mazhoranca PD-LSI dhe pandëshkueshmëria e zyrtarëve të administratës publike e politikës ishte totale
8.  Çmimet ishin tepër të larta krahasuar me pagat e njerëzve të thjeshtë
9.  Pensionet ishte tepër të ulta krahasuar me çmimet
10. Botuesit e pavarur ishin nën presion dhe ata që ishin servilë ndaj PD-së merrnin nga qeveria miliona euro çdo vit
11. Gazetarët e pavarur kërcënoheshin
12. Oligarkët ishin miq të qeverisë
13. Taksat ishin të larta, por pjesa më e madhe e rrugëve ishin të shkatërruara, qendrat urbane të lëna pas dore dhe periferitë të braktisura
14. Tenderat i fitonin vetëm miqtë e qeverisë
15. Policia ishte e korruptuar dhe shpesh bashkëpunonte me bandat kriminale
16. Opozita poshtërohej çdo ditë me forcën e kartonave dhe nuk kishte asnjë fuqi, kërkesat e saj injoroheshin nga mazhoranca, ose hidheshin poshtë pa asnjë përpjekje për kompromis. Dhe kur opozita protestonte në shesh, rrihej nga forcat speciale dhe ndonjëherë edhe vritej
17. Të gjithë drejtuesit kryesorë të institucioneve (nga SHIK-u deri tek Presidenti i Republikës) zgjidheshin ekskluzivisht nga mazhoranca
18.  Korrupsioni në spitale ishte shumë i lartë, kushtet në spitalet publike ishin dramatike por, në vend që të përmirësonin sistemin publik, PD dhe LSI i hapën rrugë fenomenit të shëndetësisë private
19.  Kishte shume koncesione dhe ato fitoheshin vetëm nga oligarkët dhe biznesmen e lidhur me PD-në ose LSI-në
20.   Korrupsioni dhe nepotizmi në universitetet publike ishte shumë i lartë, studentët flinin në konvikte që ngjanin si baraka por, në vend që të investonin në sistemin universitar publik, qeveria e PD dhe LSI i hapën rrugë fenomenit të arsimit privat
21.  Një listë e gjatë pronash publike iu dhuruan klientëve të PD dhe LSI
22.  Papunësia ishte e lartë dhe shqiptarët edhe atëhere ëndërronin të emigronin jashtë për të gjetur një jetë më të mirë.

Të kujtosh që gjithë këto ndodhnin deri pak vite më parë, nuk shërben për të justifikuar gabimet e Edi Ramës, as për të pretenduar se qeveria aktuale i ka zgjidhur të gjithë këto probleme ose nuk ka bërë të tjera, por vetëm për të shpjeguar pse opozita, që sot propozohet si alternativë, ka dhënë tashmë një shembull shumë të keq të mënyrës se si konceptohet pushteti dhe nuk ka qenë kurrë më e mirë se qeveria, të cilën ajo e kritikon.

Komento