Pamjet televizive e dëshmojnë: protestuesit thyejnë kordonin e Policisë. Përse gënjen Basha?

Nuk ka nevojë për 10.000 vetë që të provokosh kaosin. Mjaftojnë 100 apo 200. Sot, para Kuvendit, protestuesit e organizuar nga opozita nuk ishin më shumë se njëmijë, megjithatë mjaftuan njëqind prej tyre, me Berishën e Bashën në krye, për të thyer kordonin e policëve, që mbronin pa armë Parlamentin, duke sjellë kështu reagimin e forcave speciale. Tensioni zgjati gjysëm ore, por ato pamje do të bëjnë prape xhiron nëpër mediat ndërkombëtare, duke vazhduar të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në prag të sezonit turistik. Paradoksi është se, pasi theu kordonin e Policisë, krerët e opozitës akuzuan forcat speciale se përdorën gazin lotsjellës. Po çfarë duhej të kishte bërë Policia: të lejonte sulmin e Kuvendit pa reaguar? Më 16 shkurt, po kjo opozitë akuzoi Policinë pikerisht për të kundërtën, pra se e kishte hequr kordonin mbrojtës dhe nuk kishte mbrojtur “aq sa duhet” Kryeministrinë, “duke i shtyrë”, kështu, protestuesit që të thyenin xhamat dhe duke provokuar akte vandalizmi.

Pamjet e televizioneve, të cilat edhe sot bënë një sforcim heroik duke transmetuar direkt trazirat, nuk lenë vend për asnjë dyshim: edhe sot ishin protestuesit, me Berishën dhe Bashën në krye, që thyen kordonin e Policisë. Por Berisha e Basha e mohojnë dhe e quajnë reagimin e Policisë si provokim “kundër popullit”. 

Tanimë është e qartë: është si një lojë me letra të falsifikuara, në të cilën ajo çka ndodh para syve të të gjithëve manipulohet dy minuta më vonë. Opozita, për të fituar konsensus, para së gjithash, duhet të jetë e besueshme. Të gënjesh në mënyrë kaq flagrante, demton kauzën e saj dhe shton dyshimin se në realitet ata gënjejnë për gjithshka.          

Komento