Plan ''puçist'' i Bashes: i frikshëm apo qesharak?

Lulzim Basha dhe aleatët e tij njoftuan sot se nisën procedurat për djegien e mandateve dhe se që nga dita e enjte nuk ka më Parlament. Por njoftimi, ose është vetëm një bllof, ose tregon injorancë absolute në rrafshin kushtetues. Projekti i shpallur nga opozita, në fakt, parashikon të digjen mandatet dhe pastaj të krijohet një qeveri tranzicioni, por pa Edi Ramën kryeministër, për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Por, edhe sikur të pranonim se Rama do të vendoste të jepte dorëheqjen (hipotezë që duket krejtësisht e pabesueshme), cilët deputetë do të jepnin votëbesimin për një qeveri të re të tranzicionit kur, ndërkohë, përfaqësuesit e opozitës kanë djegur mandatet e tyre?

Ose projekti është aq i çmendur sa të pretendojë se do të ishin socialistët që do të votonin një qeveri të zgjedhur nga PD-ja, ose Basha, i rrëmbyer nga euforia e revoltës, e ka humbur krejtësisht sensin e realitetit.

Basha ka shpallur edhe se objektivi i parë i qeverisë së re të tranzicionit do të jetë të fillojë hetimet kundër Ramës dhe të arrestojë Vangjush Dakon. Nga ky këndvështrim, më shumë se një projekt demokratik, të ngjan me një plan puçist: të përmbyset mazhoranca parlamentare dhe të arrestohen përfaqësuesit e saj. I frikshëm apo qesharak.Në realitet, Basha nuk ka as forcën politike, as aftësinë organizative për të realizuar një projekt të tillë eversiv. Duke mos mundur të djegë qeverinë, ka vendosur të djegë mandatet e tij. Duke mos mundur ta bëjë mazhorancën të dorëhiqet, ka vendosur se do të jetë opozita ajo që do të dorëhiqet. Kështu që nuk mbetet gjë tjetër veçse të konkludosh se edhe shpallja e djegies së mandateve është një letër false, të cilën Basha e ka hedhur mbi tavolinë si një fëmijë tekanjoz, i cili vendos të thyejë të vetmen lodër që ka, për të mërzitur prindërit. 

Komento