S’dinë të ndalen! Anila Basha vjedh intervistën ekskluzive të Zylfije Haklajt për Shqiptarja.com

Gazeta Shqiptarja.com dhe vjedhja në portalin e Anila Bashës

S'është lajm i ri që portalet shqiptare ekzistojnë, mbijetojnë dhe zvarriten vetëm në  bazë të parimit “Vidh, publiko, kliko”.

Pa kokëçarje mbi rregullat që duhet të funksionojë bota e medias, tani s’flitet më për plagjiaturë por për vjedhje. Kulmin e ka arritur sot gazetarja Anila Basha në portalin e saj.

Në një kohë kur Shqiptarja.com në web, ende s’e ka publikuar intervistën, portali i Anila Bashës e ka hedhur intervistën ekskluzive të gazetës Shqiptarja.com/print, pak orë pas botimit, online.

Bëhet fjalë për intervistën e Zylfije Haklajt, motrës së 4 vëllezërve Haklaj, e cila tregon pas 16 vitesh çfarë ndodhi në Tropojë, si edhe përplasjen me Berishën.

Intervista është zbardhur “hajdutçe”, duke shkëputur citime dhe duke ripërpunuar punën e gazetarëve të Shqiptarja.com.

Pas vjedhjes nga Anila Basha, kanë filluar vjedhjet nga portalet e tjera online, si Tema apo Pamfleti të cilat e kanë marrë lajmin copy-paste, ndërkohë Shqiptarja.com se ka hedhur akoma intervistën e plotë.

Shqiptarja.com vidhet përditë nga portalet shqiptare, që marrin “gati” lajmet e konsumit ditor, por sot vidhet një intervistë ekskluzive krijuar, shkruar e botuar nga gazeta Shqiptarja.com.

Ta quash “pirateri” online, nuk mjafton. As “citimi” nuk mjafton! Nga sot, Shqiptarja.com çdo rast si ky do ta ndjekë në rrugë ligjore, në pamundësi për të gjetur gjuhën e përbashkët në një treg mediatik pa rregulla.  

Komento