25 Prilli/ Modeli i fletës së votimit? PS dhe PD ndahen për kandidatët! Çaka: Të jetë me numra!

3 Mars 2021, 16:20

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka miratuar fletën e votimi, mbi të cilën më 25 prill qytetarët do të hedhin votën e tyre. Partitë politike janë të ndara, e në dilemë se cila është fleta e duhur janë edhe anëtarët e Komisionit Rregullator.

Dritan Caka, anëtari i rregullatorit, nuk përjashton asnjë nga modelet mbi të cilat po punohet, por thotë se  fleta e votimit ku kandidatët janë të reflektuar me numra është më e thjeshtë.

Sipas Cakës komisioni Qendror i zgjedhjeve ka gjetur edhe zgjidhjen që përfaqësimi i emrit të kandidatit nëpërmjet numrave të mos krijojë konfuzion te votuesi.

“Përsa i përket anës teknike, edhe për këtë komisioni qendror i zgjedhjeve ka gjetur një zgjidhje. Në dhomën e fshehtë ku votohet mund të ketë lista të çdo partie politike për të shprehur emrat e kandidatëve, sipas renditjes që ka përcaktuar secila parti. Është e zgjidhur nga pikëpamja teknike.”, thotë Çaka.

Duke iu përgjigjur interesit të Report Tv, anëtarja e Komisionit Rregullator Helga Vukaj tha se çdo kandidat duhet të identifikohet me emër e mbiemër dhe jo si numër, pasi sipas saj vetëm kështu identiteti i kandidatëve mund të dëshmojë për integritetin e tyre dhe votëbesimin.

Por, si Vukaj mendojnë edhe partitë e vogla të renditura në koalicion me Partinë Demokratike. Mediu i PR dhe Agron Duka kërkojnë domosdoshmërish krahas emrit të tyre edhe logon e partisë në fletën e votimit.