28 nëntori i përgjakshëm i 2 grupeve në Shkodër/ Ekzekutohet Ridvan Ramazani

28 Nëntor 2020, 17:16

SHKODËR - Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Shkodrës. Ridvan Ramazani, 46-vjeç është ekzekutuar me breshëri kallashnikovi pranë një pike karburanti në afërsi të fshatit Mushan të Shkodrës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se kanë qenë dy persona të cilët udhëtonin me motor të cilët kanë ekzekutuar Ramazanin i cili ishte në makinën e tij tip "BMW X5", xhamat e së cilës janë bërë shoshë në plumba. Pavarësisht se pika e karburantit ishte e pajisur me kamera sigurie, ato nuk funksiononin dhe nuk kanë arritur të regjistrojnë të gjithë skenën e krimit. Në vendngjarje janë gjetur gjithashtu 20 gëzhoja kallashnikovi.

Ridvan Ramazani, njihej si i forti i fisit Ramazani në Shkodër, familja e të cilit ka pasur konflikte me një tjetër fis, atë të Edmir Koçisë. Ky i fundit është vrarë në të njëjtën datë si sot 8 vite më parë në lagjen "Tepe" në Shkodër, ku është goditur në orët e mbrëmjes të 28 nëntorit, ndërsa ka ndërruar jetë në spital një ditë më vonë. Ramazani, për policinë e Shkodrës ka qënë një ndër personat kryesorë të dyshuar në vrasjen e Edmir Koçisë. Me sa duket goditja në të njëjtën datë është një mesazh i qartë dhe kuptimplotë që të çon në dyshimin e arsyeshëm se vrasjen e Ridvan Ramazanit, e ka kryer grupi i Edmir Koçisë.