29 mijë aborte në 5 vite, Eglantina Bardhi: Klinikat private jashtë kontrollit të shtetit

21 Janar 2019, 15:32

Të dhënat më të fundit nga ISHP sipas të cilave në 5 vitet e fundit ka patur 29 mijë aborte, ishin temë e diskutimit sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv ku të ftuarat analizuan shkaqet dhe pasojat e numrit të lartë të aborteve. Eglantina Bardhi, drejtoreshë e shoqatës “Together for Life” që së fundmi ka kryer një studim të thelluar mbi abortet selektive, tha se problem mbeten klinikat private të cilat duket se janë jashtë kontrollit të institucioneve shtetërore.

Unë vazhdoj të theksoj, problem i jashtëzakonshëm mbetet sistemi privat, pra klinikat private që kryejnë aborte. Madje nga investigimet tona ka rezultuar që ka klinika që nuk ka kushtet teknike për të kryer abortet. Ligji është njësoj për të gjithë. T'ju jap një fakt shumë interesant, ne i kemi kërkuar Inspektoriatit të Shëndetësisë që është edhe kompetenti që duhet të bëjë kontrolle në klinika private ashtu si në institucionet shtetërore. Ju nuk do ta besoni, në 2 vitet e fundit ky inspektoriat nuk ka kapur asnjë shkelje në asnjë maternitet apo klinikë private, çka do të thotë që është e pamundur dhe ky institucion është krejtësisht jashtë funksionit. Të mos harrojmë që 29 mijë janë aborte të deklaruara, ka plot që nuk dihen. Çka do të thotë se institucionet janë krejtësisht të dobëta kundrejt këtij fenomeni, pra nuk bëjnë asgjë.