7 marsi, mësuesja e fëmijëve të ngujuar e revoltuar: Drejtësia të mos lejojë vetëgjyqësinë

7 Mars 2019, 18:46 | Përditesimi i fundit: 2019-03-08 10:22:25

7 marsi i gjen të gjithë mësuesit duke marrë dhurata nga nxënësit e tyre, por kjo gjë nuk ndodh për Liljana Luanin, mësuese e cila çdo ditë e shfrytëzon për të mësuar fëmijët që janë të ngujuar. Falë dashurisë dhe përpjekjeve të saj, Luani e ka shndërruar profesionin e mësueses në një mission të shenjtë. Në Malësinë e  Dukagjinit, vend në të cilin Liljana punon, mohimi i të drejtës për të jetuar i lirë është fenomeni më i dhimbshëm. E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report tv, mësuese Liljana është shprehur e revoltuar ndaj sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Në ditën e mësuesit, Liljana shpreson fort që fenomeni i gjakmarrjes të ndalojë së ekzistuari në vendin tonë, e kjo sipas saj vjen nëse drejtësia vendoset në vend.

Unë shpresoj fort, kur të përfundojë vettingu dhe të kemi një drejtësi ashtu siç e meriton ky popull, drejtësi me plot kuptimin e fjalës gjakmarrja do marrë fund, sepse ai që bën krimin duhet të dënohet, pjesa tjetër do të jetojë e lirë. Në të gjitha rastet ku unë shkoj krimineli nuk ka marrë dënimin që duhet dhe njerëzit janë të detyruar të bëjnë vetëgjyqësi dhe kjo është fatkeqësi. Ndaj them nuk është faji i komunitetit, këtu është faji i politikave të prokurosrisë dhe gjyqësorit. Ata duhet ti vënë gishtin kokës nëse duan të luftojnë gjakmarrjen. Duhet që gjykatësit dhe prokurorët të mendojnë jo vetëm për momentin, por të mendojnë se ku po çojnë kombin. Një vendim i gabuar mund të çojë në gabime edhe më të mëdha.

Liljana Luani, mësuese

Që nga viti 2005, Liljana Luani filloi të shkonte derë më derë tek femijët e ngujuar  për ti mësuar ata vullnetarisht. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur Liljana Luanit i është dashur të ecë me orë të tëra për të mësuar nxënësit e saj që shumicën e kohës i sheh të veshur nga trishtimi, megjithatë pavarësisht rrethanave të vështira, mësuesja e tyre nuk është ndakur asnjëherë.

Shumë shpesh në këmbë, shumë shpesh me varka, me veshtirësi të mëdha , por ia dal. Unë shpresoj që gjakmarrja të shuhet në Shqipëri përpara se të dorëzohet Liljana Luani. Unë nuk dorëzohem kollaj, do ta vazhdoj me të gjithë forcën e shpirtit sat ë kem fuqi. Do të luftoj kundër këtij fenomeni me të gjitha forcat e mia.

Liljana Luani, mësuese

Pas shpalljes si mësuesja e vitit për 2018-ën, Liljana është përzgjedhur ndër 50 mësuesit më të mirë në rang botëror dhe ndërkohë vijon konkurimin e saj për Çmimin e madh “Global Teacher Prize”. Çmimi Global për Mësuesit, i cili është vlerësuar nga media si Çmimi “Nobel në Mësimdhënie”. Këmbëngulja e saj për të përmirësuar sadopak jetën e fëmijëve të ngujuar është shumë e madhe. Ajo ka bashkëpunuar me policinë dhe qeverinë në një përpjekje për t'i dhënë fëmijëve të ngujuar pothuajse të njëjtat privilegje si të tjerët. Falë saj shumë fëmijë kanë qenë në gjendje të marrin provime nën mbikëqyrjen e policisë , gjë e cila dukej e pamundur pa përpjekjet e mësuese Liljanës.