7 marsi në pandemi do të festohet online! Mësuesja Mirela Reqica: Profesioni ynë është mision

5 Mars 2021, 18:23

15 vitet e fundit për mësuesen Mirela Reqica janë të mbushura plot me kujtime të nxënësve të cilëve u ka dhënë mësim, por më të bukurat janë ato të festës së 7 marsit.

Këtë vit që pandemia ka ndryshuar gjithçka, ajo ndan disa prej momenteve më të bukura që ka përjetuar.

“Kujtimet më të bukura janë 7 marsi kur na sjellin buqetat me lule, janë shumë vlerësuese dhe kur të shkruajnë ato dedikimet me fjalët e tyre shumë prekëse ose me dedikime të ndryshme, këto janë më prekëse. Edhe kur i shikon në rrugë që ata janë bërë dikushi në jetë, të ndalojnë dhe të përshëndesin patjetër që është një vlerësim, është emocionues, mbresëlënës”-u shpreh mësuesja.

Festa dhe organizime nuk do të ketë por kjo ditë e veçantë dedikuar arsimtarëve nuk do të mbetet pa kujtuar dhe njëjtë si mësimi edhe festimet do bëhen online.

 “Sivjet patjetër që që ministria e Arsimit ka bërë dhe aktivitete ku kanë bërë ekspozita të ndryshme ku çdo nxënës mund të shfaqë pikturat e tyre në mirënjohje të mësuesve. Patjetër që aktivitete të tjera mund të jenë edhe në zoom, por mendoj që nxënësit prap lënë surpriza. Ata janë të risive, janë të motivuar, ata janë vizioni i shpresës”-tha mësuese Mirela.

Mësuese Mirela thotë se dhe me kolegët, gjatë ditëve të fundit kanë kujtuar me nostalgji festat që kanë organizuar ndër vite.