84-vjetori i lindjes së Kadaresë, Akademia e ripropozon për ‘Nobel’, studiuesi: “Gjenerali...”, vepra më e arrirë, ‘Nobeli’ gjysëm shekulli pas

28 Janar 2020, 15:48

Shkrimtari Ismail Kadare, i vlerësuar për kontributin që ka dhënë nëpërmjet veprave letrare monumentale, në ruajtjen e gjuhës edhe të identitetit tonë, por edhe në njohjen e Shqipërisë në mbarë botën, ripropozohet sërisht, si kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi. Në këtë 84-vjetor të lindjes, urimi i Akademisë së Shkencave, ishte nëpërmjet një letre të dërguar, Akademisë Mbretërore Suedeze, në të cilën ritheksohen arsyet, se përse shkrimtari shqiptar duhet që të vlerësohet me “Nobel”.

“Gjuha jonë, gjuha e krijimtarisë letrare në shqip, arriti shkallën më të lartë të fuqisë së saj shprehëse me veprën e Kadaresë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në mënyrë këmbëngulëse dhe me bindje të plotë për vendimin e saj, është prej shumë vitesh, tashmë prej dekadash, propozuese e ripropozuese e kandidaturës së tij për këtë çmim, duke e vlerësuar si një çështje merite, nderi dhe drejtësie”, shprehet kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi.