Prindërit mendojnë se fëmijët e tyre janë në shkollë, por shumë adoleshentë braktisin orët e mësimit për të qëndruar me orë të tëra në kafe me shoqërinë apo të dashurën/in. Është ky alarmi që ka ngritur sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, Shkënda Lili, detektive private së cilës gjithmonë e më shpesh prindërit i kërkojnë ndihmë për të mbikqyrur apo kontrolluar fëmijët e tyre adoleshentë.
Problematikat më të shpeshta që kam hasur në investigimin e adoleshentëve është lënia e orëve të mësimit e para, prindërit i lënë në shkollë dhe është i sigurt që fëmija i tij është ambjenteve të shkollës. Por në fakt nuk ndodh kështu, ka fëmijë që në mëngjes nuk futen fare në shkollë, shkojnë nëpër kafe dhe qëndrojnë me orë të gjata. Ka vajza të cilat kanë një të dashur, që kryesisht është në moshë madhore, pra jo gjimnazistë. Ka një sërë problematikash për adoleshentët, duke përfshirë edhe drogën. Edhe brenda ambjenteve të shkollës, ndodh që në shkollë shpërndahet droga nga vetë nxënësit që e marrin nga jashtë.
Shkënda Lili, detektive
Lili theksoi se bëhet fjalë për raste konkrete që ajo ka hetuar personalisht pas kërkesës së prindërve, duke treguar për raste marrëdhëniesh intime mes një të miture 16 vjeçare me një të rritur mbi 30 vjeç, çka është e jashtëligjshme.