Adrian Çene, një rrëfim për artin modern tej fasadës së Galerisë Kombëtare

17 Shkurt 2020, 20:50

Për të mishëruar në telajo, pikërisht atë që ende nuk e kishte njohur brenda vetes, e duke rrëzuar butësisht modelet e mësuara, gjatë Liceut dhe Universitetit të Arteve, Adrian Çene zgjodhi rrugën më të rrezikshme: Injoroi interesat materiale dhe jetike e nuk bëri asnjë vepër thjesht për ta shitur diku apo dikujt.

Ai sot është një prej artistëve modernë shqiptarë që jeton dhe krijon në mjedisin artistik të Tiranës, por veprat e tij strehohen  në koleksionet e galerive prestigjioze të Francës, Australisë, Austrisë e më gjerë.

Do të ishte vetëm një çast ai, që do ia ndërronte gjithë rrjedhën e jetës së piktorit.

Tablotë e tij me nuanca të dukshme të fovizmit dhe simbolizimit, dy dekada më parë, përgjatë një ekspozite në Tiranë, iu blenë nga një galeri arti në Francë, e atje u shitën me gjithsej! 

Kjo i dha krahë që vijonte të shfaqej me atë stilin e tij imponues, kundrejt formave të spikatura dhe paletave shumëngjyrëshe. 

Në një intervistë ekskluzivisht për Report Tv, piktori Adrian Çene rrëfen rrugën që ka ndjekur krijimtaria e tij si një art në tranzicion, çfarë e bëri atë që të përballej ndryshe me artin traditës, cilët ishin mentorët që i çelën të parën dritë në rrugën e suksesit.

Adrian Çene preferon të flas më tepër me gjuhën e tij të ngjyrave, por ai nuk mund të hesht për atë që po ndodh me artin modern përtej fasadës së galerive dhe institucioneve të kulturës në vendin tonë. Ai shprehet edhe për problemin e mungesës së tregut të artit, duke theksuar edhe nevojën e shndërrimit të Galerisë Kombëtare në një muze të niveleve bashkëkohore.