Afganistan/Kërcënimi i Talibanëve: Shtetet e Bashkuara do ta paguajnë shtrenjtë

9 Shtator 2019, 14:29

Pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, se anulon fazën finale të negociatave për një marrëveshje të paqes me talebanët, nuk ka vonuar dhe reagimi i këtyre të fundit: Shtetet e Bashkuara do paguajnë një çmim të rëndë. Shumë terroristë do hidhen në aksion -  tha Emirati Islamik në Afganistan.

Samiti historik i projektuar për t’u zhvilluar të dielën, u anuluar nga presidenti amerikan për shkak të sulmeve me autobomba në datat 3 dhe 5 shtator, të ndërmarra nga fondamentalistët islamik, gjatë së cilave u vranë shumë civil afgan, përfshirë një ushtar amerikan.

Nuk do t’i tërheqim trupat tanë nga Afganistani pa qënë të sigurt se objektivat e presidentit Trump të jenë realizuar. Reduktimi i forcave tona ushtarake do të bëhet në bazë të kushteve reale në terren dhe jo në bazë të bisedimeve – deklaroj pas tërheqjes nga bisedimet sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo.

Ai gjithashtu nuk e përjashtoi faktin që Washingtoni mund të qëndronte në tryezën e bisedimeve, vetëm nëse Talibanët do të ndryshonin qëndrimin e tyre, në mënyrë që të sjellin paqen në rajonin e shkatërruar nga konflikti 18 vjeçar.

“Ne besojmë fuqimisht në një proces, i cili mund të udhëhiqet nga qeveria dhe populli afgan dhe që do të na çojë në një paqe dinjitoze dhe të qëndrueshme” - tha zëdhënësi i presidentit afgan.

Palët në bisedime kanë arritur një marrëveshje "parimore" sipas së cilës Pentagoni do të tërheqë 5.000 -13.000 ushtarë të vendosur në Afganistan dhe si kompensim, grupi fondamentalist ka premtuar të distancohet nga Al-Kaeda, të luftojë ISIS-in dhe të parandalojë xhihadistët të përdorin Afganistanin si një strehë të sigurt.