Aksident tragjik në Kashar, makina përplaset me murin, vdesin 2 vëllezërit dhe kushëriri

5 Mars 2021, 16:14

Një aksident tragjik me 3 viktima ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së kaluar në Kodër-Kashar, duke u ka marrë jetën 2 vëllezërve dhe kushëririt, të cilët ishin pasagjerë në makinën tip 'Opel' që u përplas me murin.

Gazetari Sokol Dema raporton se viktima të këtij aksidenti janë Ismail Sulaj 66 vjeç, Belul Sulaj 63 vjeç dhe Dashamir Dema 50 vjeç. Ismail Sulaj dhe Belul Sulaj janë vëllezër me njëri tjetrin, ndërsa këto të dy, bashkë me viktimën tjetër janë kushërinj të shoferit 29-vjeçar Zija Stefanescu (Murati).

Makina tip "Opel" e drejtuar nga 29-vjeçari, ka dalë nga rruga dytësore "Hajdar Valisi" duke u përplasur me murin, mbrëmë rreth orës 23:30. Katër kushërinjtë po ktheheshin në drejtim të banesës së tyre, por mbetet e paqartë ku kanë qenë, në ndonjë vizitë familjare apo në ndonjë festë, pasi aksidenti ka ndodhur në orën policore. 

Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, makina është shkatërruar komplet nga përplasja me murin. Përplasja ka qenë aq e fortë sa e kanë dëgjuar në shtëpitë e banorave që ndodheshin aty pranë. Policia, ambulanca dhe zjarrfikësja janë njoftuar nga banorët e zonës, por përpara se të mbërrinin një automjet që ishte pas makinës së aksidentuar u dha ndihmën e parë. Por, pavarësisht ndihmës, dy prej të aksidentuarve kanë humbur jetën në vend, ndërsa dy të tjerët janë transportuar në spital. Njëri prej tyre, për shkak të plagëve të rënda nuk ka mundur të mbijetojë, duke e çuar bilancin e këtij aksidenti të rëndë në 3.