Aksident tragjik në Kavajë, shkon në 3 numri i viktimave ( Momenti i përplasjes )

15 Maj 2019, 10:40

Shkon në tre numri i viktimave nga aksidenti i rëndë që u regjistrua mbrëmjen e djeshme në qytetin e Kavajës, ndërsa një vajzë 21-vjeçe është e plagosur në spital jashtë rrezikut për jetën. Mbrëmë humbën jetën Lumturie Demrozi 46-vjeç, dhe pasagjeri i makinës që u aksidentua Gentjan Belba 23-vjeç, ndërsa në orët e para të ditës së sotme vdiq në spital shoferi i 'Benz'-it me targa AA 615 VO, Vilson Cara 24-vjeç, i cili sot festonte 24-vjetorin e lindjes.  Dy të rinjtë kishin marrë makinën me qira dhe po shkonin për të festuar ditën e lindjes së Carës, por aksidenti tragjik u preu jetën në mes. 

Rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme në dalje të qytetit të Kavajës 'Benz'-i i marrë me qira ku po udhëtonin dy të rinjtë sipas policisë për të shmangur tre persona, nënën dhe dy vajzat që po tentonin të kalonin nga njëri krah i rrugës në krahun tjetër ka humbur kontrollin, dhe si pasojë edhe e lagështirës mjeti është përplasur me tabelën e një karburanti. Report Tv ka siguruar pamjet e aksidentit tragjik mbrëmë në Kavajë, që është fiksuar nga kamerat e sigurisë së biznesit. Nga pamjet duket kur nëna me dy vajzat ishin në anë të rrugës dhe momenti që futen për të kaluar rrugën, teksa 'Benz'-i vjen me shpejtësi duke i marrë përpara ndërsa u përplas me karburantin. Vendi ku nëna me dy vajzat po kalonin rrugën kur u përplasën nuk kishte vija të bardha.