ALARMI! Mjekët: Teknologjia po izolon fëmijët, i çon deri në depresion

19 Shkurt 2019, 12:44

Gjithmonë e më shumë profesionistët e shëndetit paralajmërojnë për një sërë rreziqesh që u kanosen fëmijëve tanë për shkak të përdorimit të tepruar të teknologjisë. E ftuar sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, mjekja pediatre Ilsa Mula Kraja renditi një sërë problemesh që ajo vë re në punën e saj të përditshme me fëmijët, duke nisur që nga më të vegjlit, fëmijët nga 0 deri në 2 vjeç të cilët janë të ekspozuar ndaj rrezatimit që vjen nga paisjet elektronike me dëme të mëdha tek qelizat e tyre të trurit dhe në kocka

"Është pandemi, e shohim tek të gjitha familjet, përdorimi i tepruar, abuzimi me aparatet digjitale, duke filluar nga telefoni, tableti apo lojërat elektronike. Dua të theksoj, se i mëshohet shumë moshës kur fillon kontakti i parë me rrezatimin sepse rrezatimi vepron në qeliza që replikohen shpejt. Fëmijët nga 0 deri në 2 vjeç trefishojnë qelizat e masës së trurit dhe duke qënë se rrezatimi vepron tek këto qeliza që shumohen në mënyrë të vrullshme, ato bien pre e këtij rrezatimi.

Nga ana tjetër kontakti me rrezatimin është më i ndjeshëm tek fëmijët sepse depërtimi është shumë i madh tek kockat e tyre të cilat janë ende të paformuara, ndryshe nga ne të rriturit që i kemi më kompakte. Sa i takon problemeve të përditshme, nga ajo që hasim çdo ditë në ambulator, shohim fëmijë që kanë vonesë në të folur, veçanërisht ata që kanë rënë në kontakt me telefonin përpara moshës 2 vjeç, përpara se të kenë filluar të folurin. Këta fëmijë marrin impulse në shqip apo edhe në gjuhë të huaj, në anglisht përshembull. Ndaj e kanë të vështirë në momentin që duan të shprehen, të flasin gjuhën e prindërve apo në anglisht. I shohim prindërit të shqetësuar përse fëmijët e tyre nuk po flasin, ndaj pyetja e parë që bëjmë është se sa kohë i lënë para telefonit"?, thote Ilsa Mula Kraja, pediatre