Ambasadori i OSBE tjetër 'shuplakë' opozitës: Kundër bojkotit të zgjedhjeve

19 Mars 2019, 15:13

Kreu i OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt ka folur për situatën politike në vend. Borchard ka theksuar se ne nxisim dialog mes palëve për reformën zgjedhore.

Gjatë fjalës së tij Borchardt deklaroi se OSBE nuk nxit bojkot zgjedhor dhe i bëri thirje partive të sjellin listat e kandidatëve. Ai tha se nuk parashikojmë që opozita do të bojkotojë zgjedhjet, ndërsa e quajti një shembull të keq për rajonin djegien e mandateve.

Kreu i OSBE u pyet nëse do t’i njohin zgjedhjet lokale nëse opozita do i bojkotojë

Kjo është diçka që unë nuk e parashikoj dot pse varet nga mënyra si shkojnë zgjedhjet, si zhvillohen ato dhe gjetjet e vëzhguesve tanë. Ne piksëpari nuk nxisim aspak bojkotin zgjedhor. Për shumë kohë Shqipëria ka qenë shtylla apo simbol i stabiltetit në rajon dhe tani shohim një veprim në parlament që nuk ka precedentë”, theksoi më tej ai

“Është kritikuar nga gjithë komuniteti ndërkombëtar. Pse? Sepse ndez fitilin, që vë flakën pastaj në gjithë sistemet parlamentare. Pyetja e radhës do ishte kur do kemi parlamentin që e ka mandatin për 4 vjet dhe ta mbyllë për 4 vjet. Kësaj radhë politikanët e dogjën në 2 vjet, radhës tjetër mund të gjejnë argumente për të marrë një vendim të tillë edhe pas 8 muajsh, ky do të ishte shembull shumë i keq për të tërë rajonin. Ju e dini se në shumë vende ka opozita që bojkoton parlamentin, por kjo nuk funksion se nuk është fare thelbi i demokracisë parlamentare”, tha Borchardt.

Prononcimi i plote

Pyetje: Z. Ambasador, është djegur afati dhe opozita nuk i ka çuar anëtarët për KZAZ. A është një hap ky drejt bojkotit të zgjedhjeve nga ana e opozitës dhe a keni komunikime me liderët e opozitës? Keni bërë dje një thirrje. A ka pasur ndonjë reagim?

Ambasadori Borchardt: Ne u kemi bërë thirrje të gjitha partive të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, gjë që është një proces normal në një sistem demokratik. Lidhur me mosregjistrimin, dje u kemi bërë një thirrje partive që të dorëzojnë kandidaturat e tyre për anëtarë.

Pyetje: Z. Ambasador, dje kryetari i grupit socialist Taulant Balla tha që për reformën zgjedhore do të nisim diskutimet me deputetë të rinj. A është kjo mënyra e duhur për të miratuar reformën zgjedhore?

Ambasadori Borchardt: Ligjërisht, po. Pastaj, sikurse e kam thënë më parë, a është ky një vendim i pjekur politikisht, kjo është çështje tjetër. Ne nxisim dialogun e vazhdueshëm lidhur me reformën zgjedhore. 

Pyetje: Nëse opozita do të bojkotojë zgjedhjet lokale, a do t’i njohë OSBE-ja këto zgjedhje si të ligjshme?

Ambasadori Borchardt: Kjo varet nga mënyra se si zhvillohen zgjedhjet dhe nga gjetjet e vëzhguesve tanë. Kjo është diçka që unë nuk e parashikoj dot. Në përgjithësi, mund të them se ne, pikësëpari, i shkurajojmë bojkotet e zgjedhjeve. Për shumë kohë, Shqipëria ka qenë shtyllë e stabilitetit në rajon. Tani, shohim një veprim në parlament, i cili nuk ka precedentë. Është kritikuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Një nga arsyet është sepse ndez fitilin që i vë flakën sistemit të demokracisë parlamentare. Pyetja e radhës do të ishte: kur do ta kemi sërish atë parlamentin që e ka mandatin për katër vjet dhe e bën të plotë? Kësaj radhe, politikanët pas dy vitesh patën idenë të digjnin mandatet e tyre. Radhës tjetër, ata mund të gjejnë argumente për ta bërë këtë pas tetë muajsh, dhjetë muajsh apo një viti. Ky do të ishte, gjithashtu, edhe një shembull shumë i keq për të tërë rajonin. Ju e dini që në disa shtete ka opozita që bojkotojnë parlamentin. Një gjë e tillë nuk mund të funksionojë. Ky nuk është thelbi i demokracisë parlamentare.