Ambasadori i ri austriak: Keqardhje që u shty vendimi për negociatat, Europa nuk është e plotë

23 Tetor 2019, 10:43 | Përditesimi i fundit: 2019-10-23 14:22:12

Europën e quan të paplotë pa Ballkanin dhe nuk heziton të shprehë keqardhjen për shtyrjen e negociatave. Nga Shkodra ku mori pjesë në festën kombëtare të Austrisë, i ngarkuari me punë, i cili pas pak ditësh do të jetë ambasadori i ri, Christian Steiner rikonfirmoi mbështetjen e vendit të tij ndaj Shqipërisë.

"Shërbimi im diplomatik për herë të parë në vendin tuaj ishte në vitet 96 - 97. Jeta atëherë nuk ka qenë e thjeshtë, sot shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë. Megjithatë që në 1996 më ka impresionuar pozitivisht lidhjet në disa fusha Shqipëri - Austri. Kjo me duket e natyrshme duke pasur parasysh lidhjet historike. Jam i lumtur të shoh thellimin e këtyre marrëdhënieve kur shoh suksesin e shkollës austriake, një nga 8 institucionet arsimore tonat.

Ministri ynë kur ishte në tetor këtu ka shprehur mbështetjen për integrimin europian. Na vjen keq që vendimi është shtyrë pasi të dy vendet kanë punuar mirë. Europa nuk është e plotë me mungesën e vendeve të Ballkanit" tha Christian Steiner.

Mikpritësi i festes, konsulli i nderit Gjergj Leqejza falenderoi shtetin austriak për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë, ku prezenca e tyre ndihet në disa fusha të rëndësishme të jetës ekonomike e sociale. Festa ka vijuar më pas me trokitje gotash e bashkëbisedime mes të pranishmëve, autoriteteve lokale, civile e fetare.