Aministia fiskale, PD: Ligji nuk ka lidhje me emgrantët që punojnë në të zezë! Është për të larë miliona eurot e Ramës dhe ministrave të tij

27 Qershor 2022, 16:50

Zëdhënësja e PD, Floriana Garo ka reaguar për ligjin e amnistisë fiskale duke thënë se e fut Shqipërinë në listën e zezë të këtyre vendeve. Nuk kanë munguar akuzat për Edi Ramën për të cilin thonë se ka synim larjen e qindra miliona eurove nga kryeministri dhe ministrat e tij të vjedhur në tendera e prokurime publik.

"Ky ligj ndonëse paraqitet sikur po lehtësohen emigrantët në të vërtet ai ka si synim: Së pari, larjen e qindra miliona eurove nga Rama dhe ministrat e tij të vjedhur në tendera e prokurime publike, të bëra në trafiqe kriminale e të vendosura në llogaritë off-shore, ose në emra fonio për të fshehur veten pas tyre.

Së dyti, ligji nuk ka asnjë lidhje me punën në të zezë të emigrantëve tanë, por lidhet direkt me larjen e miliarda euro para droge e krimi të bandave të lidhura me qeverinë, dhe që bëjnë ligjin në narkoshtetin e Edi Ramës.

 Së treti, emigrantët po përdoren vetëm si fasadë! Kjo amnisti nuk është për emigrantët e ndershëm, por për të besuarit e Ramës, klientelën dhe investitorët e tij strategjikë, të privilegjuarit e tij.

 Si përfundim, PD dënon me ashpërsinë më të madhe këtë amnisti fiskale si një akt kriminal që realizohet për botën e krimit qeveritar dhe fut Shqipërinë në listën e zezë për larjen e parave të pista. Kjo amnisti shndërron zyrtarisht Shqipërinë në mega-lavatriçen gjigande të parave të krimit në Europë. Ajo është e rrezikshme për sigurinë kombëtare dhe duhet anuluar menjëherë", tha Garo.