Angelo Massafra apel politikanëve: Shmangni rrezikun e interesit personal, ndihmoni shoqërinë

21 Tetor 2019, 12:49

Arqipeshkvi i Shkodrës Imzot Angelo Massafra në meshën dedikuar festës së 'Zojës së Shkodrës' ka pasur një apel të fortë për drejtuesit e qytetit. Ai tha se ata kanë përgjegjësi drejtuese dhe qeverisëse për të gjithë katolikët.

"Dëshiroj t'ia drejtoj mendimin tim atyre që në këtë qytet kanë përgjegjësi drejtuese dhe qeverisëse. Të kesh përgjegjësi nuk është arsye krenarie, por të vendos në një pozicion të vecantë për t'u kujdesur me të mirën e përbashkët.

Ftoj që të favorizohet më shumë bashkëpërgjegjësia e qytetarëve duke shmangur rrezikun e interesave private që nuk ndihmojnë në zhvillimin e shoqërisë. Dua t'i kushtoj një fjalë ngushëllimi të sëmurëve, atyre që jetojnë situata të sikletshme shoqërore, të burgosurve, atyre që janë viktima të abuzimeve apo krimeve, atyre që janë humbur shpresën. Keni shpresë, fjalën e fundit mund ta thotë vetëm Zoti" tha ai. Bashkia e Shkodrës drejtohet nga Voltana Ademi.

Ndërkohë që Imzot George Frendo ka përcjellë edhe disa mesazhe për shoqërinë që duhet të kthejë sytë nga të varfrit. "Të mos jemi indiferent ndaj vuajtjeve të të varfërve. Një shoqëri që po bëhet gjithnjë e më shumë anonime. Rreziku i globalizimit të indiferencës, dhe sikur thotë Maria, ne nuk duhet kurrë të biem pre e indiferencës para vuajtjeve të shoqërisë" tha ai.

Kjo datë kremtohet që prej kohëve të lashta nderohet me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë.