Arkivi ekspozon dokumentet origjinale/ Studiuesja prezanton librin 'Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe qëndresës'

25 Shkurt 2021, 16:20

Në këtë muaj të Kujtesës Arkivi i Shtetit ka zgjedhur të nderojë figurën e shkrimtares së parë shqiptare Musine Kokalari (Adanë, 10 shkurt 1917 - Rrëshen, 13 gusht 1983). Përmes ekspozimit të dokumenteve origjinale, që ruhen në arkivin e këtij institucioni, si dosja e saj, letërkëmbime, fjalor i veprave, pjesë nga ditari në italisht i mbajtur gjatë jetës studentore në Universitetin La Sapienza të Romës, dokumentet si themeluesja e partisë social-demokrate  apo dhe fotografi në etapa të ndryshme të jetës janë ekspozuar për herë të parë në një hapësirë publike, sikundër është Kalaja e Tiranës.   

“Më vjen mirë që muaji i kujtesës i shpallur nga Ministria e Kulturës po krijon rrathë të tillë kaq të rëndësishëm dhe që institucionet e tjera po nxjerrin prej fondeve të tyre gjëra me kaq rëndësi”, thotë ministrja e Kulturës, Elva Margariti.