Arti i angazhuar në Shqipëri, kuratorja: Artistët duhet që të jenë të bashkuar

10 Tetor 2019, 13:06

Ekspozita performative “Komuna e Parisit” me punime të artistëve Rena Rädle & Vladan Jeremic është çelur këto ditë në qendrën e artit bashkëkohor, “Tirana Art Lab”. Artistët nëpërmjet pankartave, banderolave, flamujve edhe video-instalacioneve ritrajtojnë Komunën e Parisit, që gjatë tre muajve (18.03.1871- 28.05.1871) ishte këshilli bashkiak revolucionar, që tentoi administrimin e Parisin sipas ideve socialiste. Përpos periudhës së shkurtër të “qeverisjes” Komuna e Parisit konsiderohet si shembull për diktaturën e proletariatit dhe model i “demokracisë së këshillave”. Kuratorja Adela Demetja na rrëfyen se si duke marrë shkas nga lagjja “Komuna e Parisit”, projekti në Tiranë trajton ndikimin e saj deri në ditët e sotme.

“Në përgjithësi ne kemi si prioritet artin e angazhuar edhe artistin, si një individ që luan rol aktiv në shoqërinë ku ai jeton. Në këtë ekspozitë performative, ne kemi marrë si pikënisje Komunën e Parisit, që daton në vitin 1871, ku për herë të parë klasa punëtore e Parisit u bashkua edhe mori pushtetin. Në këtë periudhë disa artistë të njohur iu bashkuan kësaj lëvizje”, tregon kuratorja, teksa shton se në këtë ekspozitë kanë ftuar dy artistë që punojnë bashkë, Rena Rädle & Vladan Jeremic. Ata janë një çift me banim në Beograd, që në praktikën e tyre bashkojnë artin me aktivizimin.

“Në këtë ekspozitë punët janë prodhuar posaçërisht, specifika e tyre është që të funksionojnë si detaje, që mund të përdoren edhe si mjete protestuese, janë banera, flamurë, barrikada  etj.  Me këtë lloj gjuhe artistike edhe aktiviste ne ngremë një debat për rolin, që artisti duhet që të luajë në shoqërinë e sotme”.

Kuratorja teksa shpjegon se ekspozita i kushtohet çështjes së funksionimit dhe vlerës së një vepre artistike, prandaj ajo e paralelizon edhe me atë që ka ndodh në vendin tonë me artistët gjatë viteve të fundit sa i përket artit të angazhuar.

    No videos found.